MIA Flesh
- - Dita ndërkombëtare e gruas – 8 Marsi festohet çdo vit në kujtim të protestës së punëtoreve të tekstilit në Nju-Jork me kërkesë për të drejta më të mëdha, të mbajtura në këtë datë në vitin 1857. Kombet e Bashkuara filluan ta festojnë këtë ditë në vitin 1975, dhe dy vjet më vonë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u bëri thirrje vendeve anëtare të shpallin 8 marsin festë zyrtare të Organizatës Botërore kushtuar të drejtave të grave dhe paqes botërore. Që atëherë, Dita ndërkombëtare e gruas festohet në nivel global me fokus në lëvizjen e të drejtave të grave, barazinë gjinore, të drejtat riprodhuese dhe luftimin e dhunës dhe abuzimit ndaj grave. Sivjet motoja e OKB-së për shënimin e 8 Marsit është "Për TË GJITHA gratë dhe vajzat: Të drejta. Barazi. Forcim".
- Post By Fitore Curri
- 14:13, 8 mars, 2025

15:00/ 8 mars/ 2025
Shkup - Dita ndërkombëtare e gruas – 8 Marsi festohet çdo vit në kujtim të protestës së punëtoreve të tekstilit në Nju-Jork me kërkesë për të drejta më të mëdha, të mbajtura në këtë datë në vitin 1857. Kombet e Bashkuara filluan ta festojnë këtë ditë në vitin 1975, dhe dy vjet më vonë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u bëri thirrje vendeve anëtare të shpallin 8 marsin festë zyrtare të Organizatës Botërore kushtuar të drejtave të grave dhe paqes botërore. Që atëherë, Dita ndërkombëtare e gruas festohet në nivel global me fokus në lëvizjen e të drejtave të grave, barazinë gjinore, të drejtat riprodhuese dhe luftimin e dhunës dhe abuzimit ndaj grave. Sivjet motoja e OKB-së për shënimin e 8 Marsit është "Për TË GJITHA gratë dhe vajzat: Të drejta. Barazi. Forcim".
Shkup - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe 30-vjetorin e Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim, Zyra e UN Women në Maqedoninë e Veriut, në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë së Veriut, prezantojnë vulë postare përkujtimore. Ky gjest simbolik vë në pah përkushtimin e vendit ndaj barazisë gjinore dhe ndjekjes së vazhdueshme të mundësive të barabarta për gratë dhe vajzat. Vula postare, e cila do të përdoret ekskluzivisht më 8 mars, është krijim i dizajneres dhe feministes së talentuar, Nita Haxhihamza Gashi. Dizajni shfaq një grusht të ngritur të një gruaje - simbol i vendosmërisë, qëndrueshmërisë dhe kërkesës për të drejtat e grave - krahas numrit 30, që nënkupton tre dekada përparim dhe veprim të vazhdueshëm nga miratimi i Platformës së Pekinit.
Shkup - Në organizim të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe TAV Maqedonia sot dhe nesër në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit do të mbahet ushtrim simulues për situata të jashtëzakonshme. "U bëjmë thirrje qytetarëve që do të jenë pranë vendit ku mbahet ushtrimi që t'i respektojnë urdhërat e nëpunësve policorë me qëllim të qarkullimit të sigurt apo mbajtjen e rendit publik", njoftuan nga MPB.
Shkup – Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike mori Urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër një personi të dyshuar për vepër penale – Zhvatje në bazë të nenit 258 paragrafi 1 lidhur me nenet 19 (në përpjekje) dhe 22 (bashkëfajësi). I dyshuari 33-vjeçar nga Shkupi, bashkë me edhe një person i cili deri më tani nuk është identifikuar, me forcë dhe kërcënim serioz kanë bërë përpjekje të detyrojnë një dentist të dëmtuar që tu paguaj 5.000 euro, njoftoi prokuroria publike. Pasi një ditë më parë i dyshuari ishte lajmëruar dhe ka caktuar termin si pacient në ordinancë, më 29 janar dy bashkëpunëtorë kishin ardhur në terminin e caktuar. I dyshuari nga telefoni i tij mobil i ka treguar dentistit një video me kinse përmbajtje komprometuese dhe ka kërkuar nga ai 5.000 euro që të mos e publikojë.
Shkup – Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe do të jenë mbështetës i fuqishëm i politikave të cilat i zbaton Drejtoria e Doganave, është porosia kyçe nga vizita e ambasadores së SHBA-së, Angela Ageler, drejtoreshës së Zyrës për Luftë Ndërkombëtare Kundër Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjeve Virxhinia Eliot dhe zëvendësshefin e Zyrës për Bashkëpunim Ushtarak Dypalësh, Daniel Silver në Drejtorinë e Doganave. “Prania ime këtu është t'ju falënderoj dhe t'ju përgëzoj për rezultatet e tetë muajve të fundit, të cilat janë të mahnitshme. Mirënjohje për doganierët që janë në kufi dhe mbrojnë qytetarët. Hapat që po ndërmerrni janë shumë të rëndësishëm për ne, por aq më tepër për qytetarët tuaj dhe sigurinë e shtetit. Në të njëjtën kohë, mbledhja më e lartë e të ardhurave do të thotë më shumë fonde për qytetarët tuaj. Ne jemi partnerët, miqtë tuaj dhe do të jemi këtu për ju”, theksoi ambasadorja Ageler në takimin me drejtorin e Drejtorisë së Doganave Boban Nikollovski, zëvendësdrejtorin Garip Kaba dhe ekipin, në kuadër të vizitës në Drejtorinë e Doganave. Drejtori Nikollovski shprehi mirënjohje të veçantë për Qeverinë e SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme në zbatimin e aktiviteteve të drejtuara drejt fuqizimit të kapaciteteve të Drejtorisë së Doganave.
Shkup - Mosha, ndotja, stresi, mënyra e jetesës, pesha trupore, aktiviteti fizik... janë ndër faktorët e rrezikut për dështimin e shtatzënisë. Vitet e fundit kam vënë re se ka një tendencë të lindjeve të parakohshme gjatë sezonit kur ndotja është më e madhe. Këto janë të dhëna tashmë të vërtetuara nga institutet e tjera, nga fakultetet tona, nga shkencëtarët që merren me këtë çështje, kështu që së shpejti do të dalim me rezultate konkrete në këtë temë, në mënyrë që të sensibilizojmë këtë aspekt të rëndësishëm, veçmas kur bëhet fjalë për të porsalindurin, gjegjësisht shëndetin e nënës, thotë në një intervistë për MIA-n enkas për Ditën e 8 Marsit, prof. dr. Ana Daneva Markova, shefe e departamentit për shtatzëni të hershme dhe me rrezik të lartë në Klinikën universitare për obstetrikë, gjinekologji dhe kryetare e Shoqatës maqedonase për mjekësi fetale. Prof. dr. Daneva Markova, thekson se në vendin tonë ka një trend të përmirësimit të shëndetit të nënës gjatë shtatzënisë, por edhe të foshnjave të porsalindura.
Shkup – Gratë nuk janë e ardhmja e energjetikës dhe minierave – gratë janë e tashmja, porositi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska në ngjarjen “Energjia e suksesit: Aty ku krijojnë gratë, e ardhmja ndryshon”. Kjo ngjarje, e organizuar nga ministrja Bozhinovska, u ishte kushtuar grave të cilat e formësojnë të ardhmen e energjetikës dhe minierave, industri të cilat tradicionalisht vlerësohen si “mashkullore”, por të cilat sot janë dëshmitarë të ndryshimeve të cilat i bëjnë pikërisht gratë. “Kur gratë janë pjesë e vendimeve, strategjitë energjetike janë më të mençura, ndërsa burimet shfrytëzohen në mënyrë më efikase. Kjo nuk është luftë që të njihemi, kjo është luftë për rezultate. Si ministre, puna ime nuk është vetëm të “motivoj” gra të hyjnë në sektor, por të siguroj kushte që ato të përparojnë në të”, theksoi Bozhinovska në fjalimin e saj.
Shkup – Përfundoi përmirësimi i sistemit për e-Shërbime tatimore përmes vendosjes së funksionalitetit të ri, parashtrimin e kërkesës për dhënien e kodit për identifikim për nënshkrim të llogaritjeve MPIN të përgatitura përmes sistemit vijues për llogaritje të pagave, i informon Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) tatimpaguesit dhe ushtruesit e veprimtarisë kontabiliste. “U bëhet thirrje tatimpaguesve që kanë probleme me kodet e identifikimit për nënshkrimin e llogaritjeve MPIN që të paraqesin kërkesa për lëshimin e kodeve të reja përmes sistemit e-Shërbime tatimore. Kërkesa gjendet në menynë ‘Shqyrtime dhe raporte’ në nënmenynë ‘Kërkesë për lëshimin e çelësit për përgatitjen e pagave’. Kodet e lëshuara do të vendosen në profilet tuaja në sistemin e-Shërbime tatimore në menunë e specifikuar”, thonë nga DAP.
Shkup - “Gratë nuk mund të bëjnë biznes” është një nga paragjykimet e shumta me të cilat përballen gratë sot kur vendosin të futen në profesione të ndryshme nga ato të pranueshme si “profesione femërore” si infermiere, rrobaqepëse, mësimdhënëse dhe shitëse. Edhe pse ka progres, femrat megjithatë ende nuk janë të barabarta me meshkujt, ndërsa këtë e dëshmojnë të dhënat se përqindja e femrave në poste drejtuese është më e ulët, ndërsa ndryshe vlerësohet puna e meshkujve dhe femrave për të njëjtin vend pune. Me paragjykime të tilla gjatë punës është përballur edhe bashkëbiseduesja jonë, kryetarja e Shoqatës së grave afariste në Maqedoni, Valentina Disoska e cila është pronare dhe menaxhere e një kompanie që punon në sferën e konsulencës dhe zhvillimit të softuerit, multimedias, marketingut, shitjeve onlajn dhe qasjes në financa.
Shkup – Temperaturë më e ulët sot në mëngjes është matur në Berovë -6, në Manastir -4, në Shkup – Petrovec, Strumicë, Demir Kapi, Hanet e Mavrovës -2, në Tetovë, Veles, Gjevgjeli -1, në Shkup – Zajçev Rid, Prilep, Kumanovë dhe Pretor 0, në Shtip, Kavadar, Kriva Pallankë dhe Ohër një gradë, në Kodër të Diellit tre dhe në Krushevë dhe Vinicë pesë gradë. Borë ka vetëm në Kodër të Diellit ku janë matur 15 centimetra. Moti sot do të jetë kryesisht me diell dhe i ngrohtë. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi jugor. Temperatura maksimale do të lëvizë në interval prej 17 deri 23 gradë.
Tiranë – Gripi i shpendëve H5N1 e zgjeroi hartën e infektimeve në Shqipëri dhe një nga fermat më të mëdha të shpendëve në vend e ka sëmundjen në katër objekte. Deri më tani janë shkatërruar 68.000 pula, ndërsa janë bllokuar 415.000 vezë. Shefja e kabinetit të Ministrisë së Bujqësisë, Ermira Gjeçi tha se vezët në treg janë të sigurta, sepse inspektorët e Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit e kanë tërhequr të gjithë sasinë e vezëve nga kjo fermë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, në treg nuk ka pula të infektuara dhe mish. Me qëllim që të parandalohet infektimi i fermave të tjera të shpendëve të cilat gjenden në zonën Rashbull në Durrës, këto biznese duhet të respektojnë masat e rrepta për biosiguri.
Athinë– Me 136 vota “për” dhe 157 “kundër” Parlamenti grek, siç edhe pritej, mbrëmë vonë e hodhi poshtë propozimin për mosbesim të Qeverisë të dorëzuar nga katër partitë opozitare për shkak të aksidentit hekurudhor në Tempi, ndërsa në të njëjtën kohë me votimin para Parlamentit u mbajt protestë e cila përfundoi me incidente mes personave të maskuar dhe policisë, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. Propozimi i PASOK-ut, SYRIZA-s, Të Majtës së Re dhe Kursi i Lirisë, i nënshkruar nga 85 deputetë, që ka në fokus aksidentin hekurodhor në Tempi dhe sigurinë e transportit, por edhe shtetin ligjor, skandalin e përgjimeve dhe rritjet e çmimeve, nuk mori shumicën e nevojshme parlamentare dhe nuk krijoi probleme për shumicën qeveritare të Demokracisë së Re. Nga 300 deputetë në Parlament, që të kalojë propozimi, duhej të votohej me të paktën 151 vota.
Kiev – Në sulmet ruse me raketa mbi qytetin Dobropilia në Ukrainën lindore gjatë natës janë vrarë të paktën 11 persona, ndërsa janë plagosur 37, në mesin e të cilëve pesë fëmijë, njoftoi Ministria ukrainase e Punëve të Brendshme. Tre civilë janë vrarë në një sulm me fluturake pa pilot ndaj rajonit Harkov në verilindje, shtoi Ministria e Punëve të Brendshme. Ata theksuan se forcat ruse e kanë sulmuar Dobropilian me një numër të papërcaktuar të raketave, përfshirë edhe raketa balistike dhe fluturake pa pilot. Janë dëmtuar tetë ndërtesa tetëkatëshe dhe 30 automobila.
Kiev– Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski, pas sulmit rus ndaj qytetit Dobropilia, në Donjeck, në të cilin u vranë 11 persona, deklaroi se sulmet e tilla tregojnë se qëllimet e Rusisë nuk kanë ndryshuar dhe se për këtë është me rëndësi të fuqizohet mbrojtja ajrore e Ukrainës, si dhe të ashpërsohen sanksionet kundër Rusisë. Ai theksoi se gjithçka që e ndihmon presidentin rus Vladimir Putin që ta financojë luftën kundër Ukrainës duhet të bllokohet. Zelenski shkroi në Fejsbuk se më shumë se 30 persona, në mesin e të cilëve pesë fëmijë, janë plagosur në sulm. Ai theksoi se janë dëmtuar pesë ndërtesa banesore, një ndërtesë administrative dhe një automjet zjarrfikës.
Toronto – Dymbëdhjetë persona janë plagosur në një incident me të shtëna në një pijetore në Toronto, njoftoi policia. Siç është bërë e ditur, i dyshuari ende është në arrati. Policia heton të shtënat që kanë ndodhur mbrëmë në pijetoren “Skarboro”, informon Si-Bi-Es njuz. Personat e plagosur janë dërguar në spital, por për momentin nuk ka informacione për gjininë dhe moshën e tyre. Zëdhënësi i qytetit Toronto tha se në mesin e të plagosurve ka edhe me lëndime më të lehta dhe kritike.