• e mërkurë, 29 janar 2025

Integrimi i ekonomive dhe rritja e përbashkët- e vetmja rrugë për përparimin e rajonit

Integrimi i ekonomive dhe rritja e përbashkët- e vetmja rrugë për përparimin e rajonit

Shkup, 28 janar 2025 (MIA)- Në një konferencë të nivelit të lartë mbi integrimin ekonomik rajonal, të mbajtur në qendrën bregdetare Beçiqi, në Mal të Zi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, paraqiti mënyrën se si vizioni ambicioz për të ardhmen e rajonit tonë, përmes krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal për Ballkanin Perëndimor, po kthehet në aktivitete në disa fusha kyçe.

"Shkurt, prioritetet e Tregut të Përbashkët Rajonal janë investimet në kapitalin njerëzor, zhvillimi i aftësive dhe inovacionet. Përveç kësaj, përmes Tregut të Përbashkët Rajonal punohet për heqjen e barrierave për investimet dhe tregtinë, përmes nxitjes së kornizave financiare të qëndrueshme, rritjes së konkurrencës së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe integrimit të rajonit në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian. Po ashtu, po punohet edhe për shpejtimin e transformimit digjital dhe lidhshmërinë përmes iniciativës për rritjen e vëllimit të lidhjeve përmes internetit me shpejtësi të lartë, uljen e mëtejshme të kostove të transferimit të të dhënave në roaming dhe forcimin e kornizave për sigurinë kibernetike. Pra, integrimi rajonal nuk është i lidhur vetëm me tregjet, por edhe me njerëzit. Duhet të fuqizojmë njerëzit tanë të talentuar, të përshtatemi me standardet e BE-së dhe të krijojmë mundësi për të parandaluar largimin e krahut të punës me kualifikime të larta si dhe për të siguruar rritje për gjneratat e ardhshme", tha kreu i RCC-së, Amer Kapetanoviq duke nënvizuar rolin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për nxitjen dhe bashkërendimin e realizimit të agjendës së Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal është me rëndësi të jashtëzakonshme për ndërtimin e një Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm dhe konkurrues, të gatshëm për sfidat e ardhshme. 

"Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Tregu i Përbashkët Rajonal si pjesë e tij përbërëse nuk janë vetëm strategji në funksion të afrimit më të shpejtë me Bashkimin Evropian dhe për integrimin  më të thellë në tregun e përbashkët europian, por janë edhe obligime për një të ardhme më të mirë. Forcimi i njerëzve tanë, integrimi i ekonomive tona dhe rritja e përbashkët janë rruga e vetme për të shkuar përpara për një rajon që ka një potencial të madh që pret të shfrytëzohet", përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Pjesëmarrësit e konferencës, ku morën pjesë ministra të ngarkuar për integrimet europiane dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga rajoni, theksuan rolin vendimtar të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal në lehtësimin dhe koordinimin e realizimit të krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, me mbështetje nga partneritetet strategjike me autoritetet dhe organizatat rajonale, si dhe me Bashkimin Evropian.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, në margjinat e konferencës, u takua me Ministren për Integrimet Europiane të Serbisë, Tanja Mishqeviq, Ministren e Çështjeve Europiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, Ministrin e Çështjeve Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani dhe me Drejtoreshën e Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Europian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Valentina Superti.

QËNDRONI TË LIDHUR