• e premte, 28 qershor 2024

Osmani: Marrëveshja e Prespës është më shumë se një marrëveshje për emrin, është një marrëveshje për bashkëpunim strategjik

Osmani: Marrëveshja e Prespës është më shumë se një marrëveshje për emrin, është një marrëveshje për bashkëpunim strategjik

Shkup, 12 qershor 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë Teknike, Bujar Osmani, informoi sot se në Samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të pjesëmarrësve në Procesin për Bashkëpunim të Evropës Juglindore (PBEJL), i cili do të mbahet më 13 dhe 14 qershor në Shkup, do të jetë e pranishme zëvendës ministrja greke e Punëve të Jashtme, Aleksandra Papadopulu, me të cilën do të ketë një takim dypalësh ku do të diskutohen, siç tha ai, "të gjitha çështjet nga interesi dypalësh".

Në konferencën e sotme për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme me rastin e Samitit, Osmani, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se Marrëveshja e Prespës është e qartë sa i përket përdorimit të emrit të shtetit.

"Marrëveshja e Prespës është e qartë për sa i përket përdorimit "erga omnes" të emrit të shtetit dhe është e krahasueshme për sa i përket detyrimit kushtetues që kemi të gjithë. Emri kushtetues i shtetit është Republika e Maqedonisë së Veriut dhe çdo përdorim tjetër i emrit është jashtë Kushtetutës, bëhet irelevant në raport me Marrëveshjen e Prespës", tha Osmani.

Ai ka dërguar, siç tha "këshilla falas për Qeverinë".

"Ju mund të keni qenë kundër, mund të jeni kundër, por ky është realitet, është pjesë e rendit tonë kushtetues, pjesë e Kushtetutës dhe duhet të respektohet", tha ai.

Lidhur me respektimin e dispozitave të marrëveshjes në lidhje me përdorimin e emrit, Osmani theksoi se nuk ka hapësirë për interpretime të ndryshme të Marrëveshjes së Prespës.

"Sipas Marrëveshjes së Prespës, mbiemri maqedonas mund të përdoret vetëm në kontekst etnik, jo në kontekst shtetëror. Çdo gjë që është maqedonase i referohet komunitetit etnik maqedonas dhe prandaj mendoj se ato dispozita duhet të respektohen sepse hapin çështje të reja. Kështu është edhe për emrin e shtetit dhe mendoj se raporti më i saktë është të thuash ne ndoshta kemi, kemi pasur dallime, por ky është realiteti", tha ministri.

Ai shtoi se nëse Qeveria ka një mënyrë për ta ndryshuar realitetin, mund ta bëjë sepse siç tha ai është proces demokratik, por ka theksuar se derisa ta bëjnë këtë, realiteti, gjegjësisht Kushtetuta duhet të respektohen.

"Mund të keni qëndrimin se në të ardhmen do të punoni për ndryshimin e emrit, Marrëveshjen e Prespës, pasi thuhet se do të ndryshojnë kornizën e negociatave. Megjithatë, deri atëherë duhet të respektojnë", tha Osmani.

Informoi se nuk kanë marrë kurrfarë reagimi zyrtar nga Greqia, dhe tha se janë në komunikim.

"E kam shprehur tashmë qëndrimin e MPJ-së në lidhje me detyrimet që kanë të dy shtetet nga marrëveshja. Marrëveshja e Prespës është më shumë se një marrëveshje për emrin, është një marrëveshje për bashkëpunim strategjik", tha ai.

Lidhur me qëndrimet e Sofjes, ai tha se ato nuk janë të parëndësishme.

"Rregullat e lojës janë përcaktuar qartë në kuadër të negociatave dhe ato qëndrime mund të jenë për nevojat e skenës së brendshme. Nuk janë përkeqësuar apo përmirësuar, por nuk kanë ndonjë rëndësi për sa i përket procesit të negociatave, sepse rregullat e lojës në atë proces janë të përcaktuara qartë dhe kjo e bën procesin të parashikueshëm për ne, gjë që është shumë e rëndësishme për një vend që aspiron për t'u bërë anëtar" tha Osmani.

Në Samitin e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse të Procesit për Bashkëpunim të Evropës Juglindore (PBEJL) do të marrin pjesë delegacionet e 13 vende pjesëmarrëse të Procesit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RSS). sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR