15:00/4 tetor/2024
Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski paralajmëroi se do të analizojë propozimin e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe për mbajtjen e seancës së mbyllur për hapat e ardhshëm për procesin e eurointegrimeve dhe se së shpejti nga sot do të japë qëndrim konkret lidhur me këtë propozim. "Patjetër dhe Venko Filipçe diçka të thotë. Tani ai zgjodhi ta thoshte. Ne rregull është, do ta analizojmë këtë propozim të z. Filipçe dhe së shpejti nga sot do të japim një qëndrim konkret lidhur me këtë propozim të tij", deklaroi Mickoski i cili së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, shefin e Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral majorin Sashko Lafçinski, ambasadoren amerikane Anxhela Ageler dhe gjeneralët e Armatës, morën pjesë në stërvitjen metodike-treguese në poligonin e Armatës "Krivollak".
Shkup - Nuk ka mbështetëse dhe partnere më të madhe se SHBA-ja në realizimin e qëllimeve tuaja dhe e di se kjo u përsërit edhe në takimin mes presidentëve Xho Bajden dhe Gordana Siljanovska Davkova, deklaroi ambasadorja amerikane, Anxhela Ageler. E pyetur çfarë dhe në cilin drejtim do të jetë mbështetja e shtuar e paralajmëruar e SHBA-së për Maqedoninë e Veriut, në takimin mes presidentëve Xho Bajden dhe Gordana Siljanovska Davkova, Ageler tha se ata me të vërtetë patën takim të shkëlqyeshëm, por nuk ka ndonjë shumë konkrete për të cilën është diskutuar.
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti i cili është pjesë e koalicionit "VLEN", duke komentuar daljen e Menduh Thaçit nga Fronti Evropian me në krye BDI-në, tha se partitë në këtë front nuk janë bashkuar ideologjikisht, por për të mbijetuar në skenën politike. Në deklaratën për media dhënë sot në Haraçinë, Mexhiti tha se nuk ka informacione se negociohet me Thaçin për kalimin e tij në "VLEN". "Unë personalisht nuk kam negociata të tilla. Siç edhe paralajmërova disa muaj më parë, ata nuk u bashkuan ideologjikisht apo për qëllime të larta, por se si të mbijetojnë në skenën politike", ka thënë Mexhiti.
Shkup – Nuk ka nevojë për miratim të Ligjit për amnisti me një qëllim të vetëm që të ulet mbingarkesa në burgje, por nevojitet zbatim më i madh i pushimit me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse. Të gjithë këtë si zgjidhje ligjore e kemi dhe duhet të zbatohet më shpesh, deklaroi gjykatësja në Gjykatën Themelore Penale Shkup, Biljana Kocevska para fillimit të punëtorisë "Sfidat për tejkalimin e mbingarkesës në burgje”. Gjykatësit, Sipas Kocevskës, duhet të inkurajohen që të shqiptojnë pushime më të mëdha me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse, si dhe zbatim të mbikëqyrjes elektronike për shkak se, siç theksoi, disa ligje për amnisti të cilat ishin miratuar deri më tani nuk e arritën qëllimin dhe ndoshta vetëm për momentin ulet mbingarkesa në burgje, por për një kohë shumë të shkurtë përsëri ka mbingarkesë në burgje.
Shkup - Në shtatë ditët e ardhshme do të bëjmë bilancin e energjetikës. I shohim kushtet, gjegjësisht sa energji elektrike do të na mungojë. Do të shikojmë të furnizohemi në afat pak më të gjatë, gjegjësisht nuk do të blejmë energji një javë përpara sepse atëherë është vërtet shumë e shtrenjtë, informoi sot ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska. "Kapacitetet e KME Manastir nuk janë në gjendjen më të mirë dhe nuk mund të llogarisim në të tre blloqet, këtë e kemi trashëguar dhe jemi të vetëdijshëm që është që nga viti 1984. Për atë do të bëjmë energji elektrike për tremujorin e katërt dhe mundësisht për tre muajt e parë të vitit 2025. Çmimet tani në bursë janë rreth 100 euro për megavat orë që do të thotë se edhe pse ka luftë, deri më tani nuk ka pasur ndryshime të mëdha në çmimet e energjisë elektrike", tha Bozhinovska në përgjigje të pyetjes për llogaridhënien e sotme për 100 ditët e para të Qeverisë.
Shkup - Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari sot premtoi se do të bëjë gjithçka në koordinim me Ministrina e Financave që të paktën gjysma e personelit të mesëm mjekësor i cili punon me kontratë të punësohet në institucionet publike shëndetësore. Sipas tij, në shëndetësi deri më tani kishte rreth 2500 persona me kontratë, përgjithësisht personel i mesëm mjekësor, infermiere, infermierë dhe higjienistë,për të cilën tha, se nga vizitat në spitalet i është treguar se ka mungesë të veçantë.
Shkup - Ministria e Shëndetësisë po përgatit rregullore për kalimin e mjekëve nga një institucion privat në një institucion publik. Kjo do të vlejë vetëm për mjekët specialistë që do të nevojiten në shëndetësinë publike, informoi sot në konferencë për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. "Ka interes nga mjekët që punojnë në institucionet shëndetësore private, për t'u kthyer në atë shtetërore. Kishte ndalesë nga Qeveria që nga korriku apo gushti i vitit 2022, të mos mund të punësohen - nga institucionet private shëndetësore të kalojnë në institucionet publike shëndetësore. Un do të doja t'ju informoj edhe zyrtarisht se para tre javësh e kemi kaluar në Qeveri, të hiqet ajo ndalesë dhe tani jemi duke përgatitur rregullore në Ministrinë e Shëndtësis. Nuk munden të gjithë mjekët, por vetëm mjekët që janë specialistë në një specialitet të caktuar - mjekësi, farmacistë specialistë dhe stomatologë specialistë, por, vetëm nëse drejtori i Klinikës na thotë se ka nevojë", sqaroi ministri.
Shkup – Hapja e Repartit të Onkologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, garazhet në kate në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” dhe rinovimi i hapësirave të klubit të parë social për adoleshentë dhe të rritur me spektër autik, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë dhe Komunës Gjorçe Petrov, janë një pjesë e projekteve në të cilat punon Ministria e Shëndetësisë, ndërsa të cilat sot i theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në konferencën për media me rastin e 100 ditëve të emërimit të tij në funksion. Ai informoi se vijon përgatitja e specifikimit teknik për ndërtimin e garazheve në kate dhe se do të ndërtohen përmes partneritetit publiko – privat.
Shkup - Delegacioni në Asamblenë parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE) i përbërë nga: Monika Zajkova, shefe e Delegacionit, Halil Snopçe, anëtar dhe Eli Panova, zëvendësanëtare morën pjesë në Mbledhjen e 22-të vjeshtore të AP-së së OSBE-së që u mbajt nga 2 deri më 4 tetor 2024 në Dublin, Irlandë. Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së u hap me thirrje të përforcuara për të forcuar multilateralizmin dhe për të marrë qasje më të guximshme ndaj diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimit të sigurisë. Sesioni i parë i Konferencës parlamentare u fokusua në qasjen e OSBE-së ndaj ciklit të konfliktit, në veçanti lehtësimin e dialogut, zgjidhjen e konflikteve, mbështetjen për ndërmjetësimin, pajtimin dhe rehabilitimin pas konfliktit.
Shkup - Deputeti Ziadin Sela i cili është pjesë e Frontit Evropian dhe lider i njërit nga krahu i Aleancës për Shqiptarët konsideron se ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka ndikuar dhe ka kontribuar që lideri i VMRO-DPMNE-së kundërshtare dhe kryeministër aktual Hristian Mickoski të arrijë fitore absolute në zgjedhjet e dyfishta. Në intervistën për javoren "Fokus", Sela thekson se "mban tezën se VMRO-ja u ndihmua për të arritur pushtet absolut", ndërsa, siç potencoi, fatkeqësisht mbështetësit dhe anëtarësia e LSDM-së në këtë rast janë viktima. Pikërisht pas nismave të bashkëpunimit midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, shton ai, "biznesmeni dhe ish zëvendëskryeministri Koço Angjushev është futur në 'listën e zezë' amerikane".
Shkup - Nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI-ja sot nuk i komentuan informacionet se Menduh Thaçi është larguar nga koalicioni. Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi në deklaratë për MIA-n thotë se grupi parlamentar është funksional. "Grupi parlamentar është funksional dhe punon në përbërje të plotë", u përgjigjë shkurt Ademi. Edhe Blerim Bexheti nga Fronti Evropian sot në konferencë për shtyp në Kuvend dha përgjigje pothuajse identike.
Shkup – Për mbi 40 për qind u rrit totali i transportit ajror kargo në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit gjatë tetë muajve të kaluar, njofton TAV Maqedoni, operatori i dy aeroporteve të Maqedonisë së Veriut. “Në periudhën nga janari deri në gusht të këtij viti, Qendra e kargos e cila punon në kuadër të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit ka punuar 41,9 për qind më shumë dërgesa kargo për transport ajror. Rritja mbresëlënëse ose 3.062.736 tonë të transportuara përmes aeroportit ajror dhe shërbimeve me kamion nga janari deri në gusht të vitit 2024, e thekson rolin e rritur të Qendrës së kargos në kuadër të Aeroportit Ndërkombëtar në Shkup në logjistikën lokale, rajonale dhe globale, si dhe rëndësinë e tij strategjike në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit", thonë nga TAV Maqedonia.
Shkup - Nevojiten tetë ditë për plotësimin e gjithë dokumentacionit nga ekspertiza, e cila duhet të konstatojë nëse ka pasur lëshime gjatë lindjes së lehonës 31-vjeçarenë spitalin e Kumanovës. I porsalinduri është ende në respirator në Klinikën e Fëmijëve në Shkup dhe ekzaminimet neurologjike janë në vazhdim. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, megjithëse paralajmëroi se raporti mund të pritet sot, në konferencën e sotme për shtyp në të cilën kishte llogaridhënie për punën e 100 ditëve të para të Qeverisë, tha se kjo do të jetë më së voni deri të martën ose të mërkurën javën e ardhshme. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai theksoi se protokollet me të cilat punohet në spitalet gjinekologjike janë rinovruar, por edhe se në përpunim janë të reja për veprim me pacientët, si për punën e gjinekologjisë ashtu edhe për të gjitha spitalet.
Shkup - Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë informoi se sot ka filluar pagesa e të drejtave sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve për muajin shtator të vitit 2024. Shfrytëzuesit e të drejtave të cilët disponojnë kartelë debitore do të mund të tërheqin paratë në bankomatet e bankave, të shfrytëzojnë mjetet për pagesa të gatshme në rrjetin e shitjeve ose përmes bankingut elektronik dhe mobil nga dita e sotme, 4 tetor të vitit 2024.
Strugë - Grupi për politika për bashkëpunim statistikor të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia në prani të përfaqësuesve të Eurostatit dhe Drejtorisë për zgjerim të Komisionit evropian mbajti takim dyditor në Strugë, kumtoi sot Enti shtetëror për statistika. Në takim, siç është cekur, u diskutua për sfidat para të cilave ndodhen institucionet statistikore të vendeve-kandidate dhe roli i tyre kyç në procesin e negociatave për inkuadrim në Bashkimin Evropian.
Sarajevë - Kryeministrja e kantonit Hercegovino-Neretva (HNK) Marija Buhaç sot kumtoi se ka viktima në zonat e përmbytura në komunat Jabllanicë, Konjiq, Fojnicë dhe Kreshevë. Sipas informacioneve jozyrtare të siguruara nga portali Klix.ba, numri i të vdekurve nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Jabllanicë është rritur në mbi 10 persona. Informacioni në portalin e Sarajevës për momentin nuk është konfirmuar. Buhaç theksoi se një stuhi e fortë goditi zonën veriore të HNK, e cila u përmbyt. Ajo shtoi se qeveria e HNK-së ka kërkuar ndihmë nga Forcat e Armatosura të BeH-së dhe po kërkohen helikopterë për të shpëtuar një fëmijë në Jabllanicë.
Podgoricë - Në Mal të Zi janë arrestuar 13 persona të dyshuar për kontrabandimin e 352 emigrantëve, njoftoi Prokuroria Speciale e Shtetit (SDT). Të arrestuarit akuzohen për krijimin e organizatës kriminale dhe kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror dhe kontrabandë me njerëz. Emigrantët vijnë nga Pakistani, Bangladeshi, India, Nepali, Siria dhe vende të tjera, ndërsa kontrabandimi i tyre është kryer me qëllim për të arritur përfitime financiare, transmeton RTMZ.
Podgoricë - Reshjet përmbytëse që kanë rënë nga dje dhe gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa qytete të Mali të Zi. Për shkak të prurjeve të ujit janë shkëputur disa fshatra. Enti malazez për hidrometeorologji dhe sizmologji (EHMS) ka lëshuar meteoalarm të kuq për shkak të erës së fuqishme të paralajmëruar dhe reshjeve përmbytëse. Pritet që era të arrijë shpejtësi edhe deri në 90 kilometra në orë.
Bruksel - Greku Apostolos Xixikostas, italiani Rafaele Fito dhe bullgarja Ekatarina Zaharieva kanë paraqitur pasurinë më të madhe në deklaratat e gjendjes pronësore që kandidatët për Komisionin e ri Evropian dorëzuan në Komitetin e çështjeve ligjore të Parlamentit Evropian të cilat u zbuluan në publik. Bazuar në këto deklarata, anëtarët e Komisionit të çështjeve ligjore (JURI) duhet të vlerësojnë nëse ndonjë nga komisarët evropianë të propozuar mund të ketë një konflikt të mundshëm interesi në lidhje me pronësinë ose lidhjet e tyre profesionale dhe private.
Bruksel - Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të qeverive të vendeve anëtare të BE-së (Koreper) sot miratoi vendimin e Komisionit Evropian për vendosjen e tarifave shtesë për importin e automjeteve elektrike nga Kina në Union. Siç kumtoi Komisioni Evropian, vendimi i tillë paraqet edhe një hap përpara drejt implementimit të konkluzionit nga hetimi i tij për subvencionimin shtetëror kinez të prodhuesve të automjeteve elektrike, me të cilën cenohen parimet e konkurencës dhe mundësohet konkurencë jolojale e tregut. Për të hyrë në fuqi, vendimi i Koreper duhet të publikohet në Gazetën zyrtare të BE-së, për të cilën afati përfundimtar është 30-të tetori.
Berlin - Sindikata e policisë gjermane ka paralajmëruar për trazira të mundshme në vend më 7 tetor kur dhe është përvjetori i sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, njofton DPA. "Ne presim mirësjellje nga të gjithë në Gjermani me 7 tetor", deklaroi sot kryetari i sindikatës Johen Kopelke për rrjetin mediatik gjerman A&D. Kopelke tha se policia po merr masa vendimtare dhe të vazhdueshme kundër atyre që janë përgjegjës për dhunën dhe çrregullimin, duke shtuar se të gjitha agjencitë e sigurisë në Gjermani kanë nevojë për personel me 7 tetor.
Tel-Aviv - Ministri izraelit i Mbrojtjes, Joav Galant deklaroi sot se Izraeli ka "ende befasi për Hezbollahun" derisa operacionet tokësore izraelire vazhdojnë në Libanin jugor. "Hezbollahu ka marër goditje shumë serioze, njëri pas tjetrit. E kemi eliminuar lëvizjen, Hasan Nasrallah dhe kemi ende befasi, disa nga të cilët tashmë janë kryer, ndërsa disa së shpejti duhet të kryhen", deklaroi Galant gjatë vizitës së shtabit të devizionit të 36-të të forcave të armatoasura në veri të Izraelit", njofotn "Tajms of Izrael". Ushtarët nga ky devizion zbatojnë aktivitete operative në Libanin jugor.