• e enjte, 20 mars 2025
MIA FLESH

18:00 / 19 mars / 2025

Shkup - Deri tani 119 persona nga familjet e të lënduarve nga zjarri në Koçan janë transportuar dhe akomoduar jashtë vendit, në qytetet ku janë të hospitalizuar më të afërmit e tyre. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva tha se ky numër i anëtarëve të familjeve po ndryshon dhe do të rritet pasi që duke pasur parasysh se do të ketë transport të ri të të lënduarve për mjekim në vendet tjera. "Deri para një ore unë kisha informacionet e fundit se 119 persona janë transportuar dhe akomoduar në mënyrë të sigurt nga familjet e të hospitalizuarve jashtë vendit. Ende po dërgohen pacientë dhe besoj se ka një ndryshim në këtë numër dhe se është rritur. Me të gjithë do të jemi në kontakt, të gjithëve do t'u sigurohet transporti dhe akomodimi, i cili do të jetë më i favorshëm për ta, në afërsi të spitaleve ku po mjekohen të lënduarit. Po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të siguruar dhe të paktën për t'i bërë gjërat pak më të lehta për familjet, aq sa mundemi", tha Miteva në konferencën për shtyp.

Shkup - Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) rikujton mediat, gjatë informimit për funeralet e viktimave nga zjarri tragjik në Koçan që t’u përmbahen standardeve më të larta profesionale dhe etike. "Raportimi duhet të jetë pa sensacionalizëm, detyrimisht duhet të respektohet dhimbja dhe pikëllimi personal i familjeve, të afërmve dhe të dashurve të të ndjerëve dhe duhet pasur kujdes që të mos kontribuojnë në rritjen e mëtejshme të shqetësimit. Në këtë drejtim janë edhe kërkesat nga banorët e Koçanit, të cilët dje i janë drejtuar drejtpërdrejt Agjencisë, por edhe përmes rrjeteve sociale, me apel  që punonjësit e mediave të qëndrojnë larg gjatë funeralit dhe të mos filmojnë me dronë. Mediat duhet të jenë të kujdesshme gjatë kryerjes dhe veçanërisht gjatë publikimit të incizimeve dhe fotografive, në mënyrë që të lejojnë familjet dhe prindërit me dinjitet dhe respekt t’i thonë lamtumirë të dashurit e tyre", thonë nga ASHMAA.

Shkup - Për momentin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në Shkup   janë duke bërë plane  në cilën fazë sa pacientë duhet të përfshihen me intervenim kirurgjikal për rikonstruimin e indit të djegur nga zjarri në klubin “Puls” në Koçan, informoi sot drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski.  "Ndërhyrje të tilla edhe në të kaluarën janë kryer në Klinikë, nga ku do të na informojnë për ritmin dhe  në përputhje me këtë do të fillojmë të punojmë. Sot duhet të përfundojë faza e transportit të pacientëve jashtë vendit, e cila do të mundësojë përqendrimin e plotë në planifikimin e hapave të ardhshëm në vend, që nuk janë vetëm transplantimi i lëkurës, por do të ketë edhe procedura të tjera të nevojshme, pasi disa nga trajtimet do të jenë më afatgjatë. Duhet të përgatitemi që disa nga pacientët t'i kthejmë në vend dhe të mund të vazhdojmë trajtimin e tyre", tha Klekovski në përgjigjen e pyetjes në konferencë për shtyp në Qeveri.

Shkup - Nga Shkupi sot në mesditë janë transportuar dy pacientë për trajtim mjekësor në Stokholm në Spitalin universitar Karolinska, bën të ditur ambasada e Suedisë në faqen e saj në Fejsbuk. Prej atje shtojnë se trajtimi dhe kujdesi i vazhdueshëm janë siguruar gjatë transportit të pacientëve nga Shkupi në spitalin Karolinska. "Maqedonia e Veriut kërkoi ndihmë përmes Mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së dhe Suedia, së bashku me shtetet e tjera anëtare iu përgjigj nevojave të Maqedonisë së Veriut. Suedia solidarizohet me Maqedoninë e Veriut pas rastit tragjik që ndodhi në Koçan. Mendimet tona mbeten me të gjithë të prekurit", shton ambasada e Suedisë.

