• e diel, 11 janar 2026

SPAK ka ngritur aktakuzë ndaj ish presidentit shqiptar Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

SPAK ka ngritur aktakuzë ndaj ish presidentit shqiptar Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Tiranë, 27 maj 2025 (MIA) - Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash ndaj ish presidentit shqiptar dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

SPAK ka përfunduar hetimet për dosjen CEZ-DIA, lobimin në SHBA të ish partisë -Lëvizja për Integrim Socialist, sot Partia e Lirisë dhe hetimi pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Ish çifti Meta-Kryemadhi, i divorcuar pak kohë më parë, ishte nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim dhe fshehje pasurie.

Brenda pak ditësh pritet që SPAK të dërgojë dosjen në Gjykatën Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku në seancën paraprake do të vendoset nëse çështja do të kalojë në gjykim, do të kthehet në përfundim apo do të hidhet poshtë.

Meta, i cili ndodhet në paraburgim, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar procesin si një "farsë hetimore" me motive politike.

Në një reagim në Fejsbuk, ai akuzon drejtpërdrejt SPAK-un si strukturë të kapur nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar arrestimin e tij më 21 tetor 2024 si kriminal dhe të pa bazuar në asnjë provë ligjore.

Një farsë në shërbim të Edi Ramës! Zero fakte, zero prova. Qëllimi i akuzave të ngritura është largimi i vëmendjes nga krimet zgjedhore, të cilat nuk mund të kishin ndodhur pa ndihmën e SPAK-ut, dhe sulmi ndaj opozitës", shkruan Meta në Fejsbuk.

Ai paralajmëroi një përballje publike në gjykatë, ku sipas tij do të rrëzohet e gjithë "farsa politike që synon diskreditimin e personalitetit të tij dhe forcimin e kontrollit të shumicës mbi institucionet". sa/

QËNDRONI TË LIDHUR