Për fitoren në raundin e parë nevojiten 907.159 vota, në të dytin 362.864
- Në vend sot po mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Të drejtë vote kanë 1.814.317, të cilët mund të zgjedhin mes shtatë kandidatëve Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Stevço Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maksim Dimitrevski. Në raundin e parë fitues mund të jetë kandidati i cili ka fituar shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve, gjegjësisht 907.159 vota.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 08:54, 24 prill, 2024
Shkup, 24 prill 2024 (MIA) - Në vend sot po mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Të drejtë vote kanë 1.814.317, të cilët mund të zgjedhin mes shtatë kandidatëve Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Stevço Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maksim Dimitrevski. Në raundin e parë fitues mund të jetë kandidati i cili ka fituar shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve, gjegjësisht 907.159 vota.
Nëse në raundin e parë askush nuk e merr shumicën e nevojshme, në raundin e dytë shkojnë dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota në raundin e parë.
Raundi i dytë i votimit mbahet në afat prej 14 ditëve nga përfundimi i raundit të parë të votimit, në këtë rast më 8 maj. Për president do të zgjidhet kandidati që ka marrë shumicën e votave, nëse në votim kanë dalë më shumë se 40 për qind e zgjedhësve të regjistruar, gjegjësisht 725.727 zgjedhës, që është paraparë në Kodin Zgjedhor, ndërsa për të kanë votuar 362.864 zgjedhës.
Nëse në raundin e dytë asnjëri nga dy kandidatët nuk ka marrë numrin e nevojshme të votave, përsëritet e gjithë procedura e zgjedhjes.
Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, për një periudhë prej pesë vjet. Për president të Republikës i njëjti person mund të zgjidhet më së shumti dy herë. Presidenti i Republikës duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Për President të Republikës mund të zgjidhet personi që ka mbushur të paktën 40 vjeç në ditën e zgjedhjeve. Për President të Republikës nuk mund të zgjidhet personi i cili nuk ka qenë banor i Republikës së Maqedonisë së paku dhjetë vjet në 15 vitet e fundit, deri në ditën e zgjedhjeve. Zgjedhja për Presidentin e Republikës bëhet në 60 ditët e fundit të mandatit të Presidentit të mëparshëm.
Foto: MIA