Shtypi nën presion: Shkurtimi amerikan i mjeteve për Radion Evropën e Lirë pasqyrojnë luftën e mediave evropiane
- Pluralizmi mediatik mori goditje të rëndë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërprenë mjetet e disa mediave globale që veprojnë si bastione kundër propagandës.
- Post By Melahat Baftija
- 09:24, 24 mars, 2025

ENR-Bruksel
24 mars 2025
Pluralizmi mediatik mori goditje të rëndë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërprenë mjetet e disa mediave globale që veprojnë si bastione kundër propagandës.
Midis tyre është Radio Evropa e Lirë, e cila është parë si mburojë kundër dezinformimit dhe manipulimit në Evropë që kur u themelua gjatë Luftës së Ftohtë për t'iu kundërvënë propagandës sovjetike.
Kriza financiare u shkaktua nga dekreti i Presidentit Donald Trump që urdhëron shkurtime të konsiderueshme të buxhetit të Agjencisë amerikane për media globale, e cila mbikëqyr të gjitha mediat e huaja të financuara nga qeveria amerikane që nuk janë nën kontrollin e ushtrisë.
Shtëpia e Bardhë tha se shkurtimet do të kontribuojnë që "taksapaguesit të mos paguajnë më për propagandën radikale", duke shënuar një kthesë dramatike në qëndrimet ndaj mediave të themeluara për të zgjeruar ndikimin amerikan jashtë vendit.
Krahas REL-së, shkurtimet e papritura të Trampit prekën edhe mediat e huaja Zëri i Amerikës dhe Radio Azia e Lirë.
Shoqata e aktivistëve Reporterët pa kufij e dënoi vendimin, duke thënë se ai "rrezikon lirinë e shtypit në të gjithë botën dhe zhvlerëson historinë 80-vjeçare amerikane të mbështetjes së qarkullimit të lirë të informacioneve."
REL ngriti padi kundër Agjencisë amerikane për media globale në bazë të pohimit se mbajtja e mjeteve të tyre ishte e paligjshme sepse paratë u ishin ndarë atyre në mënyrë të qartë nga Kongresi i SHBA-së. Radio rrjeti akuzoi agjencinë e tij amë për shkelje të Kushtetutës së SHBA-së dhe kërkoi vendim gjyqësor për të bllokuar ngrirjen e mjeteve.
Radio Evropa e Lirë është themeluar në vitin 1950 gjatë Luftës së ftohtë për të transmetuar program për bllokun komunist. Katër dekada më vonë, stacioni kontribuoi në rënien e regjimeve totalitare në Evropën Qendrore dhe Lindore duke intervistuar lirisht disidentët, si dhe kritikët e autoriteteve autoritare pro-sovjetike.
Fillimisht me selin në Mynih, radioja u zhvendos në Pragë në vitin 1995. Sot, ajo ende transmeton në 27 gjuhë në 23 vende, shumë prej të cilave kufizojnë rëndë lirinë e mediave. Ka rrjet prej rreth 1.700 gazetarësh, si dhe të punësuar të përhershëm ashtu edhe bashkëpunëtorë me honorar, dhe pothuajse 50 milionë dëgjues në javë.
Media ka qenë prej kohësh therrë në sy autoriteteve ruse. Në shkurt të vitit 2024, Moska e shënoi REL-në si "organizatë të padëshirueshme".
Dhuratë për armiqtë e Evropës
Si reagim ndaj vendimit të SHBA-së, ministri i Jashtëm çek Jan Lipavski njoftoi në Platformën X se "nga Bjellorusia në Iran, nga Rusia në Afganistan, Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës mbeten ndër burimet e pakta të lira të informacionit për ata që jetojnë nën zgjedhë."
"Është në interesin tonë të mos kemi regjime totalitare që lulëzojnë rreth nesh," tha ai.
Lipavski po kërkon në mënyrë aktive mbështetje nga Bashkimi Evropian për të parandaluar shuarjen e stacionit. Fati i radios u diskutua edhe të hënën gjatë Këshillit të ministrave të jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së.
Ai tha se buxheti i përgjithshëm i nevojshëm për REL-në është "një shumë e arritshme për Evropën si tërësi", duke shtuar se "për Republikën Çeke, ai është mbi mundësitë tona".
Sipas Agjencisë amerikane për media globale, buxheti vjetor është rreth 142 milionë dollarë (131 milionë euro) në vit.
BE-ja të hënën paralajmëroi Shtetet e Bashkuara për rrezikun që ndërprerja e programit të mediave që i financon, duke përfshirë Radion Evropa e Lirë, mund t'u "shkojë në favor kundërshtarëve tanë të përbashkët".
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas tha se i vjen keq për shkurtimet, por BE-ja nuk mund të mbushë vetë boshllëkun e lënë nga Uashingtoni.
Si estoneze, kreu i diplomacisë së BE-së tha se Radio Evropa e Lirë, me duke pasur prejardhjen nga një vend në anën tjetër të Perdes së hekurt, ishte stacioni përmes të cilit ata morën "shumë informacione për atë që ndodh në fakt".
Goditje ndaj lirisë së medias në Evropë
Nuk është vetëm Radio Evropa e Lirë që po lufton për të mbijetuar. Mediat në të gjithë Evropën janë në ngushticë – jo vetëm për sa i përket financimit, por edhe nën kërcënimin e pavarësisë, për shkak të përqendrimit në rritje të pronësisë dhe ndikimit të qeverisë, si dhe kushteve armiqësore për punë të gazetarëve.
Raporti vjetor ndaj sundimit të ligjit në BE , i publikuar këtë vit nga Bashkimi për Liritë Civile për Evropën, shpalosi se vazhdojnë kërcënimet ndaj lirisë së mediave në të gjithë BE-në. Shumë qeveri kanë ruajtur ndikimin e drejtpërdrejtë për zgjedhjen e udhëheqjes së organeve kombëtare rregullatore, duke minuar pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre, thuhet në raportin.
Sipas raportit, kërcënimet e vazhdueshme ndaj pavarësisë së organeve rregullatore kombëtarë të mediave janë vërejtur në Kroaci, Hungari, Greqi, Slloveni, Spanjë, Bullgari dhe Maltë.
Paqëndrueshmëria aktuale politike në Bullgari, për shkak të mungesës së një qeverie të rregullt dhe një parlamenti funksional, e bëri të pamundur të bëhen ndryshime thelbësore rregullatore, njëherësh edhe në tregun mediatik.
Në Raportin e tij për sundimin e së drejtës në vitin 2024, Komisioni Evropian i rekomandoi Bullgarisë të përmirësojë transparencën në shpërndarjen e reklamave shtetërore, veçanërisht në lidhje me marrëveshjet e ndërmjetësimit.
Për Italinë, raporti paralajmëron se Qeveria duhet të garantojë financim të pavarur dhe adekuat për servisin publik kombëtar RAI. Theksohet edhe se gazetarët vazhdojnë të përballen me shumë sfida gjatë ushtrimit të punës së tyre dhe Qeverisë i bëhet thirrje të vazhdojë me reformat e rregulloreve legjislative për shpifje.
Në Raportin e tij për zgjerimin për vitin 2024, Komisioni Evropian rekomandoi që Maqedonia e Veriut, si vend që nuk është anëtar i BE-së, të vendosë rregulla për transparencë të plotë në lidhje me pronësinë e mediave dhe reklamimin, si dhe të reagojë me kohë ndaj çdo kërcënimi dhe akti të dhunës ndaj gazetarëve.
Në Slloveni, mediat nuk u përshtatën mjaftueshëm shpejt ndaj shprehive të reja të përdoruesve dhe ndryshimeve teknologjike. Pronësia e mediave është kryesisht e përqendruar dhe në një treg kaq të pasigurt, gazetarët shpesh pushohen nga puna.
Në Francë, rreth 500 gazetarë kanë nënshkruar klauzola konfidencialiteti që u imponojnë atyre heshtjen kur largohen nga mediat e blera nga miliarderi konservator francez Vinsent Bolore, njoftuan në një raport Reporterët pa kufij.
Sipas Reporterëve pa kufij, klauzola të tilla filluan të zbatohen në vitin 2016, pasi Bolore mori kontrollin e grupit Kanal+ dhe kanalit të tij informativ Itele (tani Si-njuz), më pas të Radio Jurop 1, revistën Pari maç (të cilën ai më vonë e shiti) dhe Zhurnal di dimansh.
Një hap i rëndësishëm i ndërmarrë nga Spanja ishte miratimi i një ligji me qëllim krijimin e një regjistri mediatik për të identifikuar pronarët e mediave dhe reklamimit që ato marrin. Ai premton të rrisë transparencën institucionale dhe është i angazhuar për të luftuar dezinformimin përmes reformave legjislative.
Sipas burimeve nga Ministria e transformimit digjital dhe shërbimit publik, mediave do t 'u kërkohet të regjistrojnë strukturën e tyre të pronësisë dhe mjetet publike (vendore dhe të huaja) që i marrin në formën e reklamimit.
Fati i REL-së dhe mediave të tjera varet në ekuilibër, dhe audienca e medias në Evropë dhe botë është gjithnjë e më e ekspozuar ndaj dezinformimit. Statistikat gjithëpërfshirëse janë të rralla, por sipas një hulumtimi të vitit 2022, mbi 70% e qytetarëve të BE-së kanë thënë se hasin rregullisht në lajme të rreme.
Derisa BE-ja debaton nëse duhet të përfshihet në shpëtimin e REL-së, mbetet pyetja më e madhe: A mund ta mbrojë Evropa gazetarinë e pavarur në një epokë të ndikimit autoritar në rritje dhe pasigurisë ekonomike?
Foto: ENR/DPA