• e premte, 05 dhjetor 2025

Nikolloski nga Brukseli: Maqedonia meriton anëtarësimin në BE, por mungon realizimi nga Unioni

Nikolloski nga Brukseli: Maqedonia meriton anëtarësimin në BE, por mungon realizimi nga Unioni

Bruksel, 4 dhjetor 2025 (MIA) – Rajoni, Maqedonia, vendi im luftojnë për vlera evropiane për dekada me radhë dhe nuk ka dyshim se nuk ka alternativë tjetër për rajonin përveç anëtarësimit në BE dhe NATO. Është mirë që jemi anëtare e NATO-s, por mungon realizimi nga BE-ja, theksoi sot në Bruksel Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski në panelin "Çështja e zgjerimit: Kufiri i ri gjeopolitik, i sigurisë dhe ekonomik i Evropës" si pjesë e "Samitit BE-Ballkani Perëndimor", që e organizon think tanku "Miqtë e Evropës".

"Dikush tha se jemi të frustruar, mendoj se më nuk jemi të frustruar, disi jemi mësuar, sikur e gjithë kjo të jetë normale. Sigurisht, unë jam ironik, po përpiqem të tregoj me një fjali se çfarë po ndodh", tha Nikolloski.

Ai theksoi se në dekadat e kaluara kemi bërë sakrificë të madhe për procesin e aderimit, por tani lojtarët kryesorë në BE duhet të jenë korrektë dhe të dërgojnë mesazh të sinqertë nëse rajoni dhe vendi do të aderojnë në BE.

"Së pari, emrin e ndryshuam dy herë – së pari ishte për përdorim ndërkombëtar: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, pastaj na u desh të ndryshonim emrin për të gjithë botën, si dhe për brenda, në vend, në Maqedonia e Veriut. E ndryshuam valutën, flamurin, kushtetutën shtatë herë, tani duhet ta ndryshojmë për të tetën herë. Dhe kjo është histori e pafund, dhe kur flet me njerëzit, ata pyesin: a është kjo gjëja e fundit. Dhe kjo është përgjigja që nuk e marrim”, tha Nikolloski.

Ai shtoi se tani jemi në komunikim me miqtë tanë bullgarë dhe palët e tjera të interesit dhe pyetja jonë kryesore është nëse pala tjetër mund të bëjë diçka për të pasur baraspeshë dhe shumë shpesh përgjigja është jo.

"Ky është realiteti, por mendoj se duhet të jetojmë me të, nuk duhet të themi: në rregull, po heqim dorë. Vendi po transformohet nga brenda, për aq sa mundemi me burimet tona të brendshme, por ne gjithashtu po përpiqemi të përdorim edhe burimet ndërkombëtare, qoftë përmes bashkëpunimit me BE-në, me SHBA-në… Ne nënshkruam marrëveshje për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, vendi i parë i EJL-së që nënshkroi marrëveshje të tillë, unë kam nderin ta nënshkruaja këtë marrëveshje në maj të këtij viti. Nuk është se nuk punojmë, nuk është se nuk përpiqemi ose nuk kërkojmë partnerë, dhe padyshim që partnerët janë atje ku ne përkasim, në qytetërimin perëndimor. Sa i përket BE-së, po jam dakord, zgjerimi është politik, asnjë zgjerim i BE-së nuk ishte jopolitik, duke filluar nga Greqia dhe Portugalia, në shekullin e kaluar, pastaj zgjerimi i madh në fillim të këtij shekulli, e deri në Rumani dhe Bullgari. Gjithçka ishte politike. Është e qartë se këtij rajoni i mungon vullneti politik", tha zëvendëskryeministri Nikolloski.

Sipas tij, dëgjohen histori për dritare të hapura, dinamikë, momente … dhe kjo nuk ndryshon.

"Unë tani shoh shumë dritare të hapura për dy vende të tjera në rajon që shpresoj se do të bëhen realitet, sepse janë fqinjët tanë, por nuk dua të jem në lëkurën e politikanëve në Shqipëri dhe Mal të Zi në vitin 2029 kur do t'u thonë: nuk ka anëtarësim ose do t'u thonë, mund të vini në takim, por nuk do të keni të drejtë vote ose mund të vini në këtë takim, por duhet të dilni kur kjo pikë të dalë në rendin e ditës, këtë mund ta bëni këtë, jeni anëtare por nuk jeni anëtare. Nuk do të doja të isha në lëkurën e tyre. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se është e drejtë të kemi qasje të ndershme për rajonin", thekson Nikolloski.

Ai shprehu druajtje se ka ende forca në rajon që janë të fuqishme, që kërkojnë të shfrytëzojnë mundësinë për të marrë pushtetin me vizion tjetër dhe presin që procesi i zgjerimit të dështojë.

"Për vende të ndryshme, arsyet janë të ndryshme, por padyshim ka mungesë të vullnetit politik. Konsideroj se është e drejtë t'u thuhet njerëzve të rajonit – kjo mundet, kjo nuk mundet. Dhe hajde le t'i bëjmë që gjërat që mund të bëhen. Nëse mund të bëjmë 10 nga 20 gjëra, atëherë le t'i dorëzojmë ato, sepse kështu kemi ngecur në një situatë pritjeje: samiti tjetër, pastaj samiti tjetër, qershori, dhjetori, ndoshta në mes të marsit … dhe kështu kalon koha dhe ajo që kam frikë është ajo që mund të ndodhë me rajonin në të ardhmen", theksoi zëvendëskryeministri.

Nikolloski theksoi se në kushte të tilla, e vetmja mënyrë për të zhvilluar vendet ishte bashkëpunimi ekonomik dhe theksoi planet e Qeverisë për projekte të mëdha rajonale që promovojnë bashkëpunimin ekonomik me fqinjët.

"Ajo që konsideroj se duhet të bëjmë është të bashkëpunojmë ekonomikisht, gjë që tashmë po e bëjmë në rajon, dhe të lidhemi. Ne jemi një vend pa dalje në det, por kemi dy korridore evropiane që kalojnë përmes vendit, Korridorin 10 nga Perea në Athinë, deri në Finlandë dhe Korridorin 8 nga Adriatiku në Detin e Zi. Ne po investojmë shumë para për të ndërtuar autostrada, hekurudha dhe kjo është diçka që mund të ndryshojë dhe formësojë të ardhmen ekonomike të vendit dhe diçka që ne duhet ta shohim si të ardhmen e rajonit", tha Nikolloski.

Ai theksoi se Greqia po negocionte krijimin e 13 linjave në pikat kufitare, në mënyrë që gjithçka të funksiononte më shpejt, ndërsa me Bullgarinë bisedojmë për hekurudhën.

"Sot do të takohem me zëvendëskryeministrin e tyre (Karaxhov) për të hapur edhe një pikë kufitare. Në këtë mënyrë hapemi me njëri-tjetrin dhe përpiqemi ta mbajmë atë jashtë lojërave politike", shtoi Nikolloski.

Ai theksoi se mbështetja për anëtarësimin në BE në rajon është ende e lartë dhe theksoi rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë si model për bashkëpunim të mirë dhe zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, por siç tha ai, për fat të keq "megjithëse Maqedonia është e hapur për bashkëpunim, nuk ka interes nga pala tjetër".

Sipas tij, ka shumë dezinformata që përhapen në rajon dhe disa media helmojnë publikun, me ç'rast mënyra e vetme për ta luftuar atë është të japim rezultate.

"Mendoj se historia e zgjerimit është diçka që disa lojtarë kryesorë në BE po e udhëheqin, duke thënë se çfarë do të ndodhë dhe çfarë nuk do të ndodhë. Mendoj se është e drejtë ta themi këtë me rajonin dhe të përpiqemi të lidhemi me rajonin përmes formave të tjera të komunikimit dhe bashkëpunimit. Nuk mund ta kuptoj se si mund të na kërkohet të ndryshojmë përsëri Kushtetutën, pasi ndryshuam gjithçka

që na duhej për të ndryshuar, e nga ana tjetër ka 14 vendime nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, të cilat Bullgaria nuk i zbaton për pakicën maqedonase atje. Dhe askush nuk i bën presion, ndërsa neve na ushtrohet presion. Shpresoj se kjo do të ndryshojë, por nuk jam i sigurt", tha Nikolloski.

Lidhur me iniciativën e Bashkësisë Politike Evropiane, Nikolloski vlerësoi se ishte një forum i mirë për diskutim, gjë që mund të kalojë në diçka që do të bashkonte Evropën.

- Oreksi në rajon është ende i madh dhe mbështetja për anëtarësimin në BE është e lartë, por është fakt se ka forca të reja që thonë: jo, nuk duhet ta bëni këtë. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se është e ndershme të flasësh hapur me njerëzit, theksoi Nikolloski në fjalën e tij para panelit.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR