• e diel, 06 tetor 2024

Millatoviq: Kemi dinamikë të re në përafrimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së

Millatoviq: Kemi dinamikë të re në përafrimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së

Bruksel, 18 korrik 2023 (MIA) - Procesi i inkuadrimit në BE u bë shumë teknik dhe u humb rëndësia e tij politike, por invazioni rus mbi Ukrainën ishte shenjë zgjimi në Bruksel, gjë që çoi drejt afrimit të rajonit ballkanik drejt BE-së në dy vitet e fundit për të fituar dinamikë të re, me ç'rast Bosnjë e Hercegovina e fitoi statusin e kandidatit, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e filluan procesin negociues, ndërsa Kosova mori liberalizim vizash, deklaroi sot presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq në fjalimin para anëtarëve të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).

Millatoviq përkujtoi se Mali i Zi e mori statusin e kandidatit në vitin 2010 ndërsa në vitin 2012 i filloi negociatat për anëtarësim, por ajo që akoma nuk është anëtare e BE-së, sipas tij është dëshmi se tek pushteti paraprak në vend ka munguar vullneti politik për inkuadrim në BE.

Sipas tij, për herë të parë në historinë e tijj Mali i Zi ka pushtet demokratik, pasi që nga formimi vazhdimisht ka qenë nën pushtetin e regjimeve, por përfundimisht është bërë vend demokratik në vitin 2020 me ndërrimin e Qeverisë.

"Për herë të parë në historinë tonë, në vitin 2020 pati ndërrim demokratik të pushtetit. Mali i Zi atëherë e ka ndjerë atë që vendet e tjera të Evropës Lindore e përjetuan në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar", theksoi Millanoviq, duke potencuar se me zgjedhjen e tij president i Malit të Zi, hapet një derë e re në zhvillimin e tij demokratik.

Siç njofton raportuesi special i MIA -s nga Brukseli, Millatoviq potencoi se ka vizion për ndërtimin e Malit të Zi të ri si anëtar i BE-së, i cili do ta përfundonte procesin negociues për anëtarësim në katër deri në pesë vitet e ardhshme.

"Mali i Zi është më i vogli në mesin e kandidatëve për anëtarësim, e përdor euron dhe nuk ka çështje të hapura me fqinjët. Mund të jemi shembull për histori suksesi dhe për dritë në fund të tunelit në rajon. Tani pas ndryshimeve demokratike, Mali i Zi ka nevojë për shtytje të re nga Brukseli", tha Millatoviq.

Millatoviq shtoi se Mali i Zi tani ka liderë të rinj politikë të cilët nuk janë të korruptuar dhe janë me orientim të qartë evropian dhe dëshirojnë që vendi të bëhet pjesë e BE-së, për të cilën anëtarësi ka mbështetje të madhe në opinion.

Ai potencoi se krahas demokratizimit të vendit dhe përafrimit drejt BE-së, do të punojë edhe në zhvillimin ekonomik të Malit të Zi dhe transformimit drejt një ekonomie reale tregu.

"Shpresoj se do të kemi qeveri pro reformave dhe prodemokratike dhe do të bëhemi anëtare e BE-së në vitin 2027-28, para kornizës së re buxhetore, që është qëllim real", tha Millatoviq.

Lidhur me "Ballkanin e Hapur", Millatoviq potencoi se siç deklaroi edhe në fjalimin e tij inaugurues, prioritet i tij do të jetë "Procesi i Berlinit" edhe krahas ngecjes viteve të fundit. Sipas tij "Procesi i Berlinit" është korniza më e mirë për bashkëpunim rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalimin hyrës, kryetari i AFET, Dejvid Mekalister deklaroi se tensionet e mëdha politike dhe polarizimi e shtynë Malin e Zi në krizë të thellë politike dhe institucionale vitin e kaluar dhe e frenuan progresin e vendit në rrugën e saj evropiane.

Mekalister potencoi se Mali i Zi mund të shpresojë në mbështetjen e Komitetit, duke përkujtuar se raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin, eurodeputeti kroat Tonito Piculla tashmë është duke punuar në përgatitjen e raportit të ri për progresin e Podgoricës.

Foto: Skrinshot

QËNDRONI TË LIDHUR