• e premte, 05 dhjetor 2025

Publikohet pasuria e politikanëve grekë

Publikohet pasuria e politikanëve grekë

 Athinë, 29 shtator 2025 (MIA) - Gjendja pronësore me të ardhurat vjetore. aksionet dhe obligacionet, depozitat, pasuritë e patundshme etj, të kryeministrit grek, liderëve të partive, deputetëve dhe eurodeputetëve, kryetarëve të komunave dhe prefektëve, sot u publikuan në faqen zyrtare të Parlamentit Grek, siç është praktikë në Greqi, dhe kanë të bëjnë me vitet financiare 2022 dhe 2023, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

 Kryeministri i Greqisë në vitin 2023 ka deklaruar të ardhura vjetore prej 70.456 euro, aksione dhe obligacione prej 508.859 euro dhe 20.479 dollarë, depozita prej 110.668 euro dhe 445 dollarë, 26 prona në Kretë, Ishujt Kiklade dhe në Janinë, dy automjete, një pjesëmarrje në një kompani, si dhe një kredi prej 160.560 euro.

 Sipas mediave greke, më i pasuri midis liderëve të partive politike (edhe pse partia e tij Lëvizja për Demokraci nuk është pjesë e parlamentit) është Stefanos Kaselakis, ndërsa më i varfëri është lideri i partisë Fitore Dimitris Nacios.

Ish-kryetari i SYRIZA-s Kaselakis ka deklaruar të ardhura prej 1,75 milionë dollarë, me aksione me vlerë 3,77 milionë dollarë dhe depozita me vlerë 32.287 dollarë (dollarë dhe euro), zotëron tre prona në Speces, në Athinë dhe SHBA, si dhe një automjet, dhe paralelisht ka pjesëmarrje në dy kompani, si dhe kredi për katër kompani të huaja në një shumë të përgjithshme prej 1,65 milionë dollarë. 

 Kryetari i partisë Fitore, Nacios, ka deklaruar të ardhura vjetore prej 22.632 euro, një depozitë prej 1,978 euro, pesë prona në Pieria dhe Kilkis, një automjet dhe kredi prej 107.841 euro.

Të ardhurat e kryetarit të partisë kryesore opozitare PASOK, Nikos Androulakis, arrijnë në 128.610 euro, ka depozita prej 1.076.358 euro, ka 16 prona dhe një automjet, si dhe pjesëmarrje në dy kompani. 

 Siç njoftuan nga Parlamenti grek, deklaratat e pasurisë janë publikuar të paaudituara, ashtu siç janë dorëzuar, dhe kanë të bëjnë me deputetë, eurodeputetë, zyrtarë financiarë të partive politike, kryetarë të komunave dhe prefektë, si dhe bashkëshortë/e ose persona me të cilët të lartpërmendurit kanë lidhur një marrëveshje bashkëjetese, për vitet 2023 dhe 2024 (domethënë për vitet financiare 2022 dhe 2023).

Për vitin 2023, janë dorëzuar 260 deklarata fillestare dhe 1.325 deklarata vjetore, dhe për vitin 2024, 275 deklarata fillestare dhe 1.546 deklarata vjetore. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR