• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00/ 28 korrik/ 2025

Shkup - E kuptoj panikun tek qytetarët, por është armiku ynë dhe mund të shkaktojë vendime të këqija. U bëj thirrje qytetarëve të dëgjojnë autoritetet lokale ose kombëtare. Si shtet, ne kemi kontroll mbi të gjitha burimet, si lokale ashtu edhe kombëtare. Burimet nuk do të jenë kurrë të mjaftueshme, por ne i përdorim ato në mënyrë optimale, aty ku është e nevojshme. Kriteri ynë numër një në përballjen me zjarret janë jetët njerëzore, dhe pastaj është prona e njerëzve, tha sot udhëheqësi i Shtabit të përgjithshëm për menaxhim me kriza dhe drejtor i DMSH-së, Stojançe Angelov. Ai në konferencë për shtyp informoi se sot janë regjistruar gjithsej 15 zjarre në hapësira të hapura, nga të cilat nëntë janë aktive dhe gjashtë janë vënë nën kontroll. Akoma më i vështiri për t’u shuar është zjarri në Goten, por edhe ai mbi fshatin Kjosivicë pranë Kamenicës maqedonase, ku një pyll me pisha është prekur pjesërisht dhe ka kapacitet të përhapet, si dhe zjarri në Çashkë pranë fshatit Oreshe, ku po digjet vegjetacion i ulët, por edhe pyll ahu.

Shkup - Zëvendëskryministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot në deklaratë për mediat theksoi se deri në fund të javës VLEN-i do të publikojë emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave, me të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. "Në VLEN diskutojmë intensivisht, po analizojmë dhe mendojmë se deri në fund të kësaj jave do t'i shpallim të gjithë emrat nga Struga deri në Likovë. VLEN-i do të marrë pjesë vetëm", theksoi Mexhiti gjatë vizitës në Haraçinë, me rastin e finalizimit të projektit për "Rregullimin e një pjese të kanalit anësor në Haraqinë".

Shkup – Për një ditë do të fillojë përzgjedhja fillestare e personave të cilët duhet të angazhohen si zjarrfikës, si dhe trajnimi dyditor me ligjërata teorike dhe praktikë shumë të vogël të sigurisë, pas çka ata do të shpërndahen në mbarë njësitë territoriale zjarrfikëse. Grupi nga Shkupi i cili numëron diç më shumë se 40 persona, do të shpërndahen në kuadër të DMSH.   Siç bëri të ditur udhëheqësi i Shtabit kryesor për menaxhim me kriza dhe drejtor i DMSH Stojançe Angellov, thirrja përfundoi dhe tani vijon rregullimi i listave dhe përzgjedhja administrative. 

Shkup- Kompania kombëtare bullgare për infrastrukturë hekurudhore sot shpalli tender për projektimin dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore prej Gjushevës deri tek kufiri me Maqedoninë e Veriut në gjatësi prej 2,4 kilometrave, e vetmja pjesë që mungon nga Korridori 8 hekurudhor në territorin bullgar, si dhe për modernizimin e pjesës me gjatësi prej 17 kilometrave nga Perniku deri në Radomir. Sipas Ministrisë bullgare të Transportit, të dy projektet janë pjesë e rëndësishme të implementimit të Korridorit 8 në territorin bullgar, ndërsa me shpalljen e tenderëve, Bullgaria i përmbush detyrimet e saj për ndërtimin e plotë të një lidhjeje hekurudhore midis dy vendeve.

Shkup - Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë po zhvillon kontrolle të shtuara, dhe kjo që para se të fillojë grumbullimi, në pjesën e kalibrimit të peshoreve, si dhe në pjesën e kushteve të tjera nëse janë përmbushur, me qëllim të parandalimit të parregullsive gjatë procesit të grumbullimit të rrushit, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.  “Mund t’ju them se pushimet vjetore të inspektorëve janë pezulluar gjatë periudhës së grumbullimit të rrushit, në mënyrë që të jenë të pranishëm në terren dhe të vëzhgojnë procesin e grumbullimit”, sqaroi ministri në Ditarin e Televizionit KTV, Kavadar.

Gostivar – Këtë vit manifestimi “Park Festival” (The Park Festival) do të zgjasë tri ditë dhe Gostivari do të jetë nikoqir i këngëtarëve të famshëm dhe me renome të muzikës zbavitëse dhe elektronike. Organizatorët parashohin edhe aktivitete shtesë për promovim të artistëve dhe performancave të reja.  Producenti dhe drejtori ekzekutiv, Jeton Vejseli në brifingun e sotëm informoi se edicioni i shtatë do të jetë shumë atraktiv veçanërisht për shkak të disa artistëve të shquar.  “Këtë vit në skenën në parkun e madh të qytetit do të performojnë Aurela Gaçe, me shou muzikor 80-minutësh. Enisa – yll ndërkombëtar i cili për herë të parë performon te ne, Yll Limani the Tajna, një nga artistët më të suksesshëm në skenën shqiptare. Veçanërisht atraktive do të jetë nata e parë në të cilën do të performojnë Toni Zen me orkestrën e tij (Revolution Band) dhe një nga dixhetë më të suksesshëm maqedonas Galovski”, tha Vejseli.

Prishtinë - Ambasada e SHBA-së në Prishtinë vlerësoi se dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka ngadalësuar dhe rrezikuar integritetin e institucioneve të Kosovës dhe përparimin në arritjen e qëllimeve të Kosovës. Në përgjigjen e Ambasadës për koha.net theksohet se "ky bllokim i vazhdueshëm po vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve për të cilat populli i Kosovës luftoi aq fortë për t’i krijuar". "Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë t’i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë së bashku për të arritur një marrëveshje për konstituim të Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e një kryetari dhe zëvendëskryetarëve", thuhet në përgjigjen.

Bukuresht - Një person e ka humbur jetën, ndërsa qindra janë evakuuar pasi reshje të rrëmbyeshm dhe erëra të forta goditën Rumaninë, kumtoi sot Inspektorati i përgjithshëm rumun për situata të jashtëzakonshme. Sipas Agjencisë rumune për situata të jashtëzakonshme, rreth 25 fshatra në nëntë qarqe u goditën nga reshje të rrëmbyeshme dhe erëra të forta, të cilat rrëzuan çati dhe pemë dhe bllokuan trafikun në disa rrugë, publikoi gazeta rumune "Zijare". Qarqet Namce dhe Suçava në lindje të vendit u goditën më rëndë, ku dy lumenj dolën nga shtrati.

Moskë - Dhjetëra fluturime u anuluan sot në Moskë pas një sulmi të dyshuar kibernetik nga grupe hakerësh proukrainas. Kompania shtetërore ajrore ruse "Aeroflot" fillimisht publikoi për anulimin e rreth 60 fluturimeve në aeroportin "Sheremetjevo", duke njoftuar për ndërprerje në TI sistemet e saj si shkak. Ekspertët e kompanisë po punojnë për të rikthyer operacionet e serverëve për vazhdimin e fluturimeve të caktuara", kumtoi agjencia. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, i ka përshkruar raportet si alarmante.

Gazë - Të paktën 34 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite ndaj Gazës, kumtuan shërbimet shëndetësore në Gaza. Katërmbëdhjetë palestinezë kanë vdekur nga mungesa e ushqimit në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, kumtoi Ministria e Shëndetësisë. Ushtria izraelite dje kumtoi se do t'i ndërpresë sulmet në tre zona të banuara në Gazë për 10 orë në ditë dhe do të hapte rrugë të sigurta për dërgimin e ndihmës për palestinezët, të cilët kanë nevojë urgjente për të. Izraeli e publikoi pushimin pas paralajmërimeve të përsëritura nga KB-ja dhe organizatat joqeveritare për rritjen alarmante të mungesës së ushqimit tek fëmijët dhe rrezikun për uri të përgjithshme tek popullata e Gazës për shkak të bllokadës dhe luftës.

Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, sot deklaroi se BE-ja do të dërgojë ndihmë më të madhe në Gazë dhe se planifikon të kërkojë ndihmë edhe nga kryeministri britanik Kir Starmer.  Në konferencën e përbashkët për shtyp në Skoci me Starmerin, Tramp tha gjithashtu se ka biseduar me përfaqësuesit izraelitë dhe u kishte thënë atyre se ndoshta duhet të veprojnë ndryshe. Ai shtoi se njerëzit në Gazë kanë nevojë urgjente për ushqim dhe siguri.

Nju Jork - Ministri saudit i Punëve të Jashtme, Fajsal bin Farhan Al Saud, ka mbërritur në Nju Jork për të bashkëkryesuar konferencën ministrore të nivelit të lartë mbi një zgjidhje paqësore të çështjes palestineze dhe për të diskutuar për zgjidhjen për dy shtete. Konferenca do të mbahet në selinë e OKB-së, ndërsa bashkëkryesues do të jenë Franca dhe Arabia Saudite.  Ngjarja ka për qëllim të propozojë një afat konkret për krijimin e një shteti të pavarur palestinez dhe për përfundimin e pushtimit izraelit në përputhje me Iniciativën arabe për Paqe dhe rezolutat përkatëse të OKB-së.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp sot e përforcoi presionin mbi Rusinë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke thënë se po i jep Moskës një afat të ri prej 10-12 ditësh për të arritur përparim. Trampi, i cili është për vizitë në Skoci, sot paraprakisht deklaroi se do të shkurtojë afatin 50-ditor që ka vendosur për shkak të frustrimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin. Trampi e vendosi afatin 50-ditor në fillim të këtij muaji. Presidenti amerikan ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi ndaj Putinit për sulmet e tij të vazhdueshme ndaj Ukrainës, pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës.

QËNDRONI TË LIDHUR