• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shenja kulturore e Kinës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ndikimi i saj

Shenja kulturore e Kinës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ndikimi i saj

Shkup, 11 gusht 2024 (MIA) - Në vitet e fundit, ndikimi kinez në Maqedoninë e Veriut është rritur ndjeshëm, kryesisht përmes përdorimit të "fuqisë së butë". Kjo strategji nuk përfshin investime të mëdha kineze, por, megjithatë, perceptimi pozitiv i qytetarëve maqedonas për Kinën, sipas anketës së IRI, po rritet. Fuqia e butë manifestohet përmes bashkëpunimit kulturor dhe arsimor, të cilat forcojnë dukshmërinë e kulturës kineze në Maqedoni dhe anasjelltas, duke thelluar lidhjet kulturore midis dy shteteve.

Faktori kryesor në promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze në vendin tonë është Instituti Konfucij në Universitetin “Sh. Qirili dhe Metodi” në Shkup. Ky Institut ka shërbyer që nga viti 2013 si platformë për dialog akademik dhe bashkëpunim ndërkulturor dhe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kinës.

Këto institute, të cilat janë të përhapura në të gjithë botën, janë një nga mjetet përmes të cilave Republika Popullore e Kinës pozicionon diplomacinë e saj kulturore, e cila është gjithashtu element i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Autori Muhamed Jashari në punimin akademik "Prania e diplomacisë publike kineze dhe ruse në Maqedoninë e Veriut: Studim rasti – Instituti Konfucij dhe Fondi Rus i Paqes" thekson se diplomacia kulturore është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e ndërveprimeve bashkëkohore globale.

 

Sipas tij, një komunikim i tillë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm me qëllim të promovimit të shkëmbimit kulturor dhe madje edhe arsimor si pjesë e diplomacisë publike, e cila është pothuajse e integruar në aktivitete gjithëpërfshirëse shtetërore me qëllim të krijimit dhe forcimit të imazhit publik të vendeve të tyre.

Instituti Konfucij, siç shprehet ai, forcon kapacitetin e shtetit kinez për të vendosur fuqi të butë dhe për të projektuar identitet kombëtar paqësor në botë, duke ndihmuar Kinën të menaxhojë pasigurinë dhe opinionin publik ndërkombëtar në funksion të rritjes së saj në një botë në ndryshim.

Instituti Konfucij në UQM ofron kurse falas të gjuhës kineze duke filluar nga parashkollorët deri tek të rriturit, duke përfshirë studentë dhe profesionistë nga kompani të ndryshme. Përveç kësaj, Kina ofron bursa për studentët maqedonas për më shumë se 20 vjet, e herë pas here Ministria kineze e Tregtisë ose Instituti Konfucij ofrojnë mundësi shtesë për të studiuar ose udhëtuar në Kinë.

Profesori Dr. Liao Vej, drejtor kinez i Institutit Konfucij në Universitetin Shën Qirili dhe Metodi në Shkup, shprehet se përmes mundësive të ofruara nga Instituti ata po përpiqen të familjarizojnë shoqërinë tonë me aftësitë tradicionale kineze.

"Instituti organizon shumë ngjarje, duke përfshirë festimet e disa festave tradicionale kineze, të tilla si Viti i Ri Kinez, Festivali i anijeve të dragoit dhe të tjera. Përmes veprimtarive tona, ne prezantojmë aftësitë tradicionale kineze, duke përfshirë kaligrafinë dhe prerjen e letrës", shprehet ai.

Institutet Konfucij funksionojnë në bazë të marrëdhënies së partneritetit, kur një institucion nga shteti është në marrëdhënie partneriteti me ndonjë institucion nga Kina.

Vllatko Stoillkov, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive të Informacionit në UQM dhe drejtor maqedonas i Institutit Konfucij në UQM, shprehet se institucioni ynë partner është Universiteti i Kinës Jugperëndimore për Ekonomi dhe Financa në qytetin Çeng Lu. Ai shton se ata kanë marrëveshje me disa komuna dhe organizojnë klasa për mësimin e gjuhës kineze dhe mësimin e disa aftësive kineze në disa qytete.

"Aktualisht i kemi Probishtipin, Manastirin, Prilepin, Makedonski Brodin dhe Vevçanin dhe Komunën e Karposhit me të cilën kemi vendosur bashkëpunim shumë të fortë dhe mbajmë kurse të gjuhës kineze në shkollat fillore në komunën e Karposhit. Numri i nxënësve aktualisht është mbi 1.000, vitin e kaluar arritëm në 1.500, këtë vit jemi diku mbi 1.000, shumica e të cilëve janë fëmijë në arsimin fillor të cilët pritet të përparojnë më tej në mësimin e gjuhës kineze dhe sigurisht do të kontribuojnë në bashkëpunimin e përgjithshëm të vendit tonë me Republikën Popullore të Kinës", shprehet Stoillkovi.

Marrëveshjet e bashkëpunimit dhe “qytetet binjake” pjesë e bashkëpunimit kulturor

Përmes lidhjeve akademike, marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet lokale, të ashtuquajturat qytete binjake, Kina investon në bashkëpunimin dypalësh me Maqedoninë e Veriut.

Disa nga këto bashkëpunime janë shndërruar në marrëveshje të formalizuara siç është Marrëveshja midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës (e lidhur në vitin 1995 në Pekin) dhe programet ekzekutive midis ministrive të kulturës.

Këto dokumente dypalëshe modelojnë një kornizë ligjore formale që lejon institucionet, ansamblet, artistët dhe subjektet e tjera kulturore nga të dy vendet të lidhen, të përdorin burimet në dispozicion të tyre dhe të zbatojnë projekte reciproke ose iniciativa të përbashkëta.

"Bashkëpunimi kulturor midis dy vendeve në përgjithësi zbatohet për të gjitha aktivitetet në fushën e kulturës, letërsisë dhe botimit, muzikës dhe skenës, galerisë dhe arteve të bukura, dramës, etj", shprehen nga Ministria e Kulturës.

Të gjitha këto aktivitete, sipas tyre, shërbejnë për thellimin e bashkëpunimit kulturor midis dy vendeve dhe përfitojnë në njoftimin , promovimin dhe afirmimin e të dy kulturave në kontekstin ndërkombëtar.

Ana Kristinovska, presidente e Estima dhe drejtuese e platformës Western Balkans China policy team, në këtë pjesë e thekson bashkëpunimin intensiv në nivelin e qyteteve binjake.

"Nga ana jonë, Ministria e Kulturës është faktori kryesor në bashkëpunim, por vitet e fundit kemi parë një bashkëpunim kulturor mjaft intensiv në nivelin e qyteteve binjake. Nga pala maqedonase, Shkupi, Manastiri, Ohri, Koçana dhe Prilepi janë qytete që kanë qytete binjake në Kinë. Pra, në nivelin e partneriteteve lokale, patëm mundësi të shohim manifestime dhe përpjekje të ndryshme për të vendosur bashkëpunim kulturor", shprehet ajo.

Interesante, siç thuhet në hulumtimin "Ndikimi kinez në procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE: sinergji dhe pengesa", megjithëse ka marrëveshje dypalëshe dhe mundësi në rritje për studimin e gjuhës dhe kulturës kineze si në universitete ashtu edhe në arsimin joformal, të gjitha ato krijohen dhe/ose financohen nga subjektet kineze. Vendet e Ballkanit

Perëndimor nuk kanë studime autoktone kineze, as nuk kanë zhvilluar vetëdijen se një aktivitet i tillë kërkimor duhet të zhvillohet dhe mbështetet me mjete të brendshme për të siguruar pavarësinë dhe qëndrueshmërinë.

Derisa në hulumtimin "Kuptimi i veglave, narrativave dhe ndikimit të 'fuqisë së butë' kineze në Maqedoninë e Veriut" shprehet se shumica e ngjarjeve kulturore janë të përqendruara tematikisht në kulturën tradicionale kineze, kultura bashkëkohore kineze mbetet e papërfaqësuar sa duhet. Ky është edhe rasti kur bëhet fjalë për përkthimin e librave në maqedonisht, një aktivitet që ka marrë vrull në vitet e fundit.

Përfitimi i bashkëpunimit kulturor është i shumëanshëm

Bashkëpunimi aktual i Maqedonisë së Veriut dhe Kinës në fushat e kulturës dhe arsimit ka rezultuar në disa projekte dhe iniciativa që, sipas Ministrisë së Kulturës, kanë pasur përfitime të konsiderueshme në kontekstin e promovimit efektiv dhe dukshmërisë së kulturës maqedonase në Republikën Popullore të Kinës dhe thellimit të lidhjeve kulturore midis dy shteteve.

Nga ana tjetër, sipas Kristinovskës, bashkëpunimi kulturor sjell përfitime kryesisht për vendin që e promovon.

"Bashkëpunimi kulturor kryesisht sjell përfitime për palën që e promovon. Në këtë kontekst, kur Kina promovon bashkëpunimin kulturor si pjesë e përpjekjeve për të forcuar fuqinë e saj të butë, ajo kryesisht sjell përfitime në forcimin e ndikimit të Kinës në vendin tonë. Nga ana tjetër, përmes ngjarjeve kulturore dhe bashkëpunimit kulturor, ne si vend mund ta kuptojmë më mirë Kinën, kulturën, traditën, sistemin politik dhe ekonomik të saj, sepse bëhet fjalë për aspekte që janë shumë të ndryshme në Kinë sesa në botën perëndimore dhe kështu të shohim nëse dhe në çfarë mënyre mund të bashkëpunojmë me Kinën", shprehet ajo.

Profesori Stoilkov konsideron se përfitimi i Maqedonisë nga ndikimi i Kinës në fushën e kulturës është i shumëanshëm dhe potencon se njohja e gjuhës dhe kulturës kineze mund të jetë kontribut i madh.

"Njohuria e gjuhës për çdo individ, veçanërisht e interesuar në sektorin e biznesit, mund të jetë kontribut i madh. Përveç kësaj, është normale që njohja e kulturës dhe traditave kineze dhe shkëmbimi i ndërsjellë i përvojave në këtë drejtim është me interes të veçantë për të gjitha palët, dhe sigurisht për ne sepse misioni ynë është pikërisht ai, studimi i gjuhës kineze dhe kulturës kineze në kuadër të Maqedonisë", shprehet ai.

Sa i përket përparësive për Kinën, për profesorin Liao, kjo është promovim i komunikimit midis vendeve dhe njerëzve. Më shumë qytetarë maqedonas marrin informacion për Kinën dhe anasjelltas.

Përmes "fuqisë së butë" deri te perceptimet pozitive

Ky perceptim pozitiv për Kinën është rritur në vitet e fundit, tregon hulumtimi i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), në të cilën Kina renditet e treta midis 17 vendeve në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Kristinovska pajtohet se perceptimi pozitiv i Kinës në vendin tonë po rritet, megjithatë, ajo vlerëson se pamja e përgjithshme përkeqësohet.

"Për dallim nga vendi ynë, në shumicën e vendeve perëndimore, kryesisht demokracitë e zhvilluara, perceptimi për Kinën po përkeqësohet si rezultat i tensioneve që fillimisht filluan midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, e më pas u përhapën në shumicën e vendeve të zhvilluara, madje edhe në nivelin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Bashkimit Evropian. Megjithatë, Kina, paralelisht me rritjen e saj ekonomike, është kryesisht e angazhuar për të forcuar ndikimin dhe praninë, respektivisht fuqinë e butë në vende të ndryshme të botës, e kjo po jep rezultate konkrete", shprehet ajo.

Një nga ato rezultate konkrete është Indeksi global i fuqisë së butë, ku Kina në vitin 2024 arriti të ngjitet në vendin e 3-të pas Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të tejkalojë Japoninë dhe Gjermaninë.

Fuqia e butë e Kinës në Maqedoninë e Veriut ka ndikim në aspekte të ndryshme të shoqërisë dhe ekonomisë. Përmes mjeteve të tilla si diplomacia kulturore dhe programet arsimore, Kina po fillon ndryshime pozitive në perceptimet e qytetarëve. Këto iniciativa ndihmojnë në ndërtimin e urave midis dy vendeve, duke promovuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. Megjithatë, ndërsa perceptimi po ndryshon, është gjithashtu e rëndësishme të merren parasysh rreziqet dhe sfidat e mundshme që vijnë me këtë formë të ndikimit. Është e nevojshme të monitorohet nga afër se si këto ndryshime ndikojnë në kulturën dhe ekonominë lokale dhe të sigurohet që përfitimet të jenë të qëndrueshme dhe të balancuara. Vetëm përmes menaxhimit të kujdesshëm dhe kuptimit të këtyre aspekteve mund të sigurohet që fuqia e butë e Kinës do të vazhdojë të ketë ndikim pozitiv në Maqedoninë e Veriut.

Angella Rajçevska

Foto: Instituti Facebook „Konfucij“ në UQM

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR