• e mërkurë, 29 janar 2025

Peter Sorensen u emërua përfaqësues i ri i lartë i BE-së për dialogun Prishtinë - Beograd

Peter Sorensen u emërua përfaqësues i ri i lartë i BE-së për dialogun Prishtinë - Beograd

Bruksel, 27 janar 2025 (MIA) - Këshilli i BE-së sot me propozim të përfaqësueses së lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas e emëroi diplomatin danez Peter Sorensen për përfaqësues të ri të posaçëm të Unionit për dialogun Prishtinë - Beograd.

Siç kumtoi Këshilli, detyra e Sorensenit do të jetë ta lehtësojë dialogun që do të kontribuojë për normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e posaçërisht për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe të Aneksit për implementimin e tij.

Sorensen, i cili është shef i mëparshëm i Delegacionit të BE-së në Shkup, do ta ndërmerr detyrën e re nga përfaqësuesi i lartë i deritanishëm Mirosllav Lajçak më 1 shkurt. Mandati i parë i Sorensenit zgjat 13 muaj.

Sorensen ka përvojë 30-vjeçare të punës me Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e OSBE-së në Kroaci.

Përfaqësuesit e posaçëm të BE-së kanë për detyrë t'i promovojnë edhe politikat dhe interesat e BE-së në disa rajone dhe vende ose të punojnë në çështje me interes për BE-në. Ata luajnë një rol aktiv në përpjekjet për konsolidimin e reformave, stabilitetit dhe sundimin e së drejtës. Përfaqësuesit e parë të posaçëm të BE-së janë emëruar në vitin 1996. Në këtë moment, punën e Kalasit e përkrahin 11 përfaqësues të posaçëm të BE-së. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR