• e hënë, 10 mars 2025

Simulim i gjendjes së jashtëzakonshme për testimin e kapaciteteve të MPB-së dhe TAV Maqedoni

Simulim i gjendjes së jashtëzakonshme për testimin e kapaciteteve të MPB-së dhe TAV Maqedoni

Shkup, 9 mars 2025 (MIA) - Stërvitje për simulimin e krizës së pengjeve është mbajtur sot në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit nga pjesëtarë të Forcave speciale të MPB-së në bashkëpunim me shërbimet e sigurimit të aeroportit TAV Maqedoni që për qëllim ka të testojë kapacitetet e institucioneve në nivel kombëtar si dhe të operatorit ekonomik TAV për t'u përballur me situata të tilla si dhe vlerësimin e efikasitetit të planit për situata emergjente dhe gjendje të jashtëzakonshme të aeroportit, protokollet për komunikim dhe koordinim mes më shumë pjesëmarrësve.

Drejtori i Byrosë për siguri publike pranë MPB-së, Aleksandar Janev, theksoi se stërvitja zhvillohet në nivel jashtëzakonisht profesional dhe shpejtësia e reagimit është e përshtatshme ku dhe një skenar i këtillë tregon se sa jemi të përgatitur si sistem për të respektuar procedurat dhe për t'iu përgjigjur kërcënimeve reale.

“Siguria e objekteve të tilla infrastrukturore vitale dhe e çdo individi, pa dallim nëse është i punësuar apo udhëtarë në aeroport, është e një rëndësie kyçe për ne si polici, por edhe për qeverinë, sepse duke forcuar dhe respektuar protokollet e parashikuara për situata të tilla, implementimi i tyre na vendos në një nivel të lartë si shërbim dhe si shtet përsa i takon sigurisë së aeroportit në nivel evropian dhe botëror", ka thënë Janev i cili shtoi se nga inspektimet e kryera deri më tani nuk ka pasur vërejtje të mëdha. 

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Pero Lupevski, theksoi se ngjarja është e një rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë e aeroportit dhe udhëtarëve.

"Me këtë stërvitje demonstrojmë gatishmëri, koordinim dhe profesionalizëm në ballafaqimin me kërcënimet e mundshme. Niveli i lartë i trajnimit, shpejtësia e reagimit dhe bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve janë çelësi për mbrojtjen e sigurisë operacionale të aeroportit. Ky nuk është vetëm trajnim, ky është një premtim për siguri, besim dhe parandalim të suksesshëm. Vazhdojmë si TAV Maqedoni të investojmë në trajnime dhe modernizim për të arritur dhe ruajtur standardet më të larta të sigurisë”, ka thënë Lupevski.

Gjatë stërvitjes të organizuar nga operatori i aeroportit, TAV Maqedoni të gjitha departamentet përkatëse të Aeroportit ndërkombëtar të Shkupit dhe Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me shërbimet kombëtare për reagim ndaj situatave emergjente të shkaktuara nga akte të sjelljes së paligjshme, u simulua gjendje e jashtëzakonshme me një dërgesë me vlerë të lartë, pengje, pajisje të improvizuar shpërthyese, zjarr në hapësirë të mbyllur në depon pranë Kargo-s në TAV Maqedoni. Stërvitja ofroi një mundësi reale, praktike për reagim të shpejtë dhe efektiv rreth koordinimit ndërinstitucional ndërmjet departamenteve në Aeroportin e Shkupit, Ministrisë së Brendshme, shërbimeve lokale dhe kombëtare për gjendje të jashtëzakonshme si dhe palëve dhe aktorëve të tjerë të prekur.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR