
12:00 / 20 mars / 2025
Shkup – Në Koçan sot do të nderohen për herë të fundit të vdekurit nga zjarri në klubin e natës “Puls”. Në shesh ende ka qytetarë të cilët ndezin qirinj dhe regjistrohen në librin e zisë, informon MIA. Ceremonia e varrimit në Koçan do të mbahet në orën 12 ndërsa me të cilën do të udhëheqë kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase - Arqipeshkvia e Ohrit z.z. Stefan. Nga KOM – AO lusin për sjellje dinjitoze dhe të krishterë.
Shkup – Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov ju bën thirrje qytetarëve të cilët sot në Koçan do të nderojnë të vdekurit në zjarr, të mos e pengojnë ceremoninë e varrimit. Sot, siç thekson, duhet t’i lëmë më të afërmit, që për herë të fundit, në heshtje dhe lot, t’i shohin më të dashurit e tyre. “Është e pamundur, çnjerëzore dhe e panevojshme që të gjithë t'i afrohen trupave të të ndjerëve në të njëjtën kohë. Prindërit kanë nevojë për ngushëllim nga të dashurit që do të vijnë me ta paraprakisht. Por, pikëllimi dhe dhimbja e prindërve, vëllezërve dhe motrave, të afërmve dhe miqve të viktimave është më e madhe” thotë Angellov.
Shkup - Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, së bashku me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, kanë vizituar Qendrën klinike universitare në Nish, ku kanë vizituar të lënduarit nga zjarri në Koçan, të akomoduar në këtë institucion. Siç kumton MSH, ata janë takuar me drejtorin e Qendrës Klinike, prof. dr. Perishiq dhe ekipin mjekësor, pas çka janë informuar për gjendjen e tre pacientëve të shtruar në këtë institucion.
Shkup - Ministrja australiane e Punëve të Jashtme, Peni Vong shprehu ngushëllimet e thella për viktimat nga zjarri në Koçan, me ç'rast humbën jetën 59 persona, ndërsa 178 të tjerë u lënduan. "Australia është në dhimbje të thellë për shkak të zjarrit tragjik në klubin e natës në Maqedoninë e Veriut, i cili mori mbi 50 jetë. U dërgojmë ngushëllimet tona të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave, ndërsa të lënduarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë", ka shkruar Vong në rrjetin social "X".
Shkup - Shoferi i Ndihmës së shpejtë i cili humbi jetën pas aksidentit tragjik në Koçan duke transportuar një numër të madh të pacientëve do të dekorohet pas vdekjes, paralajmëroi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. "Atë ditë të gjithë kemi punuar më shumë se 20 orë. Unë nuk kam informacion se sa orë ka punuar shoferi, por është e pamohueshme se ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke transportuar pacientë. Si ministër i Shëndetësisë planifikoj që javën e ardhshme të telefonoj familjen e tij dhe ta nderoj pas vdekjes”, tha Taravari.
Shkup - Shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski sot arriti në Zagreb, ku gjenden pesë të lënduar nga zjarri në Koçan, ku jetën e kanë humbur 59 persona, ndërsa 176 janë lënduar. Ai iu falënderua Kroacisë që ka pranuar në shërim pesë të lënduar, duke theksuar se në Shkup mes thirrjeve të para me shprehje të ngushëllimeve dhe ndihmë të ofruar, ka ardhur nga Zagrebi. Pesë pacientët janë dërguar në mjekim në Zagreb - katër në Klinikën për traumatologji, ndërsa një në Klinikën për pediatri, njoftuan mediat kroate.
Shkup - Policia mbrëmë ka arrestuar dy persona të moshës 18 vjeçare nga Shkupi të cilët ndezën fishekzjarrë në një festë ditëlindjeje të organizuar në një objekt hotelierik në Parkun e Qytetit, me çka nuk e kanë respektuar vendimin e Qeverisë për shtatë ditë zie për shkak të tragjedisë në Koçan. "Më 19 mars 2025 rreth orës 21.25 në SPB Shkup është denoncuar se në parkun e qytetit në Shkup ka fishekzjarrë dhe nuk respektohet vendimi i Qeverisë për zinë shtatëditore. Është vepruar menjëherë nga ana e nëpunësve policorë të SPB Shkup dhe është vërtetuar se në një objekt gastronomie në parkun e qytetit ishte organizuar festimi i ditëlindjes, me ç’rast M.F. (18) dhe М.F. (18), të dy nga Shkupi kishin ndezur fishekzjarrë", informojnë nga MPB.
Shkup – Të gjithë pacientët të cilët mjekohen këtu dhe jashtë shtetit janë në gjendje të qëndrueshme dhe të mirë, shumica po përmirësohen, ndërsa nga gjithsej 20 kritikë, 10 janë më rëndë, por edhe ata janë në gjendje të qëndrueshme, jashtë rrezikut për jetë, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Siç deklaroi Taravari, në shtet po mjekohen 72 pacientë, ndërsa jashtë 101. Nga ata të cilët po mjekohen në vend, tre janë lëshuar dje, ndërsa nesër planifikohet të lëshohen edhe tre.
Tiranë – Katër djem të moshës prej 20 deri 25 vjet humbën jetën në një aksident të rëndë komunikacioni, i cili ka ndodhur para mesnatës në aksin rrugor Fushë Krujë – Vorë, në Tiranë. Automobili i markës “mercedes”, në benzinë dhe plin, në të cilin ishin djemtë, ishte përplasur me një kamion – betoniere, pas çka ishte djegur. Të dhënat e para nga mbikëqyrja konfirmojnë se betoniera lëvizte me shpejtësi të ulët, ndërsa automjeti në të cilin gjendeshin të rinjtë lëvizte me shpejtësi të madhe.
Bruksel - Konkurrueshmëria e BE-së, zhvillimet e fundit lidhur me Ukrainën dhe hapat e ardhshëm në përpjekjet për forcimin e mbrojtjes evropiane do të jenë temat kryesore të Samitit të rregullt të marsit të BE-së, i cili fillon sot në Bruksel. Përveç kësaj, krerët e shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë gjithashtu Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare të bllokut për pas vitit 2027, zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme dhe çështjet që lidhen me migracionin.
Bruksel - Samiti i sotëm i BE-së do t'i kushtohet finalizimit të fazës së parë të projektit më të rëndësishëm evropian në dekadat e fundit - "ndërtimit të një Evrope të sigurt, të armatosur dhe të bashkuar kundër kërcënimit rus", porositi sot kryeministri polak Donald Tusk përpara se të nisej për në seancën e Këshillit Evropian në Bruksel. "Mund të mbani mend se sa herë ishim vetëm kur paralajmëruam partnerët e tjerë evropianë për kërcënimin rus, ndërsa tani do të shohim Evropën të bashkohet rreth të njëjtit problem me të cilin Polonia shpesh përballej vetëm", deklaroi Tusk vendi i të cilit aktualisht udhëheq me Këshillin e BE-së.
Londër – Britania e Madhe sot do të jetë nikoqire e takimit të oficerëve të lartë ushtarakë nga “koalicioni i të përgatiturve” që të përpunohen planet për misionin e propozuar paqësor në Ukrainë. Takimi, në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues të mbi 20 shteteve, do të mbahet pas dyerve të mbyllura. Oficerë të lartë ushtarakë nga vendet të cilat e përbëjnë “koalicionin e të përgatiturve”, i kryesuar nga Britania e Madhe dhe Franca, takimin do ta mbajnë në Shtabin e Përbashkët të Britanisë së Madhe në Nortvud. Ata do të bisedojnë si misioni paqësor në Ukrainë do të funksionojë në praktikë.
Teheran - Të paktën 21 persona kanë humbur jetën, ndërsa 6.419 janë lënduar gjatë festimit në festivalin e zjarrit "Çaharshanbe Suri" në Iran. Në mesin e të lënduarve, 18 persona janë në gjendje të rëndë, ndërsa shumica e incidenteve janë regjistruar në zonat Teheran, Azerbajxhanit Lindor dhe Perëndimor. Festivali filloi mbrëmë me ndezjen e zjarreve, mjeteve piroteknike dhe mjeteve shpërthyese, të punuar me dorë. Festivali i zjarrit mbahet para Vitit të Ri Persian (Nevruz), që shënon ardhjen e pranverës.
Gazë - Të paktën 10 persona e kanë humbur jetën mbrëmë në Rripin e Gazës në bombardimin izraelit në territorin palestinez, njoftoi Mbrojtja civile. "Të paktën 10 civilë janë vrarë, ndërsa dhjetëra janë lënduar në sulmet ajrore izraelite herët në mëngjes në Kan Junis, në pjesën jugore të Rripit të Gazës", deklaroi zëdhënësi i Mbrojtjes civile, Mahmud Basal. Izraeli dje paralajmëroi se do t'i intensifikojë operacionet ushtarake si "paralajmërim përfundimtar" për banorët në territoret palestineze nëse Hamasi nuk i liron pengjët izraelitë.
Gazë - Të paktën 70 palestinezë e kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra janë lënduar sot në sulme ajrore izraelite në Rripin e Gazës, kumtuan autoritetet e atjeshme nën kontroll të Hamasit. Shërbimet shëndetësore publikuan se izraelitët kanë gjuajtur mbi shtëpi në pjesën veriore dhe jugore të vendit. Izraeli ende nuk i ka komentuar këto informata. Armata izraelite dje publikoi se i ka ripërtëritur operacionet tokësore në pjesën qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës, pasi dështoi armëpushimi, i cili ka zgjatur nga janari.
Kiev - Një seri e re e aeroplanëve ushtarakë F-16 arriti në Ukrainë, kumtoi presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski. Në konferencën onlajn për shtyp, ai i përgënjështroi informatat për rrëzimin e një aeroplani ushtarak F-16 nga ana e Rusisë. "Rusët gënjëjnë se aty kanë rrëzuar diçka", tha Zelenski.
Damask - Shefja e diplomacisë gjermane Analena Berbok sot në Damask zyrtarisht hapi ambasadën e Gjermanisë që u mbyll në vitin 2012 pas fillimit të luftës civile. Kjo është vizita e dytë e Berbokut në Siri që nga rrëzimi i ish presidentit Bashar al Asad. Ajo do të takohet me përfaqësues të qeverisë kalimtare siriane dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe me presidentin e përkohshëm Ahmed al Shara. Vizita e ministres gjermane të Punëve të Jashtme është vetëm dy javë pas përleshjeve të ashpra në Sirinë veriperëndimore në të cilën humbën jetën qindra persona.
Buenos Aires – Sulmuesi argjentinas Lautaro Martinez do të mungoj në ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Kupën e botës 2026 kundër Uruguait dhe Brazilit për shkak të lëndimit, njoftoi mbrëmë Federata e Argjentinës. Lojtari i Interit u la në pankinë javën e kaluar në ndeshjen e dytë të 1/8-ës së Ligës së kampionëve kundër Fejenordit për shkak të dhimbjeve në muskuj.