• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Osmani: Marrëdhëniet me aleatët perëndimorë janë ekzistenciale, Kosova nuk mundet e vetme

Osmani: Marrëdhëniet me aleatët perëndimorë janë ekzistenciale, Kosova nuk mundet e vetme

Prishtinë, 23 shkurt 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që marrëdhëniet me aleatët perëndimorë t'i trajtojnë "jo vetëm aq të rëndësishme, por edhe ekzistenciale" për të ardhmen e vendit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Duke iu drejtuar mediave pas konferencës së sotme në Prishtinë kushtuar perspektivës evropiane në Ballkanin Perëndimor, Osmani tha se historia e ka konfirmuar se marrëdhëniet me aleatët janë çelësi i suksesit të shtetit të Kosovës.

"Inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës... që të bëjnë maksimumin për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e BE-së, të cilat na kanë qëndruar gjithmonë pranë. Le t'i konsiderojmë jo vetëm të rëndësishme, por edhe ekzistenciale për suksesin e vendit tonë, sepse këtë e ka dëshmuar historia dhe këtë e vërteton çdo veprim i ynë", tha Osmani para gazetarëve.

Ajo ka theksuar edhe problemet e sigurisë me të cilat ballafaqohet vendi, duke thënë se Serbia vazhdimisht po planifikon agresion ndaj Kosovës dhe përvetësim të territorit të saj.

"Kosova është një vend që sigurisht është një demokraci e zhvilluar dhe e konsoliduar, por të mos harrojmë se kemi probleme të mëdha të sigurisë. Në kufi kemi një shtet që çdo ditë synon agresionin ndaj Kosovës, që çdo ditë synon të gllabërojë territorin tonë, që çdo ditë synon edhe sot, 25 vjet pas luftës, të vrasë qytetarët tanë, siç e pamë me vrasjen e heroit Afrim Bunjaku (polici i vrarë në sulmin në veri të Kosovës në shtator të vitit 2023)", tha Osmani.

Ajo theksoi se "Kosova nuk mund të ecë përpara e vetme" dhe se nuk ka nevojë për aleatë "vetëm si shenjë mirënjohjeje për atë që kanë bërë në të kaluarën".

"Në këto sfida ne kemi nevojë për aleatët tanë, kemi nevojë për partnerët tanë. Pra, jo vetëm në vlerësim të asaj që ata kanë bërë në të kaluarën, por edhe si një vizion i asaj që na nevojitet në të ardhmen. Kosova nuk mund të ecë përpara e vetme. Në fakt, asnjë vend në botë nuk mund të ecë përpara i vetëm", tha Osmani. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR