• e hënë, 14 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Shqipëria shënon 16-vjetorin e anëtarësimit në NATO

Shqipëria shënon 16-vjetorin e anëtarësimit në NATO

Tiranë, 1 prill 2025 (MIA) - Me rastin e 16-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kreu i shtetit, Bajram Begaj, vlerësoi se "Shqipëria është dëshmuar se është një anëtare e denjë e aleancës".

"16 vjet në NATO. Shqipëria feston sot me krenari 16 vjetorin e anëtarësimit në aleancën më të sukseshme të mbrojtjes kolektive, NATO. Në këto 16 vite Shqipëria ka dëshmuar se është anëtare e denjë e aleancës me kontribute dhe pjesëmarrje aktive në misione dhe operacione të NATO-s. Shqipëria do vijojë të jetë e përkushtuar ndaj aleancës euro-atlantike për të patur një NATO të fortë, të bashkuar dhe solidare", shkruan Begaj në një postim në rrjetet sociale.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në njoftim ka shkruar se vendi kontribuon në forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

"Ne kemi NATO-n dhe NATO ka Shqipërinë! Me kontekstet e reja gjeopolitike do të forcojmë partneritetin me aleatët tanë, si dhe do të vazhdojmë me krenari kontributin për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë", nënvizon Ministri Hasani.

Sipas tij, ky rrugëtim i Shqipërisë në NATO reflekton forcën, sigurinë dhe solidaritetin, teksa shpreh krenarinë që vendi ynë gjendet pranë aleatëve për një të ardhme me të sigurt, duke shtuar se "Shqipëria mbetet një aleate e përkushtuar dhe e besueshme e NATO-s, aleancës më jetëgjatë dhe më të fuqishme në botë".

"Krenarë për rolin tonë në Aleancë! Sot, forcat tona të armatosura kontribuojnë në misionet e sigurisë dhe stabilitetit krah për krah me aleatët tanë, duke demonstruar përkushtimin e Shqipërisë për mbrojtjen kolektive dhe paqen e qëndrueshme", shkroi ministri i Mbrojtjes Piro Vengu.

Ai vlerëson se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO më 1 prill 2009, është një nga arritjet historike më të rëndësishme për vendin dhe për mbarë kombin shqiptar. sa/

Foto: Begaj, Hasani, Vengu FB

QËNDRONI TË LIDHUR