
15:00/20 mars/2025
Shkup - Qeveria e Maqedonisë ka apeluar deri te mediat që kanë emituar video dhe foto materiale nga varrimi i viktimave kundër rekomandimeve t'i largojnë përmbajtjet dhe të mos i shpërndajnë. Në këto momente të vështira, siç thonë nga Qeveria, edhe njëherë e përsërisim apelin tonë drejtuar ekipeve mediatike që morën pjesë në varrimin e sotëm të viktimave të zjarrit tragjik që ndodhi në diskotekën e Koçanit që t'u përmbahen parimeve etike. Pjesa më e madhe e mediave, sipas Qeverisë, nuk transmetojnë dhe nuk shpërndajnë foto dhe video materiale nga familjarët e viktimave, ndërsa ata që kanë publikuar përmbajtje të tilla edhe njëherë apelojmë t’i përmbahen informimit etik.
Shkup - Psikologia dhe psikoterapistja e licencuar Radmila Zhivanoviq në intervistën për MIA-n, theksoi nevojën për mbështetje psikologjike për të gjithë ata të cilët u prekën drejtpërdrejt nga tragjedia në Koçan, bashkësia më e afërt e viktimave, por edhe të rinjtë të cilët çdo ditë shohin informacione çorientuese në rrjetet sociale, prandaj duhet të reagojnë menjëherë dhe tani. Kemi edhe qytetarë, thotë ajo, të cilëve u duhet më shumë kohë për të bërë hapa të caktuar pas kësaj tragjedie kolektive.
Shkup – Në zjarrin në diskotekën në Koçan humbën jetën 59 persona të moshës prej 16 deri 48 vjet. Numri më i madh i të vdekurve janë të moshës 24 dhe 26 vjet. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara, gjashtë persona janë të moshës prej 21 vjet, ndërsa të moshës prej 18 dhe 36 vjet kanë vdekur nga katër persona. Në moshën 16-vjeçare të vdekur janë tre, po aq edhe në moshën 17-vjeçare dhe në 25 vjet. Nga dy të vdekur ka në 20, 23, 27, 31, 38 dhe 44 vjet. Nga një të vdekur ka në moshën prej 19, 29, 32,33, 43, 47 dhe 48 vjet.
Shkup - Ministria e Shëndetësisë pasditen e sotme ka bërë të ditur emrat e viktimave nga zjarri në diskotekën në Koçan që ndodhi mëngjesin e së dielës."Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen dhe trishtimin që ndjejmë për jetët e humbura para kohe në ngjarjen tragjike të zjarrit në Koçan. Publikojmë emrat e viktimave dhe lusim të mos spekulohet me informacione të pavërteta", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Shkup - Anëtarët e bendit DNK që humbën jetën në zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, janë varrosur sot. Këngëtari i grupit, Andrej Gjorgjieski, është varrosur në varrezat e qytetit në Butel, ndërsa anëtarja e grupit dhe profesoresha e Fakultetit të Artit Muzikor, Sara Projkovska, është varrosur në varrezat e Lisicës. Varrimi i muzikantit të ri nga Strumica, bateristi i grupit, Gjorgji Gjorgjiev, bëhet në varrezat e qytetit në Strumicë.
Shkup - Kryqi i Kuq bëri të ditur se janë siguruar gjithsej 34.836.205 denarë për mbështetjen e viktimave në zjarrin në Koçan. Nga Kryqi i Kuq bëjmë thirrje të gjithëve që të vazhdojmë të tregojmë humanizmin dhe solidaritetin tonë në ofrimin e ndihmës për familjet e prekura përmes: - Llogaria e Fondit të Solidaritetit të Kryqit të Kuq të RMV: 300000001327966, numër tatimor: 4030984271620 SHA Komercijalna Banka me emërtim: ndihmë për qytetarët e goditur nga zjarri në Koçan.
Shtip - Në kolona disa qindra metra, qytetarët e Shtipit sot i kanë dhënë lamtumirën e fundit pesë personave që humbën jetën nga zjarri në diskotekën në Koçan. Ata i dhanë nderimet e fundit për Damjan Tanevski, Filip Ivanovski, Filip Stevanovski, Aleksandar Kolarov dhe Aleksandar Efremov. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe të Ndihmës së parë ishin të pranishme në vendet ku u bënë nderimet e fundit për të vdekurit.
Athinë - Repartet e djegieve në institucionet përkatëse shëndetësore në Selanik dhe Athinë vazhdojnë të jenë në gatishmëri të lartë, ka thënë zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis në brifingun e sotëm me gazetarë, duke iu referuar ndihmës greke për të lënduarit nga tragjedia në Koçan, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina."Qendra operative shëndetësore e Qendrës për ndihmë të shpejtë në kuadër të planifikimit operacional për menaxhimin e transportit dhe trajtimit të të lënduarve nga djegiet, vijon të mbajë në gjendje të shtuar gatishmërie Repartet e djegieve në institucionet përkatëse shëndetësore në Selanik dhe Athinë", ka thënë Marinakis.
Shkup - Në Shkup edhe sot bëhet homazh për të vdekurit në zjarrin në kluvin "Puls". Qytetarë të shumtë ndezin qirinj në sheshin "Maqedonia" në nder të të vdekurve në tragjedinë e tmerrshme. Sot në Koçan, Shtip, Obleshevë, Shkup po mbahen ceremonitë mortore për të vdekurit nga zjarri. Ceremonia mortore në Koçan, prej nga vijnë pjesa më e madhe e të vdekurve, është në orën 12:00, me të cilën do të kryesojë kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase - Arqipeshkvia e Ohrit, z.z. Stefan.
Sofje - Disa mijëra njerëz në Sofje mbrëmë me një minutë heshtje kanë bërë homazhe për viktimat në Koçan. Qytetarët e tubuar para Pallatit të drejtësisë në qendër të Sofjes, para fillimit të protestës në mbështetje të sundimit të ligjit, lexuan emrat e 59 viktimave në Koçan. Për shkak të tragjedisë në Koçan, Bullgaria të martën shpalli ditë zie, ndërsa kreu shtetëror dhe politik bullgar, si dhe qytetarë të shumtë u nënshkruan në librin e zisë të hapur në ambasadën e Maqedonisë në Sofje.
Bruksel - Nëse investojmë mjaftueshëm në mbrojtje dhe nëse forcojmë kapacitetet mbrojtëse, do ta pengojmë agresorin nga sulmet, potencoi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri para fillimit të Samitit të sotëm të Bashkimit Evropian në Bruksel."Nëse nuk e bëjmë këtë, dobësia e fton agresorin të na sulmojë. Prandaj duhet të bëjmë më shumë që mos të lejojmë të ndodhë kjo", shtoi Kallas. Ajo theksoi se përshëndet paralajmërimin e presidentit amerikan Tramp se SHBA-ja po përpiqet të sigurojë mbrojtje shtesë ajrore për Ukrainën, duke shtuar se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, prandaj në Samitin e sotëm do të diskutohet për atë se çfarë mund të bëjë më shumë BE për të mbështetur Kievin, por edhe për mbrojtjen e saj.
Bruksel – Komisioni Evropian sot njoftoi se ka paguar këst shtesë prej një miliard euro nga huaja për ndihmë makrofinanciare për Ukrainën, e cila do të paguhet me të ardhurat nga pasuria e ngrirë ruse në Bashkimin Evropian. “Me pagesën e sotme prej një miliard euro, e konfirmojmë përkushtimin tonë të fuqishëm të Ukrainës. Ne e ndihmojmë ekonominë e vendit që të rimëkëmbet dhe të rinovohet infrastruktura kritike e dëmtuar nga agresioni rus. Do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën derisa është e nevojshme”, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.
Bruksel - Në botën aktuale të fuqive individuale në rritje, Evropa duhet t'i përforcojë ambiciet e saj politike për mbrojtjen dhe konkurrencën, deklaroi sot kryetarja e Parlamentit Evropian në fjalimin e saj në Samitin e BE-së në Bruksel."Evropa po forcohet dhe po merr përgjegjësinë për sigurinë e saj, por ne duhet të mendojmë më mirë dhe të veprojmë më shpejt. Asgjë nuk mund të lihet jashtë tryezës"," deklaroi Mecola. Sipas saj, BE-ja nuk mund të lejojë të kufizohet nga mungesa e ambicies politike dhe duhet të pozicionohet si një forcë që duhet llogaritur.
Kiev - Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski sot deklaroi se Rusia do të vazhdojë me sulmet ajrore ndaj Ukrainës derisa nuk nënshkruhet dokumenti për armëpushim të pjesërishëm."Nuk di çka (presidenti rus Vlladimir) Putini flet aty, por ne tani (natën më 20 mars) kemi rreth 107 dronë 'Shahid' në qiell. Për këtë shkak kuptoj se derisa nuk arrijmë marrëveshje, derisa nuk ekziston një dokument adekuat, madje edhe për armëpushim të pjesërishëm, mendoj se gjithçka do të jetë e kotë", tha Zelenski në brifingun onlajn.
Moskë - Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitrij Medvedevi sot vlerësoi se kancelari i ardhshëm gjerman Fridrih Merci "gënjen si ministri i dikurshëm nazist për propagandë Jozef Gebelsi kur e akuzon Rusinë për luftë në Evropë". "Kancelari i ardhshëm Merc e akuzon Rusinë se po bën luftë në Evropë dhe se synon Gjermaninë me zjarrvënie, vrasje me porosi dhe dezinformata. Ende nuk jeni në pushtet, dhe tashmë po gënjeni si Gebelsi. Gjermania naziste nuk na sulmoi kështu nga viti 1941-1945. E dimë se si përfundoi. Fillim i keq, Fric!", ka shkruar Medvedevi.
Oslo - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot ka mbërritur për vizitë në Norvegji, njoftoi shërbimi për shtyp i qeverisë norvegjeze."Jam shumë i kënaqur që kam mundësi të mirëpres Volodimir Zelenskin në Norvegji. Norvegjia është e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën", deklaroi kryeministri norvegjez Jonas Gar Store. Ai shtoi se të gjitha partitë në Parlament së fundmi kishin arritur marrëveshje për rritjen e fondeve për Ukrainën, theksohet në ueb faqen e Qeverisë norvegjeze.
Otavë – Kanadaja sot kumtoi se Kina ka ekzekutuar katër shtetas kanadezë për shkak të kontrabandës me drogë dhe ashpër e dënoi përdorimin e dënimit me vdekje nga ana e Pekinit. Ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme, Melani Xholi deklaroi se të gjithë të katërt kanë shtetësi të dyfishtë dhe shtoi se Otava do të kërkojë lehtësime për kanadezët e tjerë të cilët do të përballen me fatin e njëjtë. Në të njëjtën kohë, Ministria kanadeze e Punëve të Jashtme njoftoi se Robert Shelenberg – kanadez i dënuar me vdekje në vitin 2019 për tregti me drogë - nuk është ekzekutuar.
Lisbonë - Futbollistët e Sportingut të Portugalisë, Xhovani Kenda dhe Dario Esugo kanë nënshkruar kontrata disavjeçare me Çellsin në dy transfere me vlerë më shumë se 74 milionë euro. Siç kumtoi klubi nga Lisbona, krahu i djathtë (17) Kenda do të mbetet i huazuar në Sporting deri në fund të sezonit 2025/2026, ndërsa transferi është me vlerë 52,1 milionë euro, me mundësi që përmes bonuseve të paguhen edhe 1,3 milionë euro sjhtesë.
Romë – Skuadra e Romës ka njoftuar sot se sulmuesi i saj dhe reprezentuesi argjentinas Paulo Dibala (31) do të humbas pjesën e mbetur të këtij sezoni për shkak të operacionit në muskul. “Lojtari dhe klubi kanë rënë dakord se operacioni është alternativa më e mirë për një rikuperim të plotë”, publikon klubi. Futbollisti argjentinas përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se do të rikthehet edhe më i fortë. “Së shpejti do të rikthehem edhe më i fortë, ky është një premtim”, ka thënë Dibala.