• e hënë, 10 mars 2025
MIA FLESH

09:00/7 mars/2025

Shkup - Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon sot pasi që në Gjykatën themelore penale Shkup në seancën e kaluar u nxorën dëshmi me propozim të mbrojtjes së të akuzuarit Ljupço Palevski. Në seancën e ardhshme të caktuar për më 12 mars  është paraparë të fillojë marrja në pyetje e të akuzuarve. Në Gjykatën penale në seancën e kaluar u dëgjua dëshmitari Stojan Kujunxhieski i cili dëshmoi se së bashku me kolegët nga SPB Veles kryen gjurmim pas të zhdukurit Zhezhovski, si dhe për bastisjen në shtëpinë e Bore Videvskit, ku u gjetën një pushkë gjuetie dhe plumba nëntë milimetërshe për pistoletë.

Shkup - Zgjedhja e gjithsej dyzet e shtatë prokurorëve në tetëmbëdhjetë prokurori publike është në rend dite në seancën e 20-të të Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila do të mbahet sot me fillim nga ora 10:30 në hapësirat e Këshillit. Më së shumti, gjegjësisht 14 prokurorë, duhet të zgjedhen në Prokurorinë Themelore Publike Shkup. Në Prokuroritë Themelore Publike në Veles, Dellçevë, Koçan, Kriva Pallankë, Radovish, Resnjë dhe Strugë do të zgjedhet nga një prokuror publik.

Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, në kuadër të vizitave në terren në komuna "Aty ku zemra është në shtëpi", të organizuara nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, sot do të marrin pjesë në fillimin e rikonstruimit të mureve mbajtëse dhe rregullimit të shtratit të lumit Rada e Vogël në fshatin Draçevë në Komunën e Kisella Vodës. Vlera e projektit për rikonstruimin e mureve mbajtëse dhe rregullimin e shtratit të lumit Rada e Vogël në gjatësi prej 2,5 kilometrave dhe gjerësi 4 metra arrin 30.000.000 denarë.

Shkup - Forumi i tretë gjyqësor për barazi gjinore dhe gjyqësorin në Ballkanin Perëndimor do të mbahet sot në Shkup, në prag të shënimit të 75 vjetorit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Forumi organizohet nga Qendra AIRE (AIRE Centre), në partneritet me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe Ambasadën britanike në Maqedoninë e Veriut.

Shkup – Komisioni kuvendor Ligjvënës – Juridik sot në seancë duhet të debatojë për Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërtim, në lexim të parë. Qëllimi i Propozim ligjit është që të rregullohet statusi i atyre ndërtimeve të cilat janë në një fazë të caktuar të ndërtimit, të mund të vazhdojnë në fazën e mëtutjeshme sipas dispozitave të Ligjit për ndërtim me dorëzimin e dëshmive shtesë pa ngarkesa të shtuara financiare për buxhetin shtetëror.

Shkup - Kuvendi sot do t'i mbajë seancat e 38-të, ku duhet të debatohet për disa propozim vendime dhe ligje, si dhe të 39-të, e cila është me pikë të vetme në rend të ditës "30 vjet angazhime dhe arritje për përmirësimin e statusit të gruas dhe plane të ardhshme për veprim”. Në kuadër të seancës së 38-të, deputetët do të debatojnë për Propozim vendimin për shpalljen e konkursit publik për emërimin e anëtarëve të Këshillit programor të Radio-televizionit të Maqedonisë, si dhe për propozim-vendimet për emërimin e anëtarit të Komisionit shtetëror për vendimmarrje në procedurë administrative, procedurë për marrëdhënie pune dhe mbikëqyrje inspektuese në shkallë të dytë, dhe të drejtorit dhe zëvendës drejtorit të Agjencisë për administrim.

Shkup – Moti sot do të jetë i kthjellët dhe më i ftohtë, gjatë ditës me diell dhe i ngrohtë me vranësira të vogla lokale. Do të fryjë erë e lehtë e ndryshueshme, njoftoi Drejtoria e Punëve Hidrometeorologjike. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej -5 deri 3, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 16 deri 22 gradë.

Bruksel - Të gjithë duam paqe dhe ndryshimi është se 26 vende besojnë se rruga drejt paqes është përmes forcimit të kapaciteteve të Ukrainës, ndërsa Hungaria ka një pikëpamje të ndryshme, deklaroi Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Koshta në lidhje me dështimin e liderëve të BE-së në Samitin e djeshëm për të miratuar konkluzione në mbështetje të Ukrainës, për shkak të kundërshtimit të kryeministrit hungarez Viktor Orban. "Këtu s'ka ndarje. Ne 26 vende vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, siç kemi bërë që nga dita e parë (e invazionit rus) më 24 shkurt të vitit 2022, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë të bashkuar, tha Koshta në konferencën e përbashkët për media me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen pas përfundimit të Samitit.

Pekin – Kina bën thirrje për bisedime për dhënien fund të luftës në Ukrainë, informojnë agjencitë botërore. Këtë thirrje e bëri ministri kinez i punëve të jashtme, Vang Ji, gjatë konferencës për media në margjinat e mbledhjes së parlamentit kinez. “Në konflikt nuk ka fitues, ndërsa në bisedime nuk ka humbës. Tryeza e bisedimeve është edhe fund i konfliktit dhe pika e fillimit të paqes”, deklaroi Vang.

Kiev - Forcat e armatosura ruse sot po kryejnë sulme masive ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, kumtoi ministri i Energjetikës së Ukrainës, German Galushçenko. "Infrastruktura e shpërndarjes së energjisë dhe përçimit të gazit në disa zona të Ukrainës është sërish e ekspozuar në bombardime masive me dronë dhe sulme me raketa", shkroi Galushçenko në "Fejsbuk".

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp përsëri ka vënë në pikëpyetje përkushtimin e SHBA-së ndaj NATO-s, duke theksuar se SHBA-ja nuk duhet të ndihmojnë vendet, të cilat, sipas tij, nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre. "Nëse nuk paguajnë, nuk do t'i mbroj", deklaroi presidenti amerikan para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se vendet anëtare të NATO-s "duhet të paguajnë më shumë".

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp mbrëmë deklaroi se me siguri do të realizojë udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në Arabinë Saudite për të nënshkruar marrëveshje me Riadin për investim më shumë se një mijë miliardë dollarë në ekonominë amerikane, duke përfshirë edhe blerjen e pajisjeve ushtarake. Tramp tha se me siguri do të udhëtojë atje brenda një muaji e gjysmë. Ai shtoi se udhëtimi i tij i parë jashtë vendit gjatë mandatit të tij të parë ishte në Riad në vitin 2017, për të publikuar investime në Arabinë Saudite, atëherë të vlerësuar në 350 miliardë dollarë.

QËNDRONI TË LIDHUR