09:00/8 pill/2026
Shkup – Kuvendi sot në seancën e 97-të, duhet të vendosë për emërimin e kryetarit të ri të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), për të cilin pozicion si kandidat i propozuar është Aco Ristovi në vendfn e Marko Bislimoskit, si dhe për propozimi për emërimin e Ana Mitreskës dhe Igor Veliçkovskit si zëvendësguvernatorë të Bankës Popullore.
Shkup - Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), organizon ngjarje për prezantimin e raporteve të veçanta për gjendjet e konfirmuara në financimin e fushatave zgjedhore për zgjedhjet lokale në vitin 2025 dhe zgjedhjet e përsëritura në vitin 2026. Në hapjen e ngjarjes, siç është njoftuar, fjalë hyrëse do të kenë kryetari i KSHPK-së Adem Çuçul dhe drejtoresha e Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore në Vend, Joana Kosma.
Shkup - Enti Shtetëror i Revizionit në bashkëpunim me programin ndërkombëtar OECD-SIGMA, do të mbajë punëtori ndërkombëtare "Revizioni i mjedisit jetësor dhe revizioni i objektivave për zhvillim të qëndrueshëm". Në hapjen e ngjarjes do të mbajnë fjalim Maksim Acevski, kryerevizor shtetëror i Maqedonisë së Veriut dhe Bjanka Breteshe, zëvendësdrejtoreshë e programit OECD-SIGMA. Siç njoftuan organizatorët, ngjarja do të bashkojë udhëheqësit dhe ekspertët e institucioneve supreme të revizionit nga Sllovenia, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Ukraina.
Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe më freskët me periudha me diell. Paradite do të ketë kushte për shi të dobët lokal. Do të fryjë erë mesatare deri në të përforcuar, ndërsa në disa vende përgjatë Vardarit dhe në pjesët lindore erë e përkohshme e fortë veriore, mbi 70 kilometra në orë, informon Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM). Temperatura minimale do të jetë në interval prej 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 13 deri në 21 gradë.
Londër - Çmimet e naftës së papërpunuar shënuan rënie të madhe pas shpalljes së presidentit amerikan Donald Tramp se SHBA është pajtuar për ndërprerje dyjavëshe të zjarrit me Iranin. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent për dërgesë të ardhshme ra për 16 për qind në rreth 92 dollarë për fuçi. Megjithatë, kjo ende është larg mbi nivelin prej rreth 73 dollarë që ishte pak para fillimit të konfliktit kah fundi i shkurtit. Nafta e papërpunuar referente amerikane WTI ra për 19 për qind në rreth 92 dollarë për fuçi.
Dubai - Sulme gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm janë raportuar në disa vende në Lindjen e Mesme, edhe krahas shpalljes së armëpushimit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportojnë mediat dhe burimet zyrtare. Mediat amerikane, duke cituar një përfaqësues zyrtar izraelit, deklarojnë se Izraeli ka rinisur sulmet ndaj Iranit që nga mëngjesi i sotëm, raportoi "Bi-Bi-Si. Kjo po ndodh edhe krahas konfirmimeve nga Shtëpia e Bardhë dhe Pakistani i cili ndërmjetësonte në arritjen e armëpushimit, se edhe Izraeli është pajtuar me marrëveshjen për armëpushim.
Teheran – Këshilli i lartë i Sigurisë kombëtare të Iranit informoi sot se bisedimet me SHBA-në do të fillojnë të premten, më 10 prill në Islamabad, pasi Teherani zyrtar i paraqiti Uashingtonit propozim 10 pikësh përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, raportuan mediat shtetërore iraniane, duke shtuar se bisedimet nuk sinjalizojnë fundin e luftës. Irani publikoi se bisedimet, të cilat mund të zgjasin deri në 15 ditë dhe mund të zgjaten me marrëveshje, kanë për qëllim të finalizojnë detajet e propozimit i cili përfshin dispozita për transitin përmes Ngushticës së Hormuzit, lehtësimin e sanksioneve dhe tërheqjen e forcave luftarake amerikane nga bazat rajonale.
Teheran - Plani paqësor iranian me dhjetë pika, i cili i është dorëzuar SHBA-ve me qëllim përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, parashikon që Uashingtoni të pranojë vazhdimin e programit iranian për pasurimin e uraniumit, si dhe heqjen e plotë të të gjitha sanksioneve. Plani i publikuar nga Këshilli i Lartë për Sigurinë Kombëtare përfshin parimin e mos agresionit, ruajtjen e kontrollit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit, pranimin e pasurimit të uraniumit dhe heqjen e të gjitha sanksioneve kryesore dhe dytësore.
Teheran/Muskat - Plani dyjavor për ndërprerjen e zjarrit midis SHBA-së dhe Iranit parashikon që Irani dhe Omani të grumbullojnë taksë për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, hyrja e ngushtë në Gjirin Persik, deklaroi sot një zyrtar rajonal i përfshirë në negociata. Sipas pretendimeve të tyre, Irani planifikon të përdorë mjetet e mbledhura për rindërtim pas konfliktit, ndërsa nuk dihet për çfarë qëllimesh Omani do t'i destinojë të ardhurat nga tarifat.
Jerusalem - Izraeli e mbështet vendimin e presidentit amerikan Donald Tramp për të pezulluar sulmet ndaj Iranit për dy javë, por ky armëpushim nuk e përfshin Libanin, publikoi sot zyra e kryeministrit Benjamin Netanjahu. Kryeministri izraelit e mbështet gjestin e SHBA-së nën kushtin që Teherani menjëherë ta hapë Ngushticën e Hormuzit dhe t'i ndalë sulmet ndaj SHBA-së, Izraelit dhe vendeve të rajonit, citohet në kumtesë, transmetojnë mediat britanike.
Islamabad - Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif mëngjesin e sotëm njoftoi se Irani, SHBA-ja dje aleatët e saj kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe mbulon të gjitha zonat e konfliktit, përfshirë edhe Libanin. Sharif deklaroi në X se të dyja palët kanë treguar "mençuri dhe mirëkuptim të jashtëzakonshëm" dhe kanë mbetur të angazhuara në mënyrë konstruktive për të arritur paqe dhe stabilitet.
Nju-Jork - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutereshi, ka përshendetur armëpushimin dyjavor të rënë dakord midis ShBA-së dhe Iranit, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të punojnë drejt një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. "Sekretari i përgjithshëm e përshendet njoftimin e një armëpushimi dyjavor nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit", deklaroi zëdhënësi i tij, Stefan Dizharik.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi se ka rënë dakord të ndalojë bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dy javore. Trampi njoftoi se e ka marrë vendimin pas një bisede me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif, i cili kërkoi ta zgjasë për dy javë afatin (ultimatumin) që i kishte dhënë Iranit për të hapur Ngushticën e Hormuzit.
Uashington - Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit, e përshëndeti armëpushimin dy javësh në luftën me Iranin, duke e quajtur marrëveshjen e arritur "fitore" për SHBA-në. "Kjo është fitore për SHBA-në, e mundësuar nga presidenti ynë Donald Tramp, dhe armata jonë e jashtëzakonshme", shënoi Livit në Iks herët në mëngjes.
Madrid - Bajerni i Munihut e mposhti Real Madridin 2-1 mbrëmë në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së kampionëve. Ndeshja u luajt në stadiumin Santiago Bernabeu në Madrid. Mysafirët e hapën rezultatin me golin e Luis Diazit para fundit të pjesës së parë. Hari Kejn dyfishoi epërsinë në minutën e 46-të. Nikoqirët e ngushtuan diferencën në minutën e 74-të me golin e Kilian Mbapes.