Pinjo: Nuk duam që situatën rreth Grenlandës ta krahasojmë me Ukrainën
- Bashkimi Evropian nuk dëshiron ta krahasojë situatën aktuale me deklaratat e presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Tramp rreth Grenlandës me ngjarjet në Ukrainë para invazionit rus në vitin 2022, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo në lidhje me deklaratën e Trampit se nuk do përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin mbi Kanalin e Panamasë dhe territorin danez të Grenlandës.
- Post By Fami Bajrami
- 15:01, 8 janar, 2025
Bruksel, 8 janar 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian nuk dëshiron ta krahasojë situatën aktuale me deklaratat e presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Tramp rreth Grenlandës me ngjarjet në Ukrainë para invazionit rus në vitin 2022, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo në lidhje me deklaratën e Trampit se nuk do përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin mbi Kanalin e Panamasë dhe territorin danez të Grenlandës.
Në pyetjen nëse raporti i BE-së ndaj "kërcënimeve ushtarake" drejtuar nga Trampi kundër një prej vendeve të saj anëtare na kujton rastin para vitit 2022 kur Unioni dhe diplomatët e disa prej anëtarëve të saj thonin se kërcënimet për një invazion rus ndaj Ukrainës janë një “skenar hipotetik”, Pinjo u përgjigj se bëhet fjalë për “pyetje teorike”.
“Në të vërtetë po flasim për diçka jashtëzakonisht teorike që nuk duam ta trajtojmë dhe as ta krahasojmë këtë situatë me atë që ndodhi në Ukrainë”, ka thënë Pinjo.
E pyetur nëse çështja nuk do të jetë më hipotetike nëse “marinsat amerikanë zbarkojnë në Grenlandë”, Pinjo u përgjigj se ka pasur shumë kërcënime që nuk u realizuan dhe për momentin nuk e sheh nevojën për të elaboruar më tej këtë temë.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anita Hiper, nga ana tjetër deklaroi se BE-ja është e qartë në qëndrimin e saj se duhet të respektohet parimi i sovranitetit të shteteve, si vlerë diplomatike e BE-së dhe si një nga parimet kryesore mbi të cilat funksionon dhe ai parim vlen për të gjitha vendet, përfshirë edhe Danimarkën.
"Nga ana jonë, me padurim presim të punojmë në një agjendë të fuqishme transatlantike me administratën e ardhshme amerikane drejt qëllimeve të përbashkëta dhe çështjeve me interes kyç strategjik", ka thënë Hiper.
E pyetur se si mund të flitet për bashkëpunim me dikë që kërcënon integritetin territorial të një shteti anëtar të BE-së, Hiper ka thënë se ajo vetëm mund të përsërisë se qëllimi kryesor i KE-së do të jetë bashkëpunimi i fuqishëm për çështje me interes të përbashkët dhe ndërtim të partneriteteve të forta.
“Ne nuk i mbivlerësojmë parimet tona apo parimet bazë sa i përket diplomacisë, por edhe për sovranitetin e shteteve dhe interesave tona dhe do të vazhdojmë kësisoj. Nuk do të lëshohemi në komente për këtë temë", ka thënë Hiper.
Foto: skrinshot