• e premte, 22 nëntor 2024

Pse studentët nga Maqedonia e Veriut zgjedhin gjithnjë e më shumë universitetet e huaja?

Pse studentët nga Maqedonia e Veriut zgjedhin gjithnjë e më shumë universitetet e huaja?

Shkup, 7 qershor 2024 (MIA) - Pamje e njohur në stacionin ndërkombëtar të autobusëve në Shkup: Të rinj nga Maqedonia e Veriut duke përshëndetur familjet e tyre, hipin në autobusë (më të pasurit udhëtojnë me aeroplanë) drejt destinacioneve si Lubjana, Sofja, Zagrebi... Trendi i studimi jashtë vendit po rritet vazhdimisht.

Çfarë i bën këto mendje të reja të kërkojnë arsimim jashtë atdheut të tyre?

Një nga faktorët kryesorë është cilësia e arsimit. Sipas rezultateve të PISA-s, Sllovenia vazhdimisht e tejkalon Maqedoninë e Veriut në letërsi, matematikë dhe shkencë. Shkollat ​​sllovene renditen dukshëm më lart, duke u ofruar studentëve një mjedis akademik më të fortë. Për studentët ambiciozë këtu, premtimi për një arsim më të mirë është një motivues i fortë.

Megjithatë, bisedat me studentët e ardhshëm dhe aktualë konfirmojnë faktin se një nga arsyet kryesore është gjendja ekonomike. Në Maqedoninë e Veriut, ka një shkallë të lartë të papunësisë tek të rinjtë dhe mundësi të kufizuara për punë. Shumë të rinj kërkojnë kushte dhe paga më të mira jashtë vendit, ku universitetet ofrojnë më shumë praktika dhe mundësi pune. Kështu, ata mund të fitojnë përvojë të vlefshme dhe stabilitet financiar.

Ata janë e ardhmja jonë

Në një ambient plot me gjimnazistë, kur u pyetën “kush do të studiojë jashtë”, thuajse të gjithë ngritën dorën. Edhe pse janë ende të rinj që të zhgënjehen nga funksionimi i sistemit dhe institucioneve në vend, të ardhmen e tyre e shohin jashtë.

Në anketë thuajse të gjithë thonë se do të largohen nga këtu, edhe ata që tashmë kanë filluar studimet në vend. Nikolla, i cili në fund thotë se do të qëndrojë në Maqedoni, është e ardhmja jonë. Nëse duam që në vend të mbetet staf cilësor dhe i arsimuar, duhet të vëmë të gjitha forcat dhe përpjekjet tona tek ai dhe fëmijët si ai. Për t'u dëshmuar atyre se ne mundemi, dimë dhe duam që të jetë më mirë, që ai të jetë shembull për brezat e ardhshëm që mund të qëndrojnë këtu gjithnjë e më shumë.

Na zgjidhni ne

Studentët nga Maqedonia e Veriut jashtë vendit me të cilët biseduam në këtë rrëfim janë nga Sllovenia. Maribori, Koper, Lubjana janë shumë tërheqëse për studentët nga vendi në vitet e fundit. Barriera gjuhësore nuk është shumë problem, kostoja e jetesës dhe shkollimi janë relativisht të përballueshme në krahasim me Evropën Perëndimore ose SHBA-në, dhe nëse pyet prindërit, "është disi afër".

Famnit është universitet shtetëror në Koper për matematikë, shkenca natyrore dhe teknologji informacioni. Asnjë universitet shtetëror nga Maqedonia e Veriut nuk ka një video reklamë në internet që do të tërheqë studentët dhe do të tregojë se çfarë ka për të ofruar. Meqenëse gjithnjë e më shumë të rinj nuk e shohin të ardhmen e tyre këtu, do të ishte mirë që universitet tona t'i kushtonin më shumë vëmendje marketingut të tyre.

Studenti T.K. (emri i njohur për redaktorët), i cili studion në fakultetin e teknologjisë informatike në këtë universitet, thotë se dallimi kryesor me universitetet nga vendi është në raportin mes studentëve dhe profesorëve, sepse në Slloveni raporti është shumë më personal. Për më tepër, njohuritë praktike janë më të respektuara sesa njohuritë teorike. Nuk ka kuize, mësim përmendësh, përkufizime. Jo çdo gjë është bardh e zi për profesorët. Profesorët nuk përpiqen të “kapin dikë që nuk ka mësuar” por në çdo mënyrë duan të nxjerrin sa më shumë njohuri nga studenti. Ata përpiqen të ndihmojnë në çdo rast.

Iva Gjorgjievska, e cila studion për art në Slloveni, tregon edhe qëndrimin e profesorëve ndaj studentëve, por megjithatë shton se “varet nga individi në individ”.

Sipas T.K. vështirësia më e madhe është nevoja e përkatësisë diku. “Të gjithë duan të përkasin diku, në ndonjë shoqëri. Natyrisht, streset e para që përballet çdo student nga Maqedonia e Veriut janë intensive, por ato kalojnë dhe zgjidhen shpejt. Probleme të tilla janë, për shembull, jeta e pavarur, nevoja për të mësuar një gjuhë të re, gjetja e shoqërisë. Këto probleme janë ende sipërfaqësore në krahasim me nevojën njerëzore për të qenë pjesë e 'Shtëpisë'. Natyrisht, studentët tanë pranohen - pothuajse të gjithë që kam takuar, pavarësisht nëse janë sllovenë apo të huaj, i pranojnë maqedonasit, pa stereotipe dhe pritshmëri. Megjithatë, ata nuk janë aq të hapur sa janë me disa nga njerëzit e tyre. Do të thosha se një pjesë e madhe e studentëve përpiqen të integrohen, por kanë edhe disa vërejtje, të cilat më së shumti i referohen ushqimit, jetës së natës, orarit të punës. “Mendoj se konflikti më i madh vjen për sa i përket mënyrës sesi funksionojnë vende të ndryshme, jo kultura dhe sjellja e ndryshme e të rinjve”.

Vasil Hanxhiski, i cili studion në Maribor, i mungon edhe familja dhe miqtë e tij. Thotë se jeta në fillim është e vetmuar, por si çdo gjë edhe ajo kalon. Çdo person mësohet lehtësisht me një mjedis të mirë, përditshmëri funksionale, arsim cilësor dhe standarde evropiane të jetesës.

Në anën tjetër

Edhe pse donim të ndërhynim gazetarisht në deklaratën e saj, gjithsesi vendosëm t'ju përcjellim si burim historinë e nënës së një djali që studion jashtë vendit:

“Vendimi për të dërguar djalin tonë për të studiuar në Slloveni ishte çdo gjë tjetër veçse jo i lehtë. Ne kishim një 18-vjeçar, deri atëherë plotësisht të mbrojtur (ndoshta edhe më tepër se duhet), që nuk kishte shkuar kurrë në postë, nuk kishte vënë në punë kurrë një lavatriçe dhe që nuk kishte qenë kurrë kaq larg shtëpisë, vetëm. Por ne pamë tek ai një potencial që nuk u vlerësua shumë në Maqedoni - një talent vërtet i veçantë për matematikën dhe kompjuterin. Ishte dëshira e tij të studionte atje, ndaj e lamë.

Për sa i përket studimeve, ai i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë dhe pas pak muajsh do të diplomohet si një nga më të mirët në grupin e tij.

Por të mos gënjejmë, e ka të vështirë një nënë kur fëmija i saj nuk vjen për Pashkët. Ose kur të merr në telefon dhe të thotë se e ka goditur motorin... Ose thjesht kur thotë: “Jam pak i trishtuar, jam i vetmuar, e kam të vështirë...” Ti si nënë , fillon menjehere të mendosh skenaret më të zeza, kontrollon kur është fluturimi i parë për në Lubjanë, madje mendon të nisesh edhe në këmbë...Deri në telefonatën tjeter, kur do ta dëgjosh të qeshur, të gëzuar, të lumtur.

Jemi të sigurt se ai mori vendimin e duhur edhe pse duhet të them që angazhimi financiar doli të ishte paksa i madh për ne. Thonë se llogaria e bërë në shtëpi nuk del edhe në pazar, por ne nuk ankohemi, mundohemi ta përballojmë dhe kemi besim tek ai. Studimet në Slloveni janë vërtet falas dhe kanë shumë përfitime për studentët, si ushqimi i subvencionuar dhe transporti... Megjithatë, kostot e qirasë, shpenzimet e përgjithshme, ushqimi (ushqimet e subvencionuara ofrohen një herë në ditë/pesë herë në javë) janë të larta kur vendosim në konteks pagën maqedonase. Do të thosha se 7000-8000 euro në vit janë të nevojshme për të funksionuar, pa asnjë luks. Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë që ne besojmë se diploma e tij do të vlerësohet shpejt.

Dhe unë, si nënë, shpresoj vetëm që një ditë bileta vetëm për vajtjeje që bleu tre vjet më parë do të jetë edhe në kthim dhe ai do të kthehet në shtëpi, në vendin që do të vlerësojë njohuritë dhe aftësitë e tij (si dhe mijëra fëmijë të tjerë) dhe në vendin të cilin do ta ndihmojë që ajo të përparojë.

Vendi yt është vendi yt

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, numri i studentëve të regjistruar në shkollat dhe fakultetet e larta profesionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga dhjetë vjet më parë, deri në vitin e fundit akademik 2022/2023, është zvogëluar “vetëm” për pak më shumë se 5000 studentë. Studentët më të regjistruar ishin në vitin akademik 2015/2016, kur gati 60 mijë persona u bënë qytetarë akademikë.

Statistika për studentë universitarë

Studentët me të cilët biseduam në Shkup rendisin arsye të ndryshme pse nuk kanë shkuar për të studiuar jashtë vendit - pandemia Kovid-19, mësimi në gjuhën amtare, mosndarja nga familja dhe miqtë.

Maja S., studente në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Shkup, thotë se "askund nuk ka si vendi yt”. “Për mua mbizotëronte frika e një ambienti të panjohur, të dashurit e mi janë këtu për çdo gjë që kam nevojë, kam mjekun tim të familjes që e di gjendjen time që në fëmijëri për sëmundje të padëshiruara, studioj në gjuhën time amtare dhe kështu unë i zotëroj më lehtë leksionet”, thotë ajo.

Studenti i Fakultetit të Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative në Shkup, Marko V, thotë se ka mbetur në vendlindje sepse “këtu nuk është i huaj, më lehtë mund të gjesh shoqëri, dhe më lehtë bëhen lidhje me stafin mësimdhënës. "

Fatkeqësisht, as Maja dhe as Marko, si shumica e studentëve të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodij” me të cilët biseduam, nuk planifikojnë të qëndrojnë këtu pasi të diplomohen.

“Do të largohem, sepse këtu paga fillestare e një inxhinieri është 30.000 denarë në shumë kompani, kurse për një arkëtar 35.000 denarë”, thotë Marko.

“Do të largohesha për shkak të sistemit mbi të cilin (nuk) funksionon i gjithë vendi dhe, natyrisht, për më shumë përvojë në disa fabrika dhe institute të njohura evropiane”, përgjigjet Maja.

Është koha të ndalojmë së pretenduari se jemi amerikanë dhe të ndalojmë së pyeturi se çfarë mund të bëjmë për vendin. Është momenti i fundit që shteti të fillojë të punojë seriozisht për brezat që do të vijnë. Derisa akoma nuk është tepër vonë.

Sanja Kostovska

Jasmina Tasevska

Foto:MIA

Video: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR