• e diel, 09 mars 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 9 mars/ 2025

Shkup– Nëse cenohet Ligji i gjuhëve, gjithsesi se do të ketë krizë politike, thotë Blerim Bexheti nga BDI në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Ai vlerëson se në një situatë të tillë nuk do të mund të mbaheshin zgjedhje lokale. Shtetit, sipas tij i duhen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.  I pyetur për paralajmërimin e BDI-së se nuk do të ketë zgjedhje lokale nëse me to paralelisht nuk mbahen edhe zgjedhje parlamentare, nëse cenohet Ligji për gjuhët dhe nëse kjo mund të interpretohet si bojkot, ose si paralajmërim për krizë politike që do të pengojë të mbahen zgjedhje lokale, Bexheti thotë – “përkundrazi, ne nuk kemi paralajmëruar kurrfarë bojkoti, ne gjithnjë kemi qenë dhe jemi të gatshëm për zgjedhje, edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, legjitimiteti i zgjedhjeve i shqiptarëve etnikë, dhe bashkësive të tjera etnike është te Fronti Evropian”.

Shkup- Rrjetet sociale janë pjesë e përditshmërisë së të rinjve, por përdorimi jo i duhur i tyre mund të shkaktojë pasoja të rënda. Kjo çrregullon veçanërisht procesin mësimor, i cili në mungesë të masave të duhura mund të ketë ndikim shkatërrues në procesin arsimor. Prindërit dhe mësuesit, me mbështetjen e institucioneve, luajnë rol kyç në edukimin dhe mbrojtjen e të rinjve. Në këtë drejtim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Transformimit Digjital kanë hartuar udhëzime për përdorimin e rrjeteve sociale, të cilat synojnë të ndihmojnë mësuesit dhe prindërit në orientimin e fëmijëve drejt përdorimit korrekt dhe të sigurt të internetit dhe rrjeteve sociale, me theks në qëllimet edukative dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Shkup– Pas një procedure të zbatuar hetuese, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka parashtruar Aktakuzë kundër një personi për vepër penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 (në tentim) nga Kodi Penal. Lidhur me ngjarjen e njëjtë, është parashtruar edhe Aktakuzë kundër edhe një personi për – Ndihmë të kryerësit pas veprës së kryer penale sipas nenit 365 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 nga Kodi Penal. I akuzuari 37-vjeçar, për shkak të marrëdhënieve të mëparshme të pazgjidhura debitor – kreditor, më 10.12.2024 në fshatin Mirkovc me paramendim ka bërë përpjekje që ta privojë nga jeta një person, njoftoi sot Prokuroria Publike. 

Shkup - Dje, ndërsa bota shënoi Ditën Ndërkombëtare të Grave, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) rikonfirmoi përkushtimin e tij për fuqizimin e grave në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kontributet e grave në biznes, arsim, politikë dhe inovacion janë forca shtytëse e shoqërive tona, megjithatë sfidat për arritjen e barazisë së plotë gjinore mbeten ende aktive. Madje, më shumë se gjysma e popullsisë në Ballkanin Perëndimor janë gra dhe pothuajse gjysma e fuqisë punëtore përbëhet nga gra. Gjatë viteve kemi parë përparime – rritje të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, reforma politike dhe përpjekje më të forta avokuese. Megjithatë, realiteti mbetet i vështirë: gratë ende fitojnë 16% më pak se burrat, vetëm 1 në 7 menaxherë të nivelit të lartë është grua dhe vetëm 1 në 3 vende në parlament mbahet nga një grua. Përparimi është i dukshëm, por po ashtu edhe puna që mbetet për t’u bërë.

Shkup – Në Berovë sot në mëngjes në orën 7 janë matur – 4 gradë, -3 në Manastir, -2 në Hanet e Mavrovës, -1 në Shkup-Petrovec, Strumicë, Tetovë dhe Veles, 0 gradë në Demir Kapi, Gjevgjeli dhe Ohër, 1 në Prilep, Kumanovë, Kriva Pallankë dhe Pretor, 2 në Shkup – Zajçev Rid, Shtip dhe Kavadar, 3 në Kodër të Diellit, 5 në Krushevë, ndërsa 6 në Vinicë, informon Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM).  Në Kodër të Diellit ka 15 centimetra borë.

Stamboll – Autoritetet turke arrestuan 112 persona në Stamboll gjatë demonstratave në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke i liruar të gjithë përveç njërit i cili mbeti në paraburgim, njoftuan sot organizatorët.  Demonstratat për shënimin e ngjarjes, të cilat u mbajtën dje, me vite të tëra janë të ndaluara në Stamboll. Arsyetimi i dhënë këtë vit ishte se ato mund ta rrezikojnë “rendin publik dhe paqen shoqërore”, transmetoi DPA.  Qindra njerëz u grumbulluan dje në protestë paqësore në qendër të qytetit, duke sfiduar ndalesën, duke brohoritur slogane si “Të rrojë lufta jonë feministe”. 

Bruksel - Komisioni Evropian i Ursula fon der Lajen në njëqind ditët e para të mandatit të tij, u përqendrua në dy përparësi kryesore – konkurrentësinë dhe mbrojtjen – duke lënë përshtypjen se është më i prirur drejt sektorit të biznesit, por që ende nuk ka vendosur një vijë të qartë të politikës së tij, konsiderojnë analistët nga Brukseli. Sipas analistit politik të Qendrës së Politikave Evropiane të Brukselit (EPC), Erik Moris, duke marrë parasysh hendekun në rritje të konkurrentësisë midis Evropës, nga njëra anë, dhe Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, nga ana tjetër, është e qartë se ekziston një ndjenjë urgjence për t'u përballur me këtë sfidë, kështu që nuk duhet habitur që propozimi i parë i rëndësishëm i Komisionit të ri Evropian ishte Kompasi i konkurrentësisë.

Kiev– Të paktën gjashtë persona janë vrarë në sulmet ruse ndaj Ukrainës gjatë 24 orëve të fundit, njoftuan autoritetet rajonale.  Rusia gjatë natës ka lansuar 119 dronë mbi Ukrainë, ndërsa mbrojtja kundërajrore ukrainase ka rrëzuar 73.  Guverantori i rajonit Donjeck, Vadim Filashkin njoftoi se dy persona janë vrarë në qytetet Pokrovsk dhe Siversk, përderisa 23 persona janë plagosur.  Në rajonin Harkov një fëmijë 14-vjeçar është vrarë gjatë granatimit rus në fshatin Kivsharivke, konfirmoi guvernatori rajonal. 

Berlin – Aeroporti në Hamburg sot është mbyllur për shkak të grevës, ndërsa të punësuarit gati se në të gjitha aeroportet, duke i përfshirë edhe qendrat kryesore të Gjermanisë në Frankfurt, Munih dhe Berlin, nesër do të ndërpresin punën me thirrje të sindikatës Verdi. Sindikata Verdi i kishte bërë thirrje më parë personelit tokësor, mbajtësve të bagazheve dhe personelit të sigurisë së aeroportit që të hynin në grevë njëditore.

Paris – Ministri francez i punëve të jashtme Zhan – Noel Baro thotë se presidenti rus Vladimir Putin “shfaq ethe të mëdha” para Ukrainës dhe aleatëve të saj, duke theksuar se Evropa dëshiron “paqe të drejtë dhe të përhershme” dhe se Putini dëshiron ta shmangë këtë.  Në intervistë për “Parizien”, Baro shfaqi bindje se samiti evropian, që u mbajt të enjten në Bruksel, do të jetë “vendimmarrës për sigurinë evropiane aq sa formimi i NATO-s në vitin 1949”.

Uashington– Kur presidenti amerikan Donald Tramp pezulloi dy programe të cilat sigurojnë ndihmë amerikane për inspektorët ndërkombëtarë bërthamorë në fillim të janarit, ai potencialisht e rrezikoi qëllimin e tij që ta parandalojë Iranin të zhvillojë arsenal bërthamor, shkruan Nju Jork Tajms. Edhe pse një nga dy programet më vonë ishte rinovuar, pasojat nga këto vendime, siç thekson Nju Jork Tajms, sjellën rënien e besimit në përpjekjet që mundësuan me dekada të ndiqet progresi i Iranit drejt prodhimtarisë së armës bërthamore.  Në analizë theksohet se shqetësimi i disa ekspertëve se këto pengesa do të pengojnë profesionistët që të angazhohen në sferën e mospërhapjes së armës bërthamore dhe do ta komplikojnë luftën globale kundër përhapjes së armës së tillë. 

Gazë– Dy palestinezë u vranë nga “granatimi artilerik” izraelit në qarkun lindor Shexhaia në qytetin Gazë, informuan mediat palestineze.  Deri më tani nuk ka koment nga armata izraelite (IDF). Forcat izraelite ende janë të sistemuara në zonën tampon përgjatë kufirit me Gazën për shkak të armëpushimit, ndërsa IDF vazhdimisht i paralajmëron palestinezët që të mos i afrohen zonës.

Barcelona - Braziliani Rafinja është një nga lojtarët më të mirë të Barcelonës këtë sezon, ndërsa dëshmi për këtë është fakti se ai ka shënuar 24 gola, duke e bërë lojtarin më të mirë në La liga. Pas tij janë Kilian Mbape nga Real Madridi me 23 gola dhe ylli i Liverpulit, Mo Salah me 21 gola të shënuar. E gjithë kjo ka ndikuar që drejtuesit e gjigantit katalunas t'i ofrojnë amerikano-jugorit kontratë të re, pavarësisht se kalimi i tij në Arabinë Saudite dukej shumë i sigurt. Mediat botërore bën të ditur se Barcelona ka pasur një ofertë prej 100 milionë euro për Rafinjën, ndërsa vetë lojtari do të merrte pagë prej rreth 15 milionë euro nëse do të kalonte te Al-Hilal. Megjithatë, klubi vendosi që brazilianit t'i ofrojë kontratë të re deri në vitin 2030, duke e bërë atë një nga lojtarët më të paguar në skuadër.

Mançester– Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola deklaroi se “qytetarët” duhet të bëjnë më shumë përpjekje për t’u kualifikuar në Ligën e kampionëve. "Skuadra duhet të tregojë lojë më të mirë dhe nevojitet një përpjekje më e madhe për t'u kualifikuar në Ligën e kampionëve. Situata nuk është e lehtë, por duhet të vazhdojmë të punojmë. Kanë mbetur edhe 10 raunde dhe pas ndeshjes me Brajtonin të shtunën do të bëhet më e qartë se çfarë do të ndodhë më pas”, deklaroi Guardiola për ESPN. Pas 28 ndeshjeve, Siti gjendet në vendin e katërt në renditjen e Premier ligës dhe ndodhet në zonën e Ligës së kampionëve.

QËNDRONI TË LIDHUR