• e enjte, 25 korrik 2024

Shokarovski: Nuk është e vërtetë që vdekshmëria është rritur që kur jam emëruar drejtor, shkarkimi im është i kundërligjshëm

Shokarovski: Nuk është e vërtetë që vdekshmëria është rritur që kur jam emëruar drejtor, shkarkimi im është i kundërligjshëm

Shkup, 29 maj 2024 (MIA) - Shkarkimi im është i kundërligjshëm, sepse në një Qeveri teknike drejtorët nuk mund të emërohen e as të shkarkohen. Kështu deklaroi dr. Marjan Shokarovski, në konferencën e sotme për media në Klinikën Shtetërore të Kardiokirurgjisë Universitare të ISHP-së, duke theksuar se nuk janë të sakta pretendimet se vdekshmëria në Kardiologji është rritur që nga emërimi i tij si drejtor, por, siç tha ai, ka një tendencë të uljes së vdekjeve.

Sipas tij, ky është një sulm i orkestruar për të shkatërruar kardiokirurgjinë shtetërore, ndërsa mohoi se janë edhe 170 pacientë fantazmë.

 “I bëj thirrje institucioneve që të reagojnë sa më shpejt. Po ashtu, ministri i Shëndetësisë ka shkarkuar edhe koordinatoren për zhvillimin e kirurgjisë kardiovaskulare në Ministrinë e Shëndetësisë, Aleksandra Eftimova. Në të njëjtën kohë, ai i ndërpreu kontratën koordinatores së transplantit të zemrës në Ministri. Prandaj na lindi pyetja se a është sulm i orkestruar ndaj kardiokirurgjisë shtetërore, pra sulm ndaj shëndetit publik. Cila është nevoja e ministrit në largim për të bërë një përçarje të tillë në një histori suksesi? Kujt i leverdis kjo?, pyeti ai publikisht.

 Sipas tij, anëtarët e komisionit të emëruar nga ministri për të analizuar punën e Klinikës dhe për të interpretuar shifrat janë mjekë që nuk kanë kontakt me pacientët e kardiokirurgjisë dhe as përvojë praktike në kardiokirurgji.

“Madje, një nga anëtarët e komisionit ka qenë kandidat për drejtor të klinikës sonë gjashtë muaj më parë, gjë që vë në pikëpyetje objektivitetin e tij. Për të kujtuar ata që dinë dhe për të informuar ata që nuk dinë, ekziston një shkencë në mjekësi që quhet statistika mjekësore, përgjegjëse për përpunimin statistikor të të dhënave dhe është e vetmja fushë relevante në mjekësi që mund dhe duhet të japë përqindjet”, nënvizoi Shokarovski. duke theksuar se nuk është e vërtetë që vdekshmëria është rritur që kur ai është emëruar si drejtor. 

Së dyti, ndoshta edhe më domethënëse, theksoi ai, ka një trend të uljes së vdekshmërisë gjatë këtyre muajve.

"Pesë muajt e fundit tregojnë se vdekshmëria është më e ulët se sa parashikohet, jemi më mirë se sa pritet", theksoi Shokarovski.

Për më tepër, tha ai, ka dalë informacion për gjoja 170 pacientë fantazmë që nuk ekzistojnë në sistem.

“Ne e mohojmë me forcë këtë të pavërtetë. Në fakt, analizat tona në sisitemin “Termini im”, treguan se kishte një gabim teknik në transmetimin e informacionit nga programi softuerik që përdorim për të dhënat e pacientëve në “Termini im”. Për një pjesë të pacientëve të trajtuar në klinikën tonë, listat e daljes nga spitali nuk janë transferuar në sisitemin “Termini im” për shkak të një defekti softuerik. Kjo nuk do të thotë që këta pacientë janë të fshehur, apo fantazmë apo të fshirë, siç pretendon ministri. Ata të gjithë kanë dokumentacion të rregullt, të detajuar të daljes nga spitali, të cilat sigurisht mund të kontrollohen. Gjithashtu, problemi është në një periudhë që është shumë më e gjatë se mandati im si drejtor dhe në fakt ekziston shumë kohë përpara se të emërohesha”, tha ai

Njëkohësisht ai theksoi se kjo klinikë ka një staf që me vetëmohim lufton për çdo pacient.

“Klinika jonë është i vetmi vend ku kryhen disa procedura të larta kardiokirurgjike, përfshirë transplantin e zemrës, për të cilin të gjithë duhet të jemi krenarë. Dhe duke folur për statistikat, shkalla e mbijetesës është më e mirë se mesatarja botërore. Disa forca tinzare duan ta nënçmojnë dhe ta shuajnë këtë përparim”, theksoi Shokarovski.

 Në vitet e kaluara, tha ai, në këtë klinikë, së bashku me fakultetin e mjekësisë në Shkup, janë shkolluar katër specialistë të kardiokirurgjisë, të cilët sot në mënyrë të pavarur e kryejnë pothuajse të gjithë gamën e operacioneve kardiokirurgjike së bashku me anesteziologë dhe stafin intermediar mjekësor, ata janë të trajnuar për procedurat më komplekse që kryhen vetëm në këtë spital.

 “Shumë segmente të shëndetit publik dhe arsimit janë prekur nga zhvillimet e fundit. U bëjmë thirrje institucioneve, fakultetit të mjekësisë, ministrisë së shëndetësisë dhe arsimit të reagojnë. Dhe në fund të fundit, ne besojmë në institucionet e shtetit. Gjithashtu kërkojmë që të gjitha diplomat të auditohen, duke filluar nga klinika jonë. Le t'i japim fund një herë e mirë vetëpromovimit të ekspertëve të mjekësisë kardiovaskulare”, tha ai.

 Opinionit publik ia kemi borxh të vërtetën dhe ekspertizën dhe për këtë arsye do të vazhdojmë të kryejmë me përgjegjësi veprimtarinë për të cilën jemi edukuar dhe për të cilën qytetarët kanë nevojë për ne, tha Shokarovski.

I pyetur nëse pret kushte më të mira pune nga ministri i ri i Shëndetësisë, ai tha se po, si dhe politika më të mira në kirurgjinë kardiovaskulare.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR