• e mërkurë, 28 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Shqipëria do të prodhojë automjete të blinduara, ka kërkesa nga Gjermania, Polonia, Greqia

Shqipëria do të prodhojë automjete të blinduara, ka kërkesa nga Gjermania, Polonia, Greqia

Tiranë, 10 prill 2025 (MIA) - Pas prototipit të automjetit të parë ushtarak të blinduar “Shota”, të prodhuar vitin e kaluar, Shqipëria brenda këtij viti do të prodhojë edhe automjete tjera të blinduara që do i shërbejnë Forcave të Armatosura, por edhe do të eksportojë.

“Ne bashkëpunojmë me kompani të huaja dhe këtë vit besojmë se do të prodhojmë disa automjete “Shota”. Nuk do të jetë thjesht një prototip, por një automjet që vepron në terren”, deklaroi për A2 Arjeta Puca, administratore pronare e kompanisë "TIMAK".

Sipas saj, paqja në botë është e brishtë ndaj edhe shtetet e tjera i kanë hedhur sytë te mjetet ushtarake që do të prodhohen në Shqipëri.

“Ne kemi dëshirë që ta nisim me Shqipërinë, por kemi edhe shumë kërkesa nga Gjermania, Polonia, Ukraina e madje Greqia, me të cilët jemi në bisedime dhe besojmë se këtë vitdo të kemi edhe prodhimet e para. Sigurisht jemi një kompani shumë e madhe, por duke u rritur dhe duke pasur më shumë likuiditet mund të prodhojmë edhe më shumë. Pjesa e platformës blihet. Kështu veprojnë edhe kompani të tjera. Pjesa tjetër nuk është shumë e vështirë”, tha Puca.

Televizioni thekson se në një kohë kur retorika ushtarake vazhdon të rritet, Shqipëria planifikon të shpenzojë 122 miliardë lekë për modernizim dhe 61 miliardë lekë për infrastrukturën ushtarake deri në vitin 2033. Një pjesë e saj pritet të shkojë për mbështetjen e sipërmarrjeve private që do të prodhojnë pajisje ushtarake.

"Në kuadër edhe të marrëveshjes 10-vjeçare për Bashkëpunimin e Sigurisë dhe Mbështetjen Afatgjatë ndërmjet Kievit dhe Tiranës, të nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Volodimir Zelenski në Davos të Zvicrës në janar, disa automjete të blinduara do të shkojnë në Ukrainë", thekson televizioni A2.

Prototipi i parë i automjetit ushtarak të blinduar “Shota” u prezantua në panairin ndërkombëtar EUROSATORY të mbajtur në Paris në mes të qershorit të vitit të kaluar.

Automjeti është i pajisur me teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, duke përfshirë transportin e ushtarëve, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë.

Është dizajnuar nga dizajneri shqiptar Grigor Andoni, kurse është prodhuar për rreth tre muaj.  Kompania “TIMAK”, në të cilën 75 për qind e të punësuarve janë gra, eksporton autoambulanca në 20 vende të botës. ls/

Foto: Kompani "TIMAK"

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR