
09:00/ 20 mars/2025
Shkup - Hetimet për aksidentin në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën 59 persona, ndërsa rreth 200 janë me lëndime të rënda, po zgjerohen dhe deri tani janë përfshirë gjithsej 26 persona. Shtatë persona zyrtarë në SPB Shtip dhe SP të Koçanit janë dyshuar për veprën penale "krime të rënda kundër sigurisë publike" lidhur me miratimin e lejeve për funksionimin e diskotekës. Me procedurën hetimore që MPB-ja po e zhvillon në lidhje me aksidentin në Koçan deri tani janë përfshirë gjithsej 26 persona, por, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, thotë se ky nuk është numër përfundimtar, gjegjësisht se si do të vijojë hetimi, do të inicohet procedurë hetimore kundër çdo personi, për të cilin do të konstatohet se veprimi gjegjësisht mosveprimi i tyre ka kontribuar në kryerjen e veprës penale.
Shkup – Të vdekurit në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan sot do të varrosen. Në tragjedinë e cila ndodhi të dielën herët në mëngjes humbën jetën 59 persona, ndërsa mbi 150 janë lënduar. Ceremonitë e varrimit do të jenë në orën 11 në Shtip, në orën 12 në Koçan dhe në orën 13 në fshatin Obleshevë, përderisa varrimet në vende të tjera prej ku ka të vdekur do të jenë në periudha të ndryshme kohore.
Shkup - Të gjithë gazetarët dhe mediat, kur raportojnë për varrimet e viktimave të zjarrit në Koçan, duhet t'u përmbahen parimeve etike të respektimit të dhimbjes dhe dinjitetit personal, shmangies së sensacionalizmit, publikimit të informacioneve të verifikuara dhe mbajtjes së ekuilibrit dhe paanshmërisë. Thirrjen e dërgojnë Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM), duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e tragjedisë dhe standardet universale etike për raportim profesional.
Beograd – Te një pacient i lënduar në zjarrin në Koçan i cili është në mjekim në Akademinë Ushtarake – Mjekësore në Beograd ka përmirësim të gjendjes shëndetësore dhe ai nga Kujdesi intensiv është transferuar në Klinikën për Kirurgji Plastike, informon korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.
Ankara - Mijëra studentë mbrëmë janë tubuar në kampin e Universitetit në Stamboll për shkak të arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamogllu edhe krahas ndalesës katërditore për tubime publike dhe protesta deri më 23 mars, me qëllim që të "mbahet rendi publik dhe të pengohen provokimet potenciale". Protestat vijuan pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamogllu dhe anëtarëve tjerë të lartë të Partisë Republikane Popullore në opozitë (CHP).
Damask - Shefja e diplomacisë gjermane Analena Berbok sot do ta vizitojë Sirinë, për herë të dytë nga rrëzimi i ish presidentit, Bashar al Asad. Berbok pritet në mëngjes të arirjë në Damask në biseda me qeverinë kalimtare siriane dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Hollësira konkrete nga vizita nuk publikohen për shkaqe sigurie. Vizita e ministres gjermane të Punëve të Jashtme është vetëm dy javë pas përleshjeve të ashpra në Sirinë veriperëndimore, me ç'rast humbën jetën qindra njerëz.
Jerusalem - Ushtria izraelite kumtoi se në mëngjes ka shkatërruar një raketë të gjuajtur nga Jemeni. Sirenat për sulm ajror u dëgjuan në Tel Aviv, Jerusalem dhe disa zona të tjera të Izraelit. "Një raketë, e gjuajtur nga Jemeni, u kap nga forcat ajrore para se të hynte në hapësirën ajrore izraelite. Në pajtim me protokollin, sirenat u aktivizuan", thuhet në kumtesën e ushtrisë izraelite. Një zëdhënës i Huthëve në fjalim televiziv deklaroi se kryengritësit jemenas kishin gjuajtur një raketë balistike në aeroportin Ben Gurion pranë Tel Avivit.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp sot planifikon të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv, me të cilin urdhërohet mbyllja e Ministrisë amerikane të Arsimit, deklaroi një përfaqësuesi Shtëpisë së Bardhë. Ky hap paraqet plotësimi i premtimit të tij parazgjedhor për eliminimin e këtij institucioni, i cili ka qenë gjatë kohë në shënjestër të konservatorëve. Tramp e ka quajtur shpesh Ministrinë e Arsimit të kotë dhe nën ndikim të ideologjisë liberale. Megjithatë, heqja përfundimtare si duket është e pamundur pa veprim të Kongresit, pasi Ministria u themelua në vitin 1979 me akt të Kongresit.