• e premte, 05 dhjetor 2025

Pas një pauze pesëvjeçare India dhe Kina i rifillojnë fluturimet direkte

Pas një pauze pesëvjeçare India dhe Kina i rifillojnë fluturimet direkte

 Nju Delhi, 3 tetor 2025 (MIA) - Për herë të parë pas një pauze pesëvjeçare India dhe Kina planifikojnë të rifillojnë fluturimet direkte midis disa qyteteve të tyre, thanë autoritetet indiane, duke përmendur një lehtësim gradual të tensioneve midis dy vendeve.

 Siç njoftoi Ambasada Indiane në Kinë nëpërmjet rrjetit social "WeChat", fluturimet midis disa qyteteve do të rikthehen në fund të tetorit, varësisht nga vendimet tregtare të linjave ajrore, raportuan mediat amerikane.

Ambasada thekson se rifillimi i fluturimeve është pjesë e qasjes së qeverisë ndaj "normalizimit gradual të marrëdhënieve midis Indisë dhe Kinës". 

 Kompania ajrore më e madhe e Indisë, "IndiGo", dje njoftoi se nga 26 tetori do të rifillojë fluturimet nga Kalkuta për në Guanzhu.

Vendimi erdhi pasi kryeministri indian Narendra Modi vizitoi Kinën muajin e kaluar për herë të parë në shtatë vjet për të marrë pjesë në një forum rajonal të sigurisë. 

Fluturimet direkte u pezulluan gjatë pandemisë Kovid në vitin 2020 dhe nuk janë rifilluar për shkak të tensioneve të gjata kufitare midis Pekinit dhe Nju-Delhit. 

 Marrëdhëniet midis Indisë dhe Kinës u përkeqësuan ndjeshëm në vitin 2020, kur forcat e sigurisë nga të dy vendet u përleshën përgjatë kufirit të tyre të diskutueshëm në Himalaje.

Katër ushtarë kinezë dhe njëzet ushtarë indianë u vranë në përleshje, e cila ishte konflikti më i madh midis dy palëve në dekada dhe çoi në një ndërprerje të kontakteve të nivelit të lartë. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

a

QËNDRONI TË LIDHUR