
18:00/20 mars/2025
Shkup - Edhe tre persona nga zjarri në Koçan do të trajtohen në Turqi, njoftuan pasdite nga ambasada turke. Tre të rinj janë transportuar sot me aeroplan në spitalin "Çam dhe Sakura" në Stamboll. Ambasadori turk në vend Fatih Ulusoj i shoqëroi të lënduarit në Aeroportin Ndërkombëtar, gjatë nisjes së tyre nga Shkupi. Momentalisht në Turqi po trajtohen 12 persona të lënduar. Nga këto, gjysma janë në spitalin "Çam dhe Sakura" në Stamboll, ndërsa gjysma tjetër në spitalin "Bilkent Shehir" në Ankara.
Shkup, - Dy spitale publike në Madrid, Spanjë do të marrin për trajtim shtatë persona të lënduar në zjarrin katastrofik në lokalin e natës në qytezën Koçan, Maqedonia e Veriut, të cilët pritet të mbërrijnë së shpejti, njoftuan sot gazetat spanjolle "ABC Madrid" dhe "20Minutos", duke cituar informacione të konfirmuara nga zëdhënësi i Qeverisë së Spanjës, Migel Anhel Garsia. Lajmin për MIA-n e konfirmuan nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë. Siç njofton "ABC Madrid", bëhet fjalë për spitalet në La Paz dhe Getafe, të cilët do t'i hapin dyert për këta shtatë pacientë të cilët u lënduan rëndë nga zjarri që shpërtheu në Maqedoninë e Veriut javën e kaluar, me kërkesë të autoriteteve maqedonase.
Shkup - Ministria e Shëndetësisë kumtori se është në komunikim të vazhdueshëm me spitalin e Koçanit dhe vë në dispozicion të gjitha burimet e mundshme sipas nevojave të popullsisë lokale. Siç theksohet në kumtesë, ekipet mjekësore janë përforcuar veçanërisht sot, gjatë ceremonisë së varrimit. Në bashkëpunim me Klinikën e Psikiatrisë, janë dërguar specialistë psikiatër për të mbështetur qytetarët në këto momente të vështira. "Në bashkëpunim me institucionet shëndetësore dhe Kryqin e Kuq, është organizuar dhe forcuar prania e ekipeve mjekësore, të cilat janë të disponueshme gjatë gjithë ditës së sotme. Ministria e Shëndetësisë mbetet në komunikim me të gjitha palët e përfshira, ndjek vazhdimisht nevojat e popullsisë lokale dhe reagon në mënyrë të përshtatshme ndaj kërkesave të qytetarëve", thonë nga MSH-ja.
Shkup - Ministria e Shëndetësisë pasdite i ka publikuar qendrat mjekësore jashtë vendit, ku po mjekohen pacientë nga zjarri në Koçan. Deri më tani, 101 pacientë janë dërguar për trajtim jashtë vendit (Serbi, Bullgari, Slloveni, Kroaci, Greqi, Itali, Austri, Belgjikë, Lituani, Turqi, Suedi, Hungari dhe Poloni). Sipas njoftimeve të fundit, tre persona të tjerë do të trajtohen në Turqi, ndërsa shtatë po transportohen për në Spanjë.
Shkup - Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se deri më tani janë siguruar gjithsej 42.7 milionë denarë, ndihmë humanitare për viktimat e zjarrit në Koçan dhe familjet e tyre dhe se po vazhdojnë me të gjitha mekanizmat për grumbullimin e ndihmave humanitare. "Deri më tani janë siguruar gjithsej: 42.739.931,00 denarë. Mjetet janë të dedikuara ekskluzivisht për përkrahjen e viktimave nga zjarri në Koçan. Ju bëjmë thirrje të gjithëve që të vazhdojmë të tregojmë humanizmin dhe solidaritetin tonë në ofrimin e ndihmës për familjet e prekura", theksojnë nga Kryqi i Kuq. Ndihma mund të jepet përmes: - Llogaria e Fondit të Solidaritetit të Kryqit të Kuq të RMV: 300000001327966, numër tatimor: 4030984271620 SHA Komercijalna Banka me emërtim: ndihmë për qytetarët e goditur nga zjarri në Koçan.
Shkup - Një person është plagosur nga një armë zjarri pasdite dhe është sjellë sot në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “Shën Naumi Ohrit” në Shkup. Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila për MIA-n njoftoi se ngjarja ka ndodhur në hyrje të fshatit Moranë. "Sot në orën 15:15 në SPB Shkup është raportuar se në hyrje të fshatit Moranë të Shkupit është gjuajtur me armë zjarri, ku një person është lënduar dhe është transportuar për trajtim mjekësor në Spitalin “Shën Naum i Ohrit”. Menjëherë pas kallëzimit në vendngjarje janë dërguar zyrtarë policorë nga SPB Shkup dhe po ndërmerren masa për zbulimin e autorëve dhe zbardhjen e rastit", thonë nga MPB-ja.
Stamboll - Prefekti i Stambollit, Ekrem Imamogllu, i cili është arrestuar për korrupsion dhe terrorizëm, i ka bërë thirrje popullit turk që të dalë kundër, siç e quajti ai, "të keqes". "Si komb, duhet të qëndrojmë kundër kësaj të keqeje. Kjo është thirrja ime për popullin tim", shkroi Imamogllu sot në X. Siç raporton DPA, ai akuzoi qeverinë e presidentit Rexhep Taip Erdogan për shënjestrimin e familjes dhe pronës së tij, duke u bërë thirrje nëpunësve publikë dhe gjyqësorit që të kundërshtojnë çdo abuzim me pushtetin.
Moskë - Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ka deklaruar sot se dispozitat e strategjisë së re mbrojtëse së BE-së për ndihmën ndaj Ukrainës tregojnë qëllimin e Evropës për të pezulluar negociatat ruso-amerikane për Ukrainën. "E gjithë kjo tregon qartë pandryshueshmërinë e kursit të udhëheqjes së Bashkimit Evropian dhe shumicës së vendeve anëtare të tij drejt minimit të përpjekjeve ruso-amerikane për të ndërtuar një dialog për të gjetur mënyra për të zgjidhur në mënyrë paqësore konfliktin ukrainas", tha Zaharova në një konferencë. Sipas saj, po bëhen përgatitjet për takimet mes Rusisë dhe SHBA-së për Ukrainën, duke përfshirë një marrëveshje për datën e takimit dhe përbërjen e delegacioneve.
Bruksel - Bashkimi Evropian është partneri strategjik qendror i Kombeve të Bashkuara dhe ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e tij financiare dhe politike, deklaroi sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonoi Guteresh pas mbërritjes në Samitin e sotëm të BE-së në Bruksel. "Besoj se BE-ja është shtylla themelore e përgjigjes shumëpalëshe ndaj sfidave me të cilat përballemi në lidhje me paqen, sigurinë, klimën, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut", theksoi Guteresh, i shoqëruar nga Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta.
Bruksel - Krerët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së në Samitin e sotëm në Bruksel nuk arritën edhe një herë konsensus për propozim-konkluzionet për Ukrainën. Në tekstin e miratuar zyrtarisht i publikuar në konkluzion tregon se liderët e BE-së patën një shkëmbim mendimesh me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, biseduan për zhvillimet e fundit në lidhje me Ukrainën dhe do t'i kthehen kësaj çështje në takimin e ardhshëm. "Teksti i referuar në këtë dokument si EUCO 11/25 u mbështet me vendosmëri nga 26 krerë shtetesh ose qeverish, shtohet në konkluzionet, në favor të kujt është edhe "teksti EUCO 11/25", gjegjësisht konkluzionet e propozuara për të cilat nuk u arrit konsensus.
Bruksel - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u ka bërë thirrje liderëve evropianë që të gjejnë një mënyrë për ta bërë procesin e vendimmarrjes më të shpejtë, më fleksibël dhe më efektiv, duke iu referuar vetos së Hungarisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në BE. Zelenski këtë e deklaroi në fjalimin para Këshillit Evropian, raporton BTA, duke iu referuar Ukrinformit. "Është e pakëndshme të thuhet, por nevojitet një presion brenda vetë Evropës për të siguruar që gjithçka që premtohet do të ndodhë. E kam fjalën për negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe zgjidhjen e disa çështjeve me rëndësi thelbësore për unitetin evropian. Është thjesht anti-evropiane kur një person bllokon vendime që janë të rëndësishme për të gjithë kontinentin ose që tashmë janë rënë dakord”, tha Zelenski.