Shkup - Drejtori i FSSHM, Sasho Klekovski, në konferencën e sotme për shtyp theksoi se në katër vitet e fundit kemi pasur 28 raste, prej të cilave gjashtë me djegie të shkallës së lartë. "Ne kemi rreth njëqind djegie në vit në të gjithë territorin e Maqedonisë gjatë një viti, duke përfshirë djegiet nga hekuri, uji i nxehtë dhe të gjitha shkaqet e mundshme. Djegiet nga zjarri janë kategoria më e rëndë sepse përveç dëmtimit të lëkurës, përfshijnë edhe dëmtime të frymëmarrjes. Nga këto qindra raste që i kemi në vit, në katër vitet e fundit kemi pasur 28 raste, gjashtë prej të cilave kanë të bëjnë me djegie të shkallës së lartë, pra flasim për djegie të shkallës së dytë dhe të tretë. Kemi pasur gjithsej 11 raste të djegieve të komplikuara me transplantim të lëkurës dhe 11 raste të djegieve të lehta me transplantim të transplantit të lëkurës. Gjithsej 28 raste në katër vjet", tha Klekovski.

Shkup - Shkelja e rregullave me pretekstin "nuk e kemi ditur" është e papranueshme, njoftoi sot Agjencia e Aviacionit Civil (AAC), pas informimit se mbrëmë ekipet e gazetarëve janë thirrur në polici për t'u marrë në pyetje për shkak të mungesës së lejes së duhur për të xhiruar me dron në tubimet në shesh të Shkupit. AAC-ja në komunikatë ka theksuar se personat që kanë operuar me dron gjatë ngjarjeve të djeshme është dashur të jenë operatorë të regjistruar të dronëve dhe të posedojnë certifikatë për operatorë të regjistruar të dronëve të lëshuar nga AAC. Të njejtit, potencon AAC-ja nuk kanë guxuar kurrsesi të fluturojnë drejtpërdrejt mbi turmën e njerëzve sepse në asnjë kategori të operacioneve me dron (A1, A2 ose A3) nuk lejohet fluturimi direkt mbi grumbullime njerëzish.

Shkup - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme sot kumtoi se shpenzimet për transport dhe akomodim për familjet e pacientëve të lënduar në aksidentin e Koçanit, të cilët aktualisht janë duke u mjekuar jashtë vendit i mbulon plotësisht Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Shërbimit të punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë. Njëherësh, nga Ministria u bëjnë thirrje familjeve të pacientëve që kanë nevojë për transport apo akomodim të kontaktojnë numrin e telefonit 070-270-370. "Në mënyrë shtesë, të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore janë në dispozicion për të ofruar mbështetjen e nevojshme logjistike në vendet ku po mjekohen pacientët. Lista e kontakteve me numrat e telefonit është publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, ndërsa në dispozicion janë edhe numrat e telefonit kujdestarë: 075/273-732 dhe 075/268-736", thuhet në kumtesë.

Shkup - Prokurori publik përgjegjës nga Departamenti i specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër shtatë zyrtarëve policorë. Sipas veprimeve të përshkruara në urdhër, kumtoi sot Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer vepër të rëndë kundër sigurisë publike. "Si zyrtarë të punësuar në SPB Shtip dhe në SP të Koçanit si bashkëkryerës, të dyshuarit duke përgatitur, nënshkruar dhe miratuar pëlqimin pozitiv, i kanë mundësuar personit juridik që të marrë licencë për kryerjen e veprimtarive hoteliererike - kabare, edhe pse objekti nuk i plotësonte kushtet ligjore për funksionim. Të dyshuarit së bashku kanë shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupin e njerëzve, duke lejuar që kabareja të funksiononte në kushte nën standarde, me ç'rast më 16 mars të vitit 2025, në objekt është shkaktuar zjarr ku kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa 196 kanë pësuan lëndime të rënda", sqarohet në deklaratë.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot konfirmoi se shtatë policë nga Koçani dhe Shtipi dyshohen për krime të rënda kundër sigurisë publike lidhur me zjarrin në Koçan dhe për ta është paraqitur propozim për caktimin e masës së arrestit. Të dyshuarit kanë konstatuar se kabareja i plotëson kushtet ligjore në drejtim të mbrojtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe trafikut. Përveç këtyre të shtatëve, para gjyqtarit për procedurë paraprake do të dalë edhe një person tjetër i lidhur me një ngjarje penale, i cili aktualisht është një nga drejtuesit në Ministrinë e Ekonomisë. "Prokurori publik përgjegjës nga Departamenti i specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër shtatë zyrtarëve policorë. Sipas veprimeve të përshkruara në urdhër, kumtoi sot Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer vepër të rëndë kundër sigurisë publike", tha Toshkovski në konferencë për shtyp.

Shkup -  Me procedurën hetimore që MPB-ja e zbaton  për aksidentin në Koçan deri më tani janë përfshirë 26 persona. Por, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot para mediave theksoi se ky nuk është numri përfundimtar, gjegjësisht  se si do të rrjedhë procedura do të inicohet pprocedurë hetimore kundër çdo personi për të cilin do të konstatohet se me veprimin apo mosveprimin ka kontribuar në kryerjen e veprës penale. "Për cilindo që konstatohet se ka kryer ndonjë vepër që përbën vepër penale, pa marrë parasysh se a është vepër e marrjes apo mosveprimit,  do të ndërmerren procedura përkatëse nga MPB-ja, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Publike kompetente", tha Toshkovski

Shkup - Qendra Evropiane për parandalim dhe kontroll të sëmundjeve (ECDC), vlerëson se nga afër ndjek situatën pas rastit tragjik në klubin e natës "Puls" në Koçan. Shumë pacientë me lëndime nga djegiet janë transferuar në spitale në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe vendet fqinje për trajtim urgjent mjekësor. ECDC thekson rrezikun e infeksioneve te pacientët me djegie nga zjarri në Maqedoninë e Veriut të shkaktuara nga bakteret, rezistente ndaj karbapenemeve që i takojnë grupit të antibiotikëve.

Sofje - Dy prej 15-të të lënduarve nga zjarri në Koçan të cilët janë hospitalizuar në Bullgari, janë ekstubuar, njëri është me maskë për oksigjen, ndërsa të tjerët janë në gjendje të rëndë, por stabile, kumtoi pasdite në konferencën për shtyp, ministri i Shëndetësisë së Bullgarisë. Pacientët e ekstubuar, si dhe pacienti me maskë për oksigjen, janë në Spitalin universitar për mjekim aktiv dhe mjekësi urgjente "N.I.Pirogov" në Sofje. Gjashtë pacientët e tjerë në atë spital janë ende në ventilim mekanik.

Kumanovë - Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari sot deklaroi se është shkarkuar nga detyra drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës Stefan Trajanovski. Ka shqyrtuar dokumentacionin e inspeksionit sanitar shtetëror dhe, ashtu siç tha, ministria ka konstatuar se ka parakushte për shkarkimin e drejtorit të spitalit të Kumanovës. Taravari sot ka vizituar familjen e të riut nga Kumanova i cili ka ndërruar jetë më 17 mars në spitalin e përgjithshëm të Kumanovës pas pranimit të terapisë. Nesër, ashtu siç ka paralajmëruar, do të emërohet drejtori i ri i spitalit. Ministria po shqyrton dy deri në tre emra nga radhët e institucionit publik shëndetësor në Kumanovë.

Athinë - Një në dy grekë beson konsideron se është më mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme sesa qeveria aktuale të mbarojë mandatin e saj në vitin 2027, ndërsa 66 për qind thanë se nëse do të kishte zgjedhje të dielën, do të votonin për një qeveri tjetër, kundrejt 25 për qind që zgjedhin t'i japin një shans të dytë Qeverisë së Micotakisit, tregojnë rezultatet nga hulumtimi i mendimit publik të zbatuar nga  agjencia Alko për televizionin grek Alfa, lajmëroi korrespondentja e i MIA-s nga Athina.  Nga të anketuarit, 55 për qind nuk janë aspak të kënaqur me rezultatet e qeverisë dhe po kaq shprehin pakënaqësi për kryeministrin aktual grek.

Paris - Presidenti i Francës, Emanuel Makron sot deklaroi se sulmet e reja izraelite ndaj Gazës paraqesin një hap dramatik prapa dhe paralajmëroi se nuk kishte zgjidhje ushtarake për territorin palestinez. "Është thelbësore që armiqësitë të ndërpriten menjëherë dhe që negociatat të vazhdojnë me mirëbesim nën kujdesin amerikan”, tha presidenti francez në një konferencë shtypi me mbretin jordanez Abdullah i Dytë të cilin e takoi në Pallatin e Eliseut. "Apelojmë për ndërprerje të përhershme të armiqësive dhe lirimin e të gjithë pengjeve nga lëvizja islamike palestineze Hamas në Gazë", shtoi Makron.

Stamboll - Në protestën në mbështetje të prefektit të arrestuar të Stambollit, Ekrem Imamogllu, ka ardhur deri në përplasje mes policisë dhe studentëve të universitetit nga ky qytet në Bosfor. Studentët protestuan kundër arrestimit të tij, si dhe anulimit të djeshëm të diplomës së Imamoglut nga ana e Universitetit të Stambollit për shkak të parregullsive të supozuara, raportojnë mediat turke. Qindra studentë i kanë thyer barrikadat e policisë dhe tensionet u përshkallëzuan në vende të caktuara pas ndërhyrjes së ashpër të policisë. Gjatë konfliktit një numër i madh studenteve kanë rënë përtokë.

Moskë/Kiev - Rusia dhe Ukraina sot kanë shkëmbyer të burgosur, veprim ky i cili u finalizua gjatë bisedës së djeshme telefonike mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit Vladimir Putin, njoftoi sot Ministria ruse e Mbrojtjes. Në kumtesë për mediat theksohet se 175 ushtarë ukrainas janë shkëmbyer me 175 ushtarë rusë.

Gaza - Një përfaqësues zyrtar i Hamasit sot deklaroi se Izraeli duhet të përballet me presion për të respektuar marrëveshjen e armëpushimit të Gazës që ka shkelur, duke insistuar se nuk ka nevojë për marrëveshje të reja kur tashmë ekziston marrëveshja e nënshkruar. Kryeministri Benjamin Netanjahu dje deklaroi se ai kishte urdhëruar sulmet, duke pretenduar se Hamasi kishte refuzuar propozimet për zgjatjen e armëpushimit në Gazë. Në valën e sulmeve në të gjithë territorin e rrethuar humbën jetën qindra njerëz dhe i dha fund paqes relative dymujore.

Gaza - Të paktën 20 palestinezë humbln jetën në sulmet e sotme ajrore izraelite në Gazë, kumtuan personat mjekësor, ndërsa bombardimet vazhduan dhe u dhanë urdhra që banorët të evakuoheshin nga zonat e luftimeve. Një shtetas i huaj u vra, ndërsa katër të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në selinë e Kombeve të Bashkuara në qendër të Gazës e kryer sot, kumtoi Ministria e Shëndetësisë së Gazës. Ushtria izraelite në kumtesë mohoi se caku ishte baza e KB-së në Deir al Balah, duke sqaruar se ata goditën lokacionin e Hamasit në pjesën e Gazës veriore ku u zbuluan përgatitjet për të qëlluar në territorin izraelit.

QËNDRONI TË LIDHUR