• e martë, 08 tetor 2024
MIA Flesh

9:00/7 tetor/2024

Shkup - Komisioni Parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive sot në seancë duhet t'i shqyrtojë raportet vjetore për punën e prokurorive publike dhe Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në procedurë administrative dhe procedurë të marrëdhënies së punës në shkallë të dytë, për vitin 2023. Para Komisionit janë edhe Raporti i posaçëm i Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit për gjendjet e krijuara në financimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, Raporti special për gjendjet e krijuara në financimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjen e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, Raporti për realizimin e buxhetit gjyqësor për vitin 2023 dhe Raporti vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023, të cilat tashmë janë shqyrtuar.

Shkup - Kryeministri i Republikës së Serbisë, Millosh Vuçeviq sot, me delegacion qeveritar, do ta vizitojë vendin. Vuçeviqi do të pritet nga kryeministri Hristijan Mickoski. Siç njoftojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në kuadër të vizitës do të mbahet takimi tet-a-tet mes kryetarëve të qeverive të të dyja vendeve, ndërsa më pas edhe takimi plenar mes dy delegacioneve, pas çka do të pasojë nënshkrimi i memorandumit për bashkëpunim mes Ministrisë së Maqedonisë për Energjetikë, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Ministrisë serbe të Minierave dhe Energjetikës. Është paraparë edhe konferencë e përbashkët e Mickoskit dhe Vuçeviqit. 

Shkup  - Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Masimiliano Paoluçi, ekonomistja e lartë Sanja Maxhareviq-Shujster, specialisti i lartë i energjisë Redon Begolli dhe ekonomisti i lartë urban në Bankën Botërore Mega Mukim, sot në Shkup do të prezantojnë Raportin për klimën dhe zhvillimin e shteteve dhe rishikimin e financave publike klimatike të Maqedonisë së Veriut.

Shkup - Për shkak të vizitës zyrtare të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Serbisë, Millosh Vuçeviq, sot në Shkup do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit, njoftoi MPB-ja. "Njësiti për Siguri në Komunikacionin Rrugor në SPB Shkup do të ndërmarrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit në rrugët në zonën më të gjerë qendrore të qytetit të Shkupit", theksohet në kumtesë.  SPB Shkup u bën apel qytetarëve që të respektojnë urdhrat e dhëna nga nëpunësit policorë.

Shkup - Në Berovë sot do të mbahet ngjarje për nisjen zyrtare të aktiviteteve në kuadër të projektit "Vendosja e pikës së re kufitare Strumjan-Berovë (Klepalo)", për të cilën janë siguruar mjete përmes IPA Programit të Bashkimit Evropian për bashkëpunim tejkufitar me Republikën e Bullgarisë, kumtoi Drejtoria Doganore. Në ngjarje është paralajmëruar fjalim i drejtorit të Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski, ministrit të Vetëqeverisjes Lokale Zlatko Perinski dhe drejtorit të Sekretariatit të përbashkët të Programit për bashkëpunim tejkufitar me Republikën e Bullgarisë, Toni Jakimovski.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell, dhe me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimala do të jetë në interval prej 8 deri 16, ndërsa maksimalja prej 19 deri 27 gradë. Në Shkup do të mbajë mot me diell, me vranësira të ulëta deri në mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi veriperëndimorë. Temperatura minimale do të ulet deri 8, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 25 gradë. 

Gjenevë - Viti i kaluar në Lindjen e Mesme ishte një vit i vuajtjeve të paimagjinueshme, kumtoi sot KB. Sot shënohet një vit nga sulmi i grupit palestinez Hamas dhe grupeve tjera të armatosura palestineze në të cilin u vranë më shumë se 1.200 njerëz në Izraelin jugor, ndërsa rreth 250 u morën si pengje në Rripin e Gazës. Izraeli ktheu me sulme masive ku humbën jetën më shumë se 41.800 njerëz, kumtoi Ministria e Shëndetësisë e Palestinës. Hamasi nuk bën dallim ndërmjet rasteve të vdekjes së militantëve dhe civilëve. Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Bruksel - Zemrat dhe mendimet tona janë me njerëzit në Bosnja e Hercegovinë të goditur nga përmbytjet shkatërruese, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në një postim në Iks në lidhje me zonat e përmbytura në BeH. "E aktivizuam Mekanizmin tonë për mbrojtje civile të BE-së dhe dërgojmë ekipe të shpëtimit në terren. Ky është solidariteti i BE-së në vepër", shtoi Fon der Lajen në postim.

Bruksel - Nuk mund të ketë justifikime për aktet terroriste dhe sulmet barbare të Hamasit ndaj izraelit, të cilat edhe njëherë më ashpër i dënoj, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, me rastin e përvjetorit të sulmeve të vitit të kaluar të grupit palestinez ndaj territorit izraelit ku u vranë 797 civilë, ndër të cilët edhe 36 fëmijë dhe 379 pjesëtarë të forcave të sigurisë, rreth 3400 persona u plagosën, ndërsa 251 izraelitë u morën si pengje. "Më 7 tetor të vitit 2023, bota u zgjua me imazhe të tmerrshme të egërsisë së papërshkrueshme, skena të cilat përgjithmonë do të mbesin në mendjet tona. Ata sollën vuajtje të mëdha jo vetëm ndaj popullit të Izraelit, por edhe ndaj palestinezëve të pafajshëm. Në këtë përvjetor tragjik dua t'i nderoj viktimat. Bashkimi Evropian ndjen keqardhje për të gjithë njerëzit e pafajshëm jetët e të cilëve janë shkatërruar nga ajo ditë e kobshme", citoi Fon der Lajen në deklaratë.

Bejrut - Së paku një raketë e re dje e goditi Bejrutin jugor, pak më shumë se një orë pasi që Izraeli dha instruksione për evakuim të civilëve. Ato goditën paralagjen jugore e cila ka prani të fuqishme të Hezbollahut dhe është afër aeroportit. Ai rajon ditëve të fundit disa herë ishte cak i sulmeve. Forcat mbrojtëse izraelite (IDF) dhanë paralajmërim "urgjent" për evakuim për banorët e Burxh al Barajneh dhe Hadat - dy rajone në jug të Bejrutit.

Bejrut - Raketat e Hezbollahut goditën Haifan, qytetin e tretë më të madh në Izrael, njoftoi policia izraelite, ndërsa mediat izraelite njoftuan se 10 persona janë plagosur në veri të vendit. Hezbollahu njoftoi se kishte në shënjestër një bazë ushtarake jugore nga Haifa me raketa "Fadi 1". Mediat njoftuan se dy raketa ranë në Haifa në bregdetin e Detit Mesdhe, ndërsa pesë ranë në Tiberia, në 65 kilometra. Policia njoftoi se janë dëmtuar disa ndërtesa dhe prona, ndërsa ka disa raporte për lëndime më të lehta dhe se njerëzit janë dërguar në spitalin e afërt. 

Meksiko Siti - Alehandro Arkos, prefekt i Çilpancingos, kryeqytet i shtetit meksikan Gerei, u vra dje, më pak se një javë pas marrjes së funksionit, konfirmoi guvernatorja e shtetit. Mediat britanike transmetojnë se Arkos është vrarë vetëm gjashtë ditë pasi u bë prefekt i Çilpansingos, qytet në Meksikën jugperëndimore me rreth 280.000 banorë. "Për shkak të vrasjes së tij, i gjithë komuniteti i shtetit të Gereros është i pikëlluar dhe po na mbush me zemërim", tha guvernatorja Evelin Salgado në një deklaratë të ndarë në rrjetet sociale.

Nju-Jork - Gazeta amerikane "Nju-Jork Tajms" zbuloi sfondin e njërit prej operacioneve më të suksesshme të shërbimit sekret izraelit Mosad në historinë e tij kundër Hezbollahut, kur shkaktoi shpërthime të mijëra pejxherëve që i shfrytzonte ky grup libanez. Në prezantim shitjesh për Hezbollahun dy vjet më parë, linja e re e pejxherëve të Apollos dukej krejtësisht e përshtatshme për nevojat e grupit me një rrjet të gjerë luftëtarësh paranoikë, bën të ditur gazeta. Pejxheri AR924 ishte disi më i madh, por i fuqishëm, i disenjuar për t'i bërë ballë kushteve të fushës së betejës. Ai mund të lëvdohej me një dizajn tajvanez të papërshkueshëm nga uji dhe një bateri të madhe që mund të funksiononte për muaj të tërë pa u rimbushur.

QËNDRONI TË LIDHUR