Presidenti i Sirisë Ahmed al Shara ka nënshkruar kushtetutën e përkohshme të vendit
- Presidenti i përkohshëm sirian Ahmed al Shara ka nënshkruar kushtetutën e përkohshme që e vendos vendin nën sundimin e ligjit islamik, ndërsa premton mbrojtjen e të drejtave të të gjithë sirianëve gjatë një faze tranzitore pesëvjeçare.
- Post By Sara Ademi
- 08:14, 14 mars, 2025

Damask, 14 mars 2025 (MIA) - Presidenti i përkohshëm sirian Ahmed al Shara ka nënshkruar kushtetutën e përkohshme që e vendos vendin nën sundimin e ligjit islamik, ndërsa premton mbrojtjen e të drejtave të të gjithë sirianëve gjatë një faze tranzitore pesëvjeçare.
Abdulhamid Al-Avak, një nga zyrtarët e emëruar nga Al Shara për përgatitjen e kushtetutës, tha se disa dispozita të kushtetutës së mëparshme janë ruajtur, duke përfshirë se kreu i shtetit duhet të jetë musliman dhe se ligji islamik është burimi kryesor i vendimeve gjyqësore, raportojnë mediat amerikane.
Ai tha se kushtetuta e përkohshme përmban edhe dispozita për garantimin e lirisë së shprehjes dhe mediave, duke shtuar se ky dokument do të sjellë një ekuilibër mes sigurimit social dhe lirisë në situatën e paqëndrueshme politike, si dhe se do të ndajë qartë pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Kushtetuta e përkohshme krijoi një Komitet Popullor, i cili do të luajë rolin e një parlamenti kalimtar deri në miratimin e kushtetutës ekzistuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve.
Në dokument thuhet gjithashtu se shteti është i përkushtuar për të luftuar të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm dhe respektimin e lirive dhe të drejtave, si dhe se qytetarët janë të barabartë para ligjit, pa diskriminim në bazë racore, fetare apo gjinore.
Kushtetuta e përkohshme gjithashtu përcakton se armata është një institucion kombëtar profesional në të cilin lavdërimi i regjimit të presidentit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad do të konsiderohet krim.
Një komitet i ri do të formohet gjithashtu për të hartuar një kushtetutë të përhershme, por është e paqartë nëse ajo do të përbëhet nga një numër i madh grupesh politike, fetare dhe etnike siriane.
Objektiv kryesor i kushtetutës së përkohshme është të vendosë një afat kohor për kalimin politik të vendit nga faza e tranzicionit.
Al Shara tha në dhjetor se miratimi i një kushtetute të përhershme mund të zgjasë deri në tre vjet, ndërsa organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve mund të zgjasë deri në pesë vjet.
Rebelët sirianë, të udhëhequr nga grupi islamik Hajat Tahrir al Sham, filluan një ofensivë në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar dhe i dhanë fund sundimit 24-vjeçar të Bashar al Asadit. sa/
foto: Arkivi i MIA-s