• e mërkurë, 02 tetor 2024

Minçev shpreson në kompromis me sindikatat për paga më të larta nga buxheti i ardhshëm

Minçev shpreson në kompromis me sindikatat për paga më të larta nga buxheti i ardhshëm

Shkup, 31 korrik 2024 (MIA) - Ndoshta jo në ribalancin e këtij buxheti, sepse buxheti është në gjendje katastrofike, por në kuadër të mjeteve të parapara për buxhetin e ardhshëm, shpresoj se së bashku me sindikatat do të arrijmë një zgjidhje kompromisi, deklaroi ministri i administratës publike Goran Minçev lidhur me rritjen e pagave në sektorin publik, për të cilën insistojnë sindikatat.

Ministri tha se kishte mbajtur takime me një sërë sindikatash për çështjen e pagave më të larta gjë që, tha "normalisht u intereson sindikatave".

"Në zgjidhjen ligjore ekzistuese është parashikuar një kompensim në përqindje, përkatësisht rritje pagash. Në propozimin e radhës do të hapim një debat në të cilin kjo do të jetë një nga çështjet kryesore. Shpresoj, ndoshta jo në ribalancimin e këtij buxheti, sepse buxheti është në gjendje katastrofike, por së bashku me sindikatat, brenda mjeteve të parashikuara për buxhetin e ardhshëm, do të arrijmë në një zgjidhje kompromisi. Nuk mund të spekuloja në këtë moment, kur jemi në fillim të debatit, por sigurisht që do të kemi mundësi të flasim, të ofrojmë zgjidhjet tona, që sindikatat të ofrojnë zgjidhjet e tyre dhe nëse e hapim këtë dialog, në fakt ky është edhe qëllimi - të gjendet një zgjidhje e përbashkët", tha Minçev pas hapjes së të parës nga seria e debateve për reformat në administratën publike.

 

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) kërkon që qeveria të parashikojë rritje të pagave në buxhet. Kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafilov para debatit tha se pret që ministrat të konfirmojnë se në shtator do të ketë harmonizim të pagave, por edhe rritje shtesë të pagave në vitin e ardhshëm, sipas marrëveshjes kolektive për sektorin publik. 

"Pagat në sektorin publik do të rriten pët 15 për qind në vit gjatë katër viteve të ardhshme dhe qeveria e re duhet të sigurojë para në buxhet, pa justifikime. Presim forcimin e kapaciteteve, ndalimin e keqpërdorimeve të punëtorëve në sektorin publik dhe jo punësimin e personelit partiak. Në këtë rast ata do të kenë mbështetjen tonë", tha Trendafilov për mediat.

 

Lidhur me dallimet që ekzistojnë në pagat e punëtorëve në ministri të ndryshme dhe institucione publike, zëvendësministri i Financave Nikolçe Jankulovski në prezantimin e debatit tha se ka përgjegjësi të ndryshme nga ministria në ministri dhe paralajmëroi se do të bëhet një analizë gjithëpërfshirëse e pagave për, siç tha, së pari të identifikohen dallimet dhe parregullsitë. Ai pret që përmes "dialogut substancial me sindikatat" të tejkalohen shumica e dallimeve.

"Kjo analizë duhet të përfshijë kualifikimet, përgjegjësitë dhe kompleksitetin e vetë punëve. Për më tepër, duhet të futet një sistem i unifikuar për llogaritjen e pagave, i cili do të marrë parasysh dallimet në përgjegjësitë dhe kompleksitetin e vendeve të punës në aktivitete të ndryshme. Negociata dhe vendosje e një dialogu konstruktiv me sindikatat dhe punëtorët për të arritur një marrëveshje për shpërndarjen e drejtë të masës së pagave. Këtu do të përfshihen edhe negociatat për shtesat dhe përfitimet specifike që do të pasqyrojnë veçoritë e aktiviteteve të ndryshm"e, tha Jankullovski. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR