• e premte, 28 qershor 2024

Nikollovski: "Mëkati më i madh" është fshirja e paragrafit nga Kodi Penal për përgjegjësinë për personat që kryejnë keqpërdorime gjatë prokurimit publik

Nikollovski:

Shkup, 18 shtator 2023 (MIA) - Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së dhe deputet Aleksandar Nikollovski sot ka përsëritur se nuk ka shumicë prej dy të tretash në Kuvend, dhe se dalja më e mirë nga kjo situatë janë zgjedhjet. Ai theksoi se askush nga VMRO-DPMNE nuk ka kërkuar nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ta amnistojë ish kryeministrin Nikolla Gruevski. Për ndryshimet në Kodin Penal, ai vlerëson se "mëkati më i madh" është fshirja e paragrafit 5 të nenit 353 të Kodit Penal me të cilin kërkohej përgjegjësi për personat  që do të bëjnë keqpërdorim gjatë prokurimit publik.

Nikollovski, i pyetur për intervistën e liderit të BDI-së, thotë se e ka parë, se më së shumti nuk pajtohet me të, dhe se pajtohet vetëm me një gjë.

"Atë që e tha se nuk ma marrëveshje me VMRO-DPMNE-në për ndryshimet kushtetuese, siç tha edhe se VMRO-DPMNE nuk do të votojë nën diktatin bullgar. Ky është edhe një konfimim i qëndrimit tonë. Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Është e qartë se në Kuvend nuk ka shumicë prej dy të tretash. Dalja më e mirë nga kjo krizë politike janë zgjedhjet e parakohshme", tha Nikollovski.

Për ndryshimet në Kodin Penal, ai përsëriti se partia e tij është kundër dhe se qëndrimin e ka paraqitur në mënyrë të detajuar në një tekst autori.

Lidhur me praninë në seancë kur votohej për ndryshimet e Kodit Penal. deputeti i VMRO-DPMNE-së thotë se edhe po të largoheshin nga seanca do të kishte pyetje se pse e bënë këtë.

"Ne në seancë vendosëm të qëndrojmë kur pushteti siguroi kuorum. T'ju rikujtoj se deputetët e Aleancës për Shqiptarët ishin brenda në sallë, formuan kuorum, por asesi nuk votuan, as kundër, as me abstenim dhe vendosëm të gjithë ne që ishim të pranishëm në Kuvend të votojmë kundër për ta shprehur qëndrimin tonë. Mendoj se nga votimi kundër nuk ka qëndrim më të qartë se jeni kundër. Por ishte e qartë se propaganda ishte e gatshme edhe nëse ishim të pranishëm apo jo", tha Nikolloski.

Është fakt, shton ai, se ndryshimet në Kodin Penal janë ndërhyrje në ndjekjen e veprave penale lidhur me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autoritetit zyrtar. Për të, mëkati më i madh këtu, të cilit nuk iu kushtua shumë vëmendje në opinion është fshirja e paragrafit 5 të nenit 353 të Kodit Penal.

"Në Kodin e vjetër Penal parashikohej përgjegjësi për personat që do të kryejnë keqpërdorim gjatë prokurimit publik ose thënë ndryshe gjatë tenderëve. Tani nuk është fare aty. Në katër paragrafët e mbetur  ulen dënimet, por paragrafi 5 tërësisht është fshirë, që do të thotë se nesër çdo ministër apo drejtor që ka të drejtën e prokurimit publik bën prokurim publik që është në kundërshtim me ligjin dhe nuk do të përgjigjet penalisht. Për mua ky është problemi më i madh në këtë Kod Penal", tha Nikolloski.

Për atë se kush kërkoi amnisti nga presidenti Stevo Pendarovski për ish kryeministrin Nikolla Gruevski, Nikollovski tha se nga kjo udhëheqësi e VMRO-DPMNE-së askush nuk ka kërkuar asgjë nga Pendarovski. sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR