• e hënë, 10 mars 2025
MIA FLESH

12:00 / 7 mars / 2025

Shkup - Ministria për Çështje Evropiane përshëndet vendimin e Këshillit Evropian të Pagesave (EPC) për zgjerimin e shtrirjes gjeografike të Zonës së vetme të pagesave në euro (SEPA), me çka Maqedonia e Veriut dje u bë pjesë e kësaj zone të rëndësishme financiare evropiane. Anëtarësimi në SEPA nënkupton transaksione më të lehta, më të shpejta dhe më të lira për qytetarët dhe kompanitë. Dërgesat nga BE-ja do të arrijnë më shpejt dhe me shpenzime më të ulëta ndërkaq bizneset do të kenë pagesa të thjeshta në Evropë. Gjithashtu,  anëtarësimi do të përforcojë besimin ndërkombëtar në sektorin financiar të Maqedonisë së Veriut dhe do të thellojë marrëdhëniet tregtare me Zonën Ekonomike Evropiane.

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti kryetarin e Saborit kroat, Gordan Jandrokoviq i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend. Që të dy, siç kumton Kabineti presidencial, kujtuan fillimet e përbashkëta të integrimit evropian njëzet vjet më parë, por me një përfundim krejtësisht të ndryshëm. Për presidenten, përvoja eurointegruese kroate është një mësim i rëndësishëm për ne dhe Kroacinë, pasi miku ynë i dëshmuar mund të na ndihmojë shumë me mësimet e nxjerra në procesin e eurointegrimit.

Shkup - Sot shënohet 7 Marsi- Dita e mësuesit, një festë e cila i kushtohet mësimdhënësve në shkolla dhe universitete. Shtatë marsi e ka zanafillën e hershme, që kujton themelet e para të shkollës shqipe – në fakt ka filluar të kujtohet që kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe në Korçë. Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë u themelua më 7 mars 1887.

Shkup – Me ftesë të kompanisë izraelite Elbit Systems, e cila është partnere e jona shumëvjeçare në avancimin e sistemeve teknike dhe kapaciteteve të sigurisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, veçanërisht në kuadër të projektit “Qyteti i sigurt”, këto ditë po qëndroj në Izrael, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në profilin e tij në Fejsbuk. Kjo vizitë, shkroi ai, përfaqëson mundësi të rëndësishme për shkëmbim të përvojave dhe njoftim me zgjidhjet më të reja teknologjike të cilat i zhvillon Elbit për përballje me sfidat moderne të sigurisë. Fokus i veçantë ishte vendosur në inovacionet në mbrojtjen e kufijve, sigurinë urbane dhe luftën kundër terrorizmit, si dhe mundësitë për integrim të teknologjive të avancuara në sistemin e sigurisë së vendit tonë.

Shkup - Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) në prag të Ditës ndërkombëtare të gruas - 8 mars sot apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të përgjegjshëm sepse, siç shprehen ata, çdo grua meriton të jetë e sigurt në rrugë. "Festa e 8 marsit na kujton rolin e rëndësishëm të gruas në shoqërinë tonë. Në këtë festë e cila i kushtohet gjinisë më të bukur, bëhuni  pjesëmarrës të përgjegjshëm dhe të sigurt në komunikacion, sepse çdo grua meriton të jetë e sigurt në rrugë. Gratë kanë forcë, guxim, njohuri dhe aftësi në trafik, por ato janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të shumta si pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. Për fat të mirë, ata dinë të mbrohen, qofshin shoferë, pasagjerë apo në çfarëdo mënyre pjesëmarrëse në komunikacion", thuhet në njoftim.

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dërgoi urim me rastin e festës 7 Marsi - Dita e Mësuesit dhe Shkollës Shqipe.  "Më lejoni të shpreh nderimet e mia të sinqerta për të gjithë mësimdhënësit, të cilët me përkushtim dhe dashuri formësojnë brezat e ardhshëm. Angazhimi juaj fisnik është udhërrëfyes për sukseset tona dhe zhvillimin e shoqërisë. Arsimimi është veprimtari e shenjtë dhe armë e fuqishme për të ndryshuar botën, prandaj mësuesit kanë meritën më të madhe në çdo progres të shoqërisë", thuhet në urimin e Gashit.

Shkup – Mëngjesin e sotëm në Berovë është më ftohtë me temperaturë të matur – 5 gradë Celsius, në Krushevë është më ngrohtë me 6 gradë. Në Kodër të Diellit shtresa e borës është 19 centimetra. Në Manastir janë matur -4 gradë, Strumicë -3, Shkup-Petrovec, Veles, Demir Kapi dhe Hanet e Mavrovës -2, në Tetovë, Prilep, Shtip dhe Gjevgjeli -1 gradë, 0 gradë në Ohër, Kumanovë, Kavadar, 1 Shkup – Zajçev Rid, Pretor dhe Kriva Pallankë, 3 Kodër të Diellit dhe 4 gradë në Vinicë.

Prishtinë - Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë përfundoi të mërkurën, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LV) e kryeministrit Albin Kurti mori më së shumti - 42,28 për qind të votave, duke siguruar 48 vende, por jo mjaftueshëm për të formuar një qeveri të re të Kosovës vetëm me ndihmë të të komuniteteve pakicë joserbe, njoftoi Beta. Kurti vazhdon të theksojë se partia e tij do të formojë qeverinë e re.

Tetovë - SPB Tetovë sot informoi se dje është raportuar se është lënduar një foshnje 15 muajshe pasi është goditur karroca në të cilën e bartnin prindërit e tij. Karroca është goditur nga një automjet, pas së cilës shoferi nuk është ndalur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. "Me datë 06.03.2025 në ora 15:30 në SPB Tetovë është raportuar se në rrugën “JNA” është raportuar një aksident trafiku, në të cilin automjeti “Pasat” me targa të Tetovës ka goditur një karrocë në të cilën ka qenë i ulur një fëmijë pesëmbëdhjetë muajsh, i cili me prindërit E.H dhe F.H nga Tetova ka qenë duke kaluar vendkalimin për këmbësorë, dhe pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes. Menjëherë janë ndërmarrë veprimet dhe pas kontrollit të raportuar në orën 16:30 është gjetur dhe siguruar për procedurë të mëtutjeshme automjeti i drejtuar nga A.M (67). Fëmija i mitur në aksident ka pësuar lëndime trupore dhe është pranuar në Spitalin klinik të Tetovës", informoi SPB Tetovë

Prishtinë - Më 7 Mars kujtojmë themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887, një akt i guximshëm i patriotëve tanë, që e kuptuan se pa gjuhë dhe dije, nuk ka as komb të suksesshëm, thotë në urimin e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. “Sot, shkolla është më shumë se një institucion mësimor – është fortesa ku ndërtohet e ardhmja. Mësuesit mbeten shtylla e shoqërisë dhe ata që formësojnë mendjet dhe zemrat e kombit. Në këtë ditë, nderojmë të gjithë mësuesit – ata që na mësuan shkronjat e para dhe ata që ende mësojnë brezat e rinj. Respekt, mirënjohje dhe përulësi para misionit të tyre fisnik! Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesve!”, thuhet në urimin e Osmanit.

Tiranë - Qeveria shqiptare dje vendosi  të mbyllë TikTok-un për 12 muaj për shkak të “përmbajtjeve që publikon që nxit dhunë dhe bullizëm, veçanërisht te fëmijët”. Ministrja e Arsimit Ogerta Manastriliu tha se zyrtarët janë në kontakt me TikTok-un për instalimin e filtrave të kontrollit prindëror, si dhe verifikimin e moshës dhe përfshirjen e gjuhës shqipe në aplikacion. "Autoritetet mbajtën 1300 takime me rreth 65000 prindër të cilët "rekomanduan dhe mbështetën mbylljen ose kufizimin e platformës TikTok", tha ministrja.

Athinë - Deputetët e Kuvendit të Greqisë, sonte do të vendosin për kërkesën e katër partive opozitare për votimin e mosbesimit ndaj Qeverisë për shkak të aksidentit hekurudhor në afërsi të Tempit, ndërsa protesta të reja janë caktuar mbarë Greqinë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Votimi vjen në fund të një debati treditor, që filloi të mërkurën, ndërsa për momentin, nuk pritet propozimi të votohet, duke marrë parasysh se grupi parlamentar i Demokracisë së Re ka shumicë prej 156 deputetësh, nga  gjithsej 300 në Parlament.

Budapest - Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka vendosur të shpall referendum për çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, njoftuan mediat hungareze. Kryeministri mbrëmë para përfaqësuesve të mediave në Bruksel, ku u mbajt samiti i jashtëzakonshëm i BE-së për Ukrainën, deklaroi se çështja e anëtarësimit të Ukrainës në bllokun evropian duhet të ngrihet përsëri "seriozisht" dhe se duhet marrë një "vendim i përgjegjshëm" në rrethanat aktuale. Një vendim i tillë nuk duhet të merret pa opinionin, kështu që një referendum për këtë çështje do të mbahet në Hungari, shtoi Orban. Sipas tij, mund të pritet në javët në vazhdim.

Frankfurt - Punonjësit e aeroportit në Frankufrt të hënën do të mbajnë grevë si pjesë e një mosmarrëveshje të vazhdueshme rreth pagave. Grevën e cila do të zgjasë 24 orë e ka paralajmëruar sindikata Verdi pas dështimit të raundit të dytë të negociatave për marrëveshjen kolektive të punës. Sindikata e cila kërkon rritjen e pagës mujore për 8 për qind, ose të paktën 350 euro, vendosi të thërrasë grevë paralajmëruese pasi negociatat dështuan në shkurt.

Paris – Një bombë e pashpërthyer nga Lufta e Dytë Botërore është zbuluar mëngjesin e sotëm gjatë kohës sa realizoheshin punime në stacionin Gar du Nord (Gare du Nord) në Paris. Komunikacioni rreth stacionit është ndërprerë plotësisht. Ndërprerja e komunikacionit ka të bëjë me linjat lokale të metrove dhe trenat ndërurban dhe ndërkombëtarë, njoftoi kompania hekurudhore TER. Bomba ishte zbuluar në binarët rreth 2,5 kilometra nga stacioni.

Zagreb - Tre fëmijë të moshës prej tre, shtatë dhe nëntë vjeç humbën jetën në një zjarr që mbrëmë e kaploi shtëpinë e tyre familjare në lagjen rome Kurshanec në Çakovec, kumtoi policia kroate. Sipas informacioneve fillestare, zjarri shpërtheu rreth orës 22:30 në papafingon e shtëpisë. Në momentin e zjarrit, nëna (25) dhe babai (29) kanë arritur të dalin nga shtëpia, me ç'rast gruaja ka nxjerrë foshnjen e lindur vitin e kaluar. Ajo së bashku me fëmijën janë dërguar në spitalin në Çakovec, ku u janë konstatuar lëndime të lehta.

Tokio - Sekretari kryesor i kabinetit të kryeministrit japonez, Joshimasa Hajashi, deklaroi se Tokio ka "besim të plotë" se Shtetet e Bashkuara do t'i përmbushin obligimet e veta sipas marrëveshjes dypalëshe të sigurisë për mbrojtjen e Japonisë. Kjo deklaratë vjen pasi presidenti amerikan Donald Tramp e vuri në dyshim paktin, duke e quajtur atë jo reciprok. Hajashi theksoi se Japonia e sheh aleancën me SHBA-në si themelin e mbrojtjes dhe diplomacisë së saj dhe se do të shqyrtojë në mënyrë aktive forcimin e aftësive për përgjigje dhe reagim në kuadër të bashkëpunimit me Uashingtonin.

Kiev - Delegacionet e SHBA-së dhe Ukrainës do të takohen të martën në Arabinë Saudite për të diskutuar për atë që Uashingtoni po e quan një "armëpushim fillestar me Rusinë". Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski konfirmoi se javën e ardhshme do të udhëtojë në Arabinë Saudite, por nuk do të marrë pjesë personalisht në negociata, por këtë detyrë do ta marrin përsipër diplomatët. Zelenski shfaqi shpresën se takimi do të jetë "i rëndësishëm" dhe theksoi se Kievi po punon për të arritur "paqe të shpejtë dhe të qëndrueshme".

Kiev - Forcat ruse kanë kryer sulmin e 17-të të kombinuar në objektet e infrastrukturës të grupit "Naftogaz" të Ukrainës duke dëmtuar objektet e prodhimit të gazit, kumtoi kompania në ueb faqen e internetit. "Ky është sulmi i shtatëmbëdhjetë i kombinuar në objektet e infrastrukturës "Naftogaz" për transportin e gazit. Uzinat prodhuese që sigurojnë gaz janë dëmtuar. Fatmirësisht, nuk ka viktima", deklaroi Roman Çumak, shef i grupit "Naftogaz", transmeton "Ukrinform".

Kiev – Forcat ajrore ukrainase njoftuan sot se kanë shfrytëzuar aeroplanë ushtarakë Mirazh-2000, të dhuruara nga Franca, për herë të parë për refuzim të një sulmi rus. “Janë përfshirë edhe aeroplanë ushtarakë, veçanërisht aeroplanët F-16 dhe Mirazh-2000. Vlen të theksohet se aeroplanët francezë, të cilët mbërritën në Ukrainë para vetëm një muaji, për herë të parë morën pjesë në refuzimin e sulmit”, thuhet në kumtesën e forcave ajrore të publikuar në Telegram”, transmetuan mediat ukrainase.

Buenos Ajreos - Më shumë se katër vite pas vdekjes së Diego Armando Maradonës, të martën fillon gjykimi i shtatë nëpunësve shëndetësorë, të akuzuar për pakujdesi, që potencialisht ka sjellur deri në vdekjen e yllit argjentinas të futbollit. Gjykimi në San Isidro, paralagje e Buenos Ajres, pritet të zgjat deri nga mesi i korrikut, me marrjen në pyetje të pothuaj 120 dëshmitarëve, mes të cilëve familja, ekspertë dhe mjekë shumëvjeçarë të Maradonës.

Shkup – Raundi i tretë, përfundimtar në Ligën e parë të futbollit të Maqedonisë (LPFM) do të fillojë këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së 23-të. Pesë ndeshje janë në program të dielën nga ora 14:00, kur lideri Shkendija do të presë Pelisterin, ndërsa Gostivari në vendin e dytë do të luajë në shtëpi kundër Brera Strumicës. Vardari është mysafir i Sileksit, Struga e pret Voskën, ndërsa Shkupi do të luajë përballë Besës para tifozëve të tij.

QËNDRONI TË LIDHUR