Rama: Jemi krenarë që i shërbejmë Italisë, nëse marrëveshja për emigrantët është gabim ai është gabim i bërë me zemër
- - Jam krenar për Shqipërinë e cila mund t'i shërbejë Italisë, e cila shumë herë ishte në shërbim të vendit tonë. Nëse kemi mundësi t'i shërbejmë, atëherë ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta bëjmë këtë me zemër dhe me bindje se deti mes Italisë dhe Shqipërisë nuk është hapësirë e cila na ndan, por na bashkon, deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama në konferencën e përbashkët për media me homologen e tij italiane Xhorxha Meloni, e cila sot është për vizitë në qendrat e pranimit për emigrantë në Shqipëri.
- Post By Fitore Curri
- 16:00, 5 qershor, 2024
Tiranë, 5 qershor 2024 (MIA) - Jam krenar për Shqipërinë e cila mund t'i shërbejë Italisë, e cila shumë herë ishte në shërbim të vendit tonë. Nëse kemi mundësi t'i shërbejmë, atëherë ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta bëjmë këtë me zemër dhe me bindje se deti mes Italisë dhe Shqipërisë nuk është hapësirë e cila na ndan, por na bashkon, deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama në konferencën e përbashkët për media me homologen e tij italiane Xhorxha Meloni, e cila sot është për vizitë në qendrat e pranimit për emigrantë në Shqipëri.
Nga Shëngjini, ku është qendra e pranimit për emigrantët, Rama shtoi se Italia është "përfaqësuese e jona në Bruksel, ndërsa që ta kemi nderin të jemi të dobishëm sot është diçka që e shohim si bekim".
"Për ne, ngjyra e forcave politike që qeverisin Italinë nuk është e rëndësishme këtu. Miqtë e mi në të majtën italiane duhet ta kuptojnë këtë. Qeveria italiane ka qenë dhe do të jetë qeveria e një vendi që na lidh me një miqësi shumë të veçantë dhe një aleancë strategjike që duam ta forcojmë. Nëse qeveria italiane bën një gabim, ne marrim pjesë në atë gabim, pa asnjë hezitim", tha Rama.
Kryeministrja Meloni, duke shprehur mirënjohjen e madhe për Ramën për mbështetjen e tij të sinqertë në trajtimin e emigrantëve, njoftoi se qendrat do të fillojnë të funksionojnë nga data 1 gusht, duke vlerësuar se po hapet një fazë e re për menaxhimin e fluksit të emigrantëve dhe "marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë, si shembull duhet të marrim BE-në".
"Ka pasur komente edhe për kohën e ndërtimit të qendrave, ndërsa na kanë akuzuar se kemi përgatitur një qendër si Guantanamo dhe më pas na kritikuan se jemi vonuar. Jam e bindur se gjërat do të zgjidhen. Një fazë e re është hapur për menaxhimin e fluksit të emigrantëve. Mund të shërbejë si shembull për vendet e tjera. Ne duam të lëmë gjithçka pas dhe t'u themi se do ta bëjmë me sukses. Vonesa prej dy muajsh është për shkak të terrenit disi të vështirë në Gjadër, por këto qendra do të jenë në shërbim të problemit që vazhdon që nga viti 1991", tha mes tjerash Meloni.
Kryeministri Rama i indinjuar dukshëm nga historitë e fundit hulumtuese të RAI3 ku Shqipëria paraqitet si shtet droge me përfshirjen e zyrtarëve më të lartë, tha se në mediat italiane po thuhen vetëm gjysmë të vërteta për Shqipërinë me të vetmin qëllim për të sulmuar marrëveshjen e emigracionit, duke shtuar se në vendin e tij nuk ekzistojnë klane kriminale, siç duan ta portretizojnë mediat italiane.
Në mbrojtjen e tij edhe Meloni theksoi se "Rama nuk bëri asgjë përveç se na ndihmoi, kjo është fushatë kundër tij, për denigrim të tij".
Meloni në mesditë mbërriti në aeroportin në Tiranë, ku ishte pritur nga zëvendëskryeministrja Belinda Baluku, pas çka me helikopter e vazhdoi rrugën për Shëngjin, ku bashkë me Ramën e vizituan qendrën e pranimit ku punët kanë përfunduar plotësisht, ndërsa pastaj edhe qendrën e pranimit në Gjadër.
Pasi mbërriti në Shëngjin, Meloni ishte pritur me protestë të një grupi të qytetarëve të cilët kundërshtojnë ngritjen e qendrave, të cilët mbanin pankarta në të cilën shkruante prilli 1939 (dita e okupimit italian të Shqipërisë) dhe disa fjalë të thëna nga Musolini. Ata ishin arrestuar nga policia. fc/