Eurokomisioni ka përgatitur ekipe për përballje me zjarret në Evropë këtë verë
- Komisioni Evropian formon ekipe të zjarrfikësve dhe aeroplanëve për shuarjen e zjarreve, si masë parandaluese për shkak të rrezikut të shtuar nga stuhitë e zjarrit gjatë muajve të ardhshëm verorë dhe për ndihmën e vendeve evropiane të goditura nga zjarret.
- Post By Fami Bajrami
- 13:37, 26 maj, 2025
Bruksel, 26 maj 2025 (MIA) - Komisioni Evropian formon ekipe të zjarrfikësve dhe aeroplanëve për shuarjen e zjarreve, si masë parandaluese për shkak të rrezikut të shtuar nga stuhitë e zjarrit gjatë muajve të ardhshëm verorë dhe për ndihmën e vendeve evropiane të goditura nga zjarret.
Me rastin e këtij vendimi, eurokomisarja për barazi, gatishmëri dhe përballje me krizat, Haxha Labib, deklaroi se formimi i grupeve është dëshmi se BE-ja ofron mbështetje në përballjen e zjarreve, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
"Nxehtësitë ekstreme dhe zjarret në Europë, për fat të keq, janë bërë normaliteti i ri. I falenderoj të gjitha vendet të cilat punojnë së bashku për ta bërë Evropën më të sigurt në këto kushte të këtij realiteti të ndryshueshëm", shtoi Labib.
Ekipet e mbështetjes së shpejtë për brigadat lokale të zjarrfikësve, të cilat do të jenë aktive gjatë korrikut dhe gushtit, do të përbëhen nga gjithsej 650 zjarrfikës nga 14 vende evropiane, të cilët do të jenë strategjikisht të stacionuar në vende kyçe me rrezik të lartë për zjarre në Francë, Greqi, Portugali dhe Spanjë.
Në mënyrë shtesë, ekipeve do t'iu jenë gjithashtu në dispozicion 22 aeroplanë kundër zjarrit dhe katër helikopterë të stacionuar në 10 vende anëtare të BE-së të cilët do të jenë të gatshëm të ndërhyjnë në rast nevoje.
Sipas planit, në Francë do të jenë katër aeroplan dhe një helikopter në nivelin e gatishmërisë, në Greqi dhe Suedi katër aeroplanë, në Itali, Qipro, Portugali, Kroaci dhe Spanjë me nga dy aeroplanë, në Çeki dy helikopterë dhe në Sllovaki një helikopter.
Përveç kësaj, në rezervë do të jenë edhe 19 ekipe tokësore për shuarjen e zjarreve me nga rreth 30 zjarrfikës, si dhe një ekip konsultues dhe vlerësues.
Ekipet do të koordinohen dhe do të financohen me bashkëfinancim përmes Mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së.
"Kjo qasje proaktive konfirmon angazhimin e BE-së për të mbetur një hap përpara katastrofave, duke përfshirë ato të shkaktuara nga ndryshimet klimatike dhe për të bashkuar forcat për mbrojtjen e jetëve, shtëpive dhe mjedisit jetësor", kumtoi Komisioni Evropian. rq/
Foto: arkivi i MIA-s