• e enjte, 27 mars 2025

SHBA-ja ndërmjetëson në bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës për armëpushim

SHBA-ja ndërmjetëson në bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës për armëpushim

Riad, 24 mars 2025 (MIA) - Ndërmjetësuesit amerikanë sot do të zhvillojnë bisedime të veçanta me ekipet ruse dhe ukrainase në Arabinë Saudite, ndërsa Uashingtoni përpiqet të ndërmjetësojë për një armëpushim të kufizuar pas më shumë se tre vjet lufte.

Siç raporton DPA, i dërgurai special amerikan për Ukrainën, Kith Kellog, i ka përshkruar bisedimet indirekte si "diplomaci lundruese", ku delegacioni amerikan lëviz mes dy palëve teksa takohen në "ambiente të ndara”.

"Ju në thelb thoni, "Mirë. Cilat janë kushtet tuaja? Dhe shkoni në anën tjetër, "Cilat janë kushtet tuaja?", i tha Kellog komentuesit konservator Glen Bek në një intervistë fundjavën e kaluar.

Përpara takimit trepalësh, përfaqësuesit ukrainas dje u takuan me delegacionin amerikan për një raund preliminar bisedimesh në kryeqytetin saudit Riad.

Fokusi kryesor i negociatave është të sigurohet përfundimi i sulmeve ndaj objekteve energjetike. Edhe Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord në parim për këtë armëpushim të pjesshëm, por ai ende nuk është zbatuar.

SHBA-ja, gjithashtu, po kryen presion për vazhdimin e armëpushimit në rutat e anijeve në Detin e Zi.

"Mendoj se të hënën do të shihni përparim të vërtetë në Arabinë Saudite, veçanërisht pasi kjo ndikon në armëpushimin në Detin e Zi ... nga kjo, natyrisht do të gravitoni drejt një armëpushimi të plotë", deklaroi dje për Foks njuz, Stiv Vitkof, një tjetër përfaqësues special i SHBA-së.

Presidenti amerikan Donald Tramp, i cili paradokohe foli me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski dhe presidentin rus Vladimir Putin, vazhdon të shprehë optimizëm për një fund të shpejtë të luftës.

Zelenski miratoi planin e Trampit për një armëpushim gjithëpërfshirës 30-ditor. Megjithatë, Putini vendosi disa parakushte, duke përfshirë edhe kërkesën që Perëndimi të ndërpresë të gjithë ndihmën ushtarake për Kievin.

Delegacioni i SHBA-së në Arabinë Saudite do të përfshijë më shumë ekipe, me Kellog dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare të SHBA-së, Majk Volc. 

Në Arabinë Saudite udhëton gjithashtu kryenegociatori ukrainas, Andrij Jermak, ndërsa Rusia do të përfaqësohet nga diplomati i karrierës Grigorij Karasin dhe Sergej Beseda, oficer i lartë i inteligjencës dhe njeri i afërt i besuar i Putinit. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR