• e hënë, 23 dhjetor 2024

QSHP: Maturës shtetërore do t’i nënshtrohen 15.620 nxënës

QSHP: Maturës shtetërore do t’i nënshtrohen 15.620 nxënës

Shkup, 26 maj 2023 (MIA) - Këtë vit shkollor për maturën shtetërore janë paraqitur 15.620 nxënës. Prej tyre, 6.750 nga arsimi i mesëm, 8.598 nga arsimi i mesëm profesional dhe 272 nga arsimi i mesëm i artit, informojnë nga Qendra Shtetërore për Provime (QSHP). 

Konform konceptit për maturën dhe provimin përfundimtar në arsimin e mesëm me kohëzgjatje katërvjeçare, nxënësit kanë dy lëndë eksterne, dy interne dhe detyrë projektuese. Provimi i detyrueshëm për të gjithë është gjuha amtare. 

Lënda e parë eksterne, pra gjuha amtare realizohet nesër.

Gjuhë maqedonase dhe literaturë do t'i nënshtrohen 10.768 kandidatë, gjuhë shqipe dhe literaturë 4.380, ndërsa 357 në gjuhën turke dhe literaturë. 

Më 10 qershor në të gjitha shkollat ​​e mesme do të jepet lënda e dytë eksterne. Maturantët nga shkolla e mesme dhe nga arsimi i mesëm profesional zgjedhin midis gjuhës së huaj dhe matematikës, nga shkollat ​​e muzikës midis estetikës dhe gjuhës së huaj, ndërsa nga shkolla e mesme e artit midis filozofisë dhe gjuhës së huaj.

"Ashtu si çdo vit edhe këtë vit provimin e gjuhës angleze e zgjodhën më së shumti maturantë, 13.922. Numri i kandidatëve që aplikuan për gjuhët e tjera të huaja është shumë më i vogël. Në gjuhën frënge maturës do t’i nënshtrohen 29 kandidatë, 122 gjuhës gjermane dhe vetëm 17 gjuhës ruse. Matematikës këtë vit do t’i nënshtrohen 1.397 kandidatë, në Filozofi 7 dhe Estetikë 81", njoftojnë nga QSHP-ja.

Nga atje theksojnë se materiali i provimit dorëzohet në shkolla dhe kthehet në QSHP në të njëjtën ditë kur mbahet provimi. Të gjitha provimet fillojnë në orën 10.

"Në procesin e realizimit të maturës në shkolla janë angazhuar 2.107 mësimdhënës si testues dhe rreth 200 vëzhgues nga më shumë institucione arsimore. Të gjithë maturantëve u urojmë që me sukses të kalojnë provimet", thuhet në njoftimin e QSHP-së. qa/

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR