• e hënë, 23 dhjetor 2024

Organizata Botërore Meteorologjike: Është e mundur rritje e temperaturës mesatare vjetore globale

Organizata Botërore Meteorologjike: Është e mundur rritje e temperaturës mesatare vjetore globale

Gjenevë, 17 maj 2023 (MIA) - Temperatura mesatare vjetore globale sipas gjitha gjasave do të rritet me më shumë se 1,5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale për herë të parë në pesë vitet e ardhshme, njoftoi sot Organizata Botërore Meteorologjike.

Organizata Botërore Meteorologjike vitin e kaluar parashikoi se ka më pak se 50 për qind gjasa që të ndodhë kjo, por këtë vit e rishikoi parashikimin dhe parasheh 66 për qind të gjasave. 

Qëllimi për kufizimin e ngrohjes globale në 1,5 gradë ishte vendosur në konferencën e KB-së për ndryshimet klimatike në Paris në vitin 2015. 

Organizata me seli në Gjenevë nuk parasheh se ngrohja globale përgjithmonë do të rritet mbi kufirin gjatë disa viteve të ardhshme.

“Megjithatë, Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëron se niveli prej 1,5 gradë Celsius do të tejkalohet përkohësisht me frekuencë në rritje”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Organizatës, Petri Talas.

Temperatura globale mesatare në vitin 2022 ishte rreth 1,15 gradë mbi mesataren e temperaturës në periudhën prej vitit 1850 deri në vitin 1900. 

Agjencia e KB-së, gjithashtu, pret që një nga pesë vitet e ardhshme ta tejkalojë vitin 2016 si vitin më të nxehtë deri më tani për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe fenomeni natyror El Ninjo.

Kjo do të ketë pasoja për shëndetin, sigurinë e ushqimit, menaxhimin me ujërat dhe mjedisin jetësor. Duhet të jemi të gatshëm, paralajmëroi Talas. fc/

Fotografia: Organizata Botërore Meteorologjike

 

QËNDRONI TË LIDHUR