• e diel, 06 tetor 2024

Mustafa: Do të nevojitet kohë e gjatë që Kosova të kthejë besimin e SHBA-së dhe BE-së

Mustafa: Do të nevojitet kohë e gjatë që Kosova të kthejë besimin e SHBA-së dhe BE-së

Prishtinë, 8 gusht 2023 (MIA) - Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi sot se Kosovës do t'i nevojitet kohë e gjatë për ta kthyer besimin e SHBA-së dhe BE-së.

Mustafa për mediumet e Prishtinës deklaroi se është skeptik nëse do të ndryshojë qasja e BE-së ndaj Kosovës pas letrës së politikanëve ndërkombëtarë drejt SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe BE-së.

Ai theksoi se qeveria e Kurtit duhet ta ndryshojë qasjen ndaj vetëvetes, pastaj të pret që një gjë e tillë të ndodhë nga aleatët ndërkombëtarë.

"Kosova do duhej ta ndryshojë qasjen ndaj vetëvetes për të pritur që të tjerët ta ndryshojnë qasjen ndaj saj. Ky lidership ka shkaktuar që gabimet e tij, shpërfillja e partnerëve ndërkombëtar dhe popullizmi të vërehen dhe dënohen më shumë sesa politikat nxitëse të konfliktit, të destabilitetit e të destruksionit politik të Serbisë. Serbia meriton të sanksionohet", thotë Mustafa.

Sipas tij, Kosovës i duhet kohë e gjatë për ta kthyer besimin që e humbi nga SHBA-ja dhe BE-ja.

"Por, frikësohem se Kosovës do t’i nevojitet kohë e gjatë për ta fituar besimin e SHBA-së dhe BE-së. Kjo qeveri do të pranojë dhe plotësojë të gjitha kërkesat amerikane dhe evropiane ndërkaq Kosova do të jetë më keq sesa para ardhjes në pushtet të Albinit (Kurti) dhe Vjosës (Osmani)", tha Mustafa.

Kurtin e vlerësoi si kryeministër me politikë populliste dhe se vetëm ashtu do të mbahet mend.

“Të gjithë e dimë se politikat populliste sigurojnë vota në situata të krizës së vetëdijes shtetërore por se ato nuk na qojnë përpara", transmetoi Kosovo onlajn. ab/

Foto: МIА arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR