12:00/ 3 shkurt/ 2026
Shkup - Ekonomia, digjitalizimi dhe rezultatet konkrete janë në fokus të vizitës, me një qëllim të qartë - përfitimet e këtyre aktiviteteve të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët, porositi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, i cili së bashku me presidenten Gordana Siljanovska Davkova, po merr pjesë në Samitin botëror të Qeverive. Në një video-mesazh të shpërndarë përmes profilit të tij në Fejsbuk, Mucunski informoi se do të realizojë takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, sheikun Abdullah ku do të nënshkruhet një memorandum ndërqeveritar për bashkëpunim në fushën e modernizimit të Qeverisë dhe administratës shtetërore. Mucunski njofton gjithashtu më shumë takime dypalëshe me krerët e shteteve dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Shkup - Gjithsej 508 kundërvajtje ka regjistruar sistemi "Qyteti i sigurt" dje deri në orën 20 në ditën e dytë të zbatimit të tij zyrtar. Prej tyre, 454 janë për shpejtësi të tejkaluar, 42 janë për kalim në dritë të kuqe, 12 janë për automjete të paregjistruara, deklaroi mbrëmë ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në një emision në TV Alfa. Numri i djeshëm i kundërvajtjes është përafërsisht i njejtë si edhe të dielën kur filloi "Qyteti i sigurt". Toshkovski është i kënaqur nga, siç theksoi, numri i vogël i dënimeve dhe pret ashtu edhe të mbetet gjatë tërë periudhës 24-orëshe.
Shkup– Në Ambasadën e Japonisë sot u nënshkruan dy marrëveshje të reja për grante në kuadër të programit GGP për projekte të vogla për sigurinë e njerëzve, me vlerë të përgjithshme prej 81.956 euro. Grantet janë të dedikuara për Klinikën Universitare të Endokrinologjisë – Shkup dhe për Komunën Sveti Nikollë. Ambasadorja e Japonisë, Secuko Kavahara, theksoi se projektet përfaqësojnë vazhdimësi të bashkëpunimit shumëvjeçar mes dy vendeve dhe kontribuojnë për fuqizimin e sistemeve themelore për siguri shëndetësore dhe publike. Granti i parë është i dedikuar për furnizim të sistemit të ri ultratingull për Klinikën e Endokrinologjisë. Drejtori i klinikës, dr. Irfan Ahmeti, theksoi se pajisja e re medicinale do të kontribuojë për përmirësim të diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve.
Shkup - Me vendim të Qeverisë, Shkupi do të bëhet me 100 autobusë të rinj, bashkëkohorë dhe tërësisht ekologjikë të qytetit, hap që do ta ndryshojë përditshmërinë e mijëra qytetarëve të cilët e shfrytëzojnë transportin poublik, kumtoi në Fejsbuk kryetari i Qytetit, Orce Gjorgjievski. "Shkupjanë të respektuar, tek unë fjala e dhënë është obligim, jo vetëm formalitet para zgjedhjeve.Prandaj, me përgjegjësi të madhe ju kumtoj lajmin që do të thotë fillim i ri për qytetin tonë. Siç theksoi kryeministri Hristian Mickoski, Qytetit të Shkupit do t'i ndahen 100 autobusë dhe 50 karikatorë. Kjo nënkupton, transport të saktë dhe dinjitoz publik, por edhe goditje të fuqishme në dobi të mbrojtjes së mjedisit të shëndoshë dhe ajrit të pastër, prioritet i yni që ua detyrojmë fëmijëve tnaë dhe gjeneratave të ardhshme. Ky vendim është pjesë e marrëvehsjes strategjike qeveri me qeveri mes qeverisë sonë dhe asaj hungareze, që mundëson furnizim me kushte jashtëzakonisht të volitshme", shkroi Gjorgjievski në kumtim. Me këtë, ai pret të tejkalohet problemi shumëvjeçar me transportin publik në Shkup.
Shkup – Më ftohtë sot në mëngjes është në Kodër të Diellit -5 gradë, në Kriva Pallankë janë matur -4, në Shkup – Petrovec – 3. Mbi zero është vetëm në Gjevgjeli me dy gradë, informon LAMM. Në Kodër të Diellit ka edhe më shumë borë 34 centimetra, në Krushevë shtresa e borës është 18, ndërsa në Hanet e Mavrovës 11 centimetra.
Prishtinë- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion. Presidentja Osmani, siç njofton Kabineti i saj, në këtë Samit është ftuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheik Mohamed bin Zajed Al Nahjan. Në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me të cilët presidentja do të ketë takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike.
Kiev – Ukraina ka rënë dakord me partnerët e saj perëndimor që çdo shkelje e një marrëveshje të ardhshme armëpushimi nga ana e Rusisë do të shkaktonte një përgjigje ushtarake të koordinuar nga Evropa dhe SHBA, raportoi sot "Fajnenshëll tajms", duke cituar burime të informuara. Zyrtarët ukrainas, evropianë dhe amerikanë në dhjetor dhe janar e kanë diskutuar planin disa herë dhe ai do të përfshinte një përgjigje shumëfazësh ndaj çdo shkeljeje ruse të armëpushimit të rënë dakord, theksohet në raport. Përfaqësuesit nga Kievi, Moska dhe Uashingtoni do të takohen në Abu Dabi nesër dhe një ditë pas kësaj për bisedime mbi përfundimin e luftës.
Kiev – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute ka arrit në Kiev dhe mbajti fjalim në Radën supreme, raporton Ukrinform. Zëvendëskryetari i parë i Parlamentit, Aleksander Kornienko e paralajmëroi fjalimin e Rutes, duke theksuar se vizita e tij tregon mbështetje të fortë për Ukrainën dhe dërgon një mesazh të qartë uniteti. “Është një nder i madh për mua të jem me ju sot në zemër të një Ukraine të gjallë dhe demokratike. Kombi ukrainas po lufton shumë fort dhe me guxim. Ju jeni përfaqësues të këtij populli të cilët vazhdojnë të punojnë edhe mes të bombardimeve të përditshme”, theksoi Rute nga foltorja e Parlamentit.
Dubai - Në Dubai filloi Samiti botëror i qeverive (World Government Summit – WGS), i cili mbahet deri të enjten, 5 shkurt, nën moton "Formësimi i qeverive të ardhshme". Kryesuesi i Samitit të qeverive botërore, Mohamed Al Gergavi, në hapjen e samitit deklaroi se bota nuk kalon vetëm përmes edhe një vale të ndryshimeve teknologjike, por se njerëzimi po hyn në fazë të re, ku aftësitë njerëzore në mënyrë fundamentale ridefinohen. "Transformimi më i madh në historinë e njeriut nuk ka ndodhur në fabrika ose laboratori teknologjike - ka ndodhur me ne", tha Al Gergavi.
Gazë- Në ditën e parë të hapjes së sërishme të kufizuar të vendkalimit kufitar Rafah mes Gazës dhe Egjiptit, vetëm 12 palestinezë e kanë kaluar kufirin, deklaroi një burim në kufi. Mes tyre ka pasur pesë persona të lënduar dhe shtatë shoqërues, që është larg kuotës së konfirmuar prej 50 pacientëve dhe dy shoqërues për një pacient, kumtuan autoritetet lokale, sipas "Tajms of Izrael". Pacientët e parë palestinezë janë evakuuar nga Rripi i Gazës në Egjipt përmes vendkalimit Rafah pasi është hapur sërish, publikoi "Al Xhezira".
Riad – Ylli i Al-Nasrit, Kristiano Ronaldo, mund të largohet nga klubi i Arabisë Saudite në afatin kalimtar të verës, raporton “Record”. Portugezi 40-vjeçar është i pakënaqur te Al-Nasri dhe po mendon ta vazhdojë karrierën e tij në Evropë ose MLS. Transferimi i tij pretendohet se vlen 50 milionë euro. Më parë, Ronaldo nuk ishte përfshirë në skuadër për ndeshjen e raundit të 20-të të Premier ligës së Arabisë Saudite kundër Riadit. Sipas raportimeve të mediave, Ronaldo bojkotoi ndeshjen në shenjë proteste kundër politikave të klubit i cili udhëhiqet nga Fondi i investimeve publike. Gjithashtu pati informacione se Ronaldo ishte kundër transferimit të Karim Benzemas nga Al-Itihadi në Al-Hilal, rivali kryesor i Al-Nasrit.