• e premte, 20 dhjetor 2024
MIA Flesh

09:00/19 dhjetor/2024

Shkup - Në Kuvend sot do të mbajnë mbledhje tre komisione - Komisioni për politikë sociale, demografi dhe rini, Komisioni për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike dhe Komisioni juridik-ligjvënës. Anëtarët e Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini do të diskutojnë për Propozim-ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për financim të obligueshëm kapital të sigurimit pensional, në lexim të dytë.

Bruksel - Kryeministri Hristian Mickoski, i cili prej dje qëndron për vizitë në Bruksel, sot do të marrë pjesë në Samitin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), ku temat kryesore do të jenë përgatitjet për Këshillin e sotëm Evropian dhe zgjerimin e BE-së. Nikoqir i Samiit do të jenë kryetari i EPP, Manfred Veber, ndërsa në të krahas Mickoskit dl të marrin pjesë edhe liderët e tjerë të partive anëtare të Partisë Popullore Evropiane nga BE-ja dhe nga Ballkani Perëndimor, si dhe kryetaret e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe Roberta Mecola.

Shkup - Në Kuvend sot do të mbahet prezantimi i Raportit të Bankës Botërore  "Business Ready" dhe rekomandimet për zhvillimin e sektorit privat. Raportin do ta prezantojnë përfaqësues të Bankës Botërore në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ekonomike, Punës dhe Politikës Energjetike.

Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska së bashku me ambasadoren e Zvicrës, Veronik Ulman, drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike, Antoni Peshev dhe liderin e ekipit të projektit "Arsim për punësim", Krut Vutrih sot do ta vizitojnë kompaninë "Rontis" në Veles. Siç njoftojnë nga MASH-i, qëllimi i vizitës është kontrollimi në realizimin e mësimit praktik që kjo kompani organizon për disa nga nxënësit e dy klasave në shkollat ​​e mesme profesionale të qytetit.

Shkup - Në organizim të Qendrës për zhvillim të mediave, sot në Shkup do të mbahet diskutim "Propozime për revizionin e dispozitave ligjore për mbrojtjen e pluralizmit dhe diversitetit të shërbimeve mediatike audiovizuele". "Qendra për zhvillim të mediave në vazhdimësi monitoron zhvillimin e politikave dhe legjislacionit për media në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe përgatit analiza dhe dokumente për politika publike për të identifikuar kushtet dhe nevojat për reforma të legjislacionit dhe ligjvënies për media në fushën e shërbimeve mediatike audiovizuele, thonë prej atje.

Shkup - Forumi për Ndryshime Arsimore sot në Qendrën Kulturore Studentore (QKS) do të prezantojë propozimin për lehtësimin e pagesës për transportin publik për studentët. Siç paralajmërojnë organizatorët, folës do të jenë zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, deputetet nga klubi i deputetëve të rinj Monika Zajkova dhe Dragana Bojkovska, si dhe kryetari i Kuvendit Studentor të UKIM-it, Aleksandar Nikollovski.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimri, në rrugë kryesisht të lagështa. Dukshmëria e zvogëluar për shkak të paraqitjes së mjegullës nga 50 në 80m është në aksin rrugor nga Zherovjane-Grupçin, njoftojnë këtë mëngjes nga LAMM. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

Shkup - Sot në mëngjes do të ketë kushte për paraqitjen e mjegullës nëpër lugina, ndërsa gjatë ditës do të mbajë mot me diell me vranësira të vogla. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -1 deri 6, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 8 deri 16 gradë Celsius. Në Shkup në mëngjes do të ketë kushte për paraqitjen e mjegullës, gjatë ditës do të jetë me diell me vranësira të vogla dhe erë të lehtë jugore. Temperatura minimale do të ulet deri 2, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 11 gradë.

Bruksel - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dje ka biseduar në Bruksel me presidentin francez Emaneul Makron për propozimin e tij për sistemimin e ushtarëve në Ukrainë, si mënyrë për arritjen e paqes stabile. "Ne ndajmë vizion të përbashkët: garancitë e sigurta janë kyçe për paqe të arritur", shkroi Zelenski në platformën "X".

Londër - Policia britanike për luftë kundër terrorizmit është vënë të gatishmërisë së lartë për shkak të sulmeve të mundshme të xhihadistëve britanikë dhe mbështetësve të SHI-së  të cilët kthehen në vend nga Siria, njoftoi Skaj njuz. Në të njëjtën kohë, Policia Kufitare Britanike është gjithashtu në gatishmëri për xhihadistët që janë liruar nga burgjet siriane dhe që mund të përpiqen të kthehen në Britani.

Paris - Rreth 64 për qind e francezëve janë të pakënaqur me emërimin e Fransoa Bajru për kryeministër, tregon hulumtimi. Anketa, e porositur nga Radio Sud nga agjencia Ifop-Fiducial mes 1.000 personave më 17 dhe 18 dhjetor, i tregon sfidat me të cilat përballet Bajru për t'i zbatuar reformat dhe për ta ulur deficitin e Francës.

Seul - Të paktën 100 koreanoveriorë të dislokuar për të mbështetur përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë janë vrarë që nga fillimi i luftimeve në dhjetor, tha deputeti i Koresë së Jugut Li Seong-kveun, raportuan mediat perëndimore. "Në dhjetor, ata (trupat e Koresë së Veriut) u angazhuan në luftime të vërteta, me të paktën 100 viktima," tha Li, duke folur pas një brifingu nga agjencia e inteligjencës së Koresë së Jugut. "Shërbimi Informativ Kombëtar raportoi gjithashtu se numri i të plagosurve pritej të ishte afro 1000".

Uashington - Gjykata Supreme njoftoi se muajin e ardhshëm do t'i dëgjojë argumentet për kushtetutshmërinë e ligjit federal me të cilin mund të ndalohet TokTok-u në SHBA nëse kompania kineze amë nuk e shet. Gjyqtarët do të dëgjojnë argumente për atë nëse ligji në mënyrë joligjore kufizon shprehjen që e shkel amendamentin e parë. Ligji, që ishte miratuar në prill, vendosi afat përfundimtar për shitjen e TikTok-ut deri më 19 janar ose të përballet me ndalesë në SHBA. Kjo platformë për media sociale ka më shumë se 170 milionë përdorues në SHBA. Nuk është e qartë se sa vendim i shpejtë mund të jetë. Por, Gjykata megjithatë mund të veprojë sipas argumenteve për ta ndaluar ligjin të hyjë në fuqi deri në vendimin përfundimtar, nëse të paktën pesë prej nëntë gjyqtarëve besojnë se është jokushtetues.

 

QËNDRONI TË LIDHUR