• e diel, 06 tetor 2024
MIA FLESH

12:00 / 8 korrik / 2024

Shkup - Para fillimit të samitit të NATO-s i kushtova rëndësi qëndrimeve dhe çështjeve të diasporës sonë. Kam pasur takim të mrekullueshëm me Meto Kolovskin dhe Diasporën e Bashkuar të Maqedonisë me të cilët kemi diskutuar për mbështetjen dhe lobimin për interesat e Maqedonisë, njoftoi në profilin e tij në Fejsbuk kryeministri Hristijan Mickoski, i cili së bashku me ministrat e Mbrojtjes, Punëve të Jashtme dhe Tregtisë dhe Punëve të Brendshme, Vlado Misajllovski, Timço Mucunski dhe Pançe Toshkovski gjenden për vizitë zyrtare në SHBA.

Shkup - Uji për pije në Shkup është i sigurt, tregojnë rezultatet e analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga 42 pika matëse në qytet. "Sektori për kontroll sanitar në periudhën nga data 1 deri më 5 korrik mori 194 mostra për analizë fiziko-kimike dhe 194 mostra për analizë mikrobiologjike të ujit për pije nga 42 vende matëse në qytetin e Shkupit. Sipas rezultateve të fituara nga hulumtimi, të gjitha mostrat përputhen me Rregulloren për kërkesa për siguri dhe cilësi të ujit për pije thuhet në kumtesën e NP "Ujësjellësi dhe kanalizimi"- Shkup.

Ohër - Një motoçiklist ka humbur jetën në një aksident trafiku që ka ndodhur dje në rrugën kryesore Ohër-Resnje, në udhëkryqin e rrugës lokale për fshatin Kuraticë të Ohrit. Sipas kumtesës së policisë, aksidenti ka ndodhur në orët e mbrëmjes në orën 19:40, gjatë të cilit ka ndodhur një përplasje mes autobusit "mercedes" me targa kombëtare turke drejtuar nga M.A.(68) nga Turqia dhe një motor "suzuki" pa targa drejtuar nga P.T (23) nga një fshat i Manastirit Orizare e Epërme.

Paris - Aleanca e majtë që fitoi zgjedhjet parlamentare në Francë edhe pse pa ndonjë shumicë absolute, pritet "në afat brenda një jave të jetë në gjendje të propozojë kandidatin" për postin e kryeministrit, deklaroi mëngjesin e sotëm Olivie For, lider i Partisë Socialiste. For, formacioni i të cilit është një nga partitë në aleancën e majtë, siguroi se zgjedhja e kryeministrit do të bëhet "ose me konsensus ose është e pashmangshme që të ketë një votim" midis formacioneve të ndryshme në koalicionin e Frontit të Ri Popullor.

Paris - Mbështetësit e së majtës u tubuan në rrugët e qyteteve franceze nga Parisi deri në Marsej, pasi "Fronti