SHBA-ja e mbështet idenë që Kosova të kyçet në Partneriteti n për paqe, por fillimisht kërkon arritje të stabilitetit
- SHBA-ja dëshiron të shohë progres në procesin e dialogut në mënyrë që të angazhohen në anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Partneritetin për paqe. Ambasadorja amerikane në NATO, Xhulien Smith ka porositur se Uashingtoni e vlerëson interesimin e Kosovës që të anëtarësohet në Partneritetin për paqe, por ka nënvizuar se janë të nevojshme rezultatet në dialog.
- Post By Melahat Baftija
- 21:45, 16 tetor, 2024
Uashington, 16 tetor 2024 (MIA) - SHBA-ja dëshiron të shohë progres në procesin e dialogut në mënyrë që të angazhohen në anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Partneritetin për paqe.
Ambasadorja amerikane në NATO, Xhulien Smith ka porositur se Uashingtoni e vlerëson interesimin e Kosovës që të anëtarësohet në Partneritetin për paqe, por ka nënvizuar se janë të nevojshme rezultatet në dialog.
"Miqtë tanë në Kosovë gjithashtu na kanë dëgjuar kur e kemi thënë qartë dhe me zë të lartë se ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është diçka që si aleatët e NATO-s ashtu edhe vendet anëtare të BE-së e mbështesin fuqishëm. Ata e kanë përkushtimin tonë të plotë për të qëndruar të angazhuar në rajon dhe ne do të bëjmë çfarë mundemi për t'i ndihmuar atyre që të sjellin stabilitet më të madh në rajon. Dhe pak nga pak, ndërsa ne punojmë drejt qëllimeve të përshkruara në atë dialog, do të mund të marrim në konsiderim çështjen e Partneritetit për paqe. Por për momentin, fokusi është që rajoni të ketë më shumë stabilitet dhe të shohim përparim në dialog të udhëhequr nga BE", ka deklaruar Smith në një konferencë me gazetarë.
Nga 32 anëtare sa numëron NATO, 4 nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa për pranimin e një vendi në Partneritet për paqe është i nevojshëm konsensusi i të gjitha shteteve anëtare të NATO-s.
Partneriteti për paqe, ndryshe është program i NATO-s për të nxitur besimin dhe bashkëpunimin midis aleancës dhe vendeve jo anëtare.
Anëtarësimi në këtë program shërben si paradhomë drejt anëtarësimit të plotë në aleancën veriatlantike. mb/