Mickoski pret mbështetje publike në zgjedhjet lokale për partitë që janë pjesë e koalicionit qeveritar
- Pres mbështetje publike në zgjedhjet e ardhshme lokale për kandidatët për kryetar komune nga VMRO DPMNE, koalicioni "Maqedonia juaj", koalicioni VLEN dhe partia politike ZNAM, tha sot kryeministri dhe lider i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në pyetjen e gazetarëve për intervistën e djeshme të liderit të LSDM-së,Venko Filipçe, në të cilën ai deklaroi se është i interesuar që në komuna të caktuara të bëjë koalicion me VMRO-DPMNE-në.
- Post By Sara Ademi
- 14:21, 7 mars, 2025

Shkup, 7 mars 2025 (MIA) - Pres mbështetje publike në zgjedhjet e ardhshme lokale për kandidatët për kryetar komune nga VMRO DPMNE, koalicioni "Maqedonia juaj", koalicioni VLEN dhe partia politike ZNAM, tha sot kryeministri dhe lider i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në pyetjen e gazetarëve për intervistën e djeshme të liderit të LSDM-së,Venko Filipçe, në të cilën ai deklaroi se është i interesuar që në komuna të caktuara të bëjë koalicion me VMRO-DPMNE-në.
"Sepse jam i bindur se politikat që i ndjek ky koalicion janë me të vërtetë politika që janë në interes të popullit, andaj kur them se pres përkrahje sociale realisht e kam fjalën”, tha Mickoski.
Ai theksoi se nuk e ka shikuar intervistën me liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, sepse ai ka pasur takime dhe ka punuar vonë.
"Por mora informacion, edhe pa një brifing nga ekipi im, se ai është ndoshta një nga politikanët e rrallë që në skenë të hapur tregon mirëkuptim për politikat e Bashkimit Demokratik për Integrim. Pra më thanë se po tregon mirëkuptim për argumentet e Bashkimit Demokratik për integrim, diçka për të cilën tashmë po flasim, se koalicioni E Majta, LSDM, BDI po funksionon në mënyrë perfekte”, tha Mickoski.
I pyetur për kandidatët e mundshëm për kryetar të qytetit të Shkupit, Zllatko Perinski dhe Orce Gjeorgievski, Mickoski është përgjigjur se është mirë të ketë interes për këtë pozitë dhe siç tha ai, as njëri dhe as tjetri nuk i kanë thënë zyrtarisht personalisht nëse janë të interesuar të jenë pjesë e kandidatëve që do të jenë në zgjedhjet brendapartiake.
"Por, unë do t'i dëgjoj këshillat tuaja, kur të fillojmë sondazhet për matjen e kandidatëve potencialë për qytetin e Shkupit, ndër të tjerët do t'i përfshijmë edhe të dy emrat", tha Mickoski. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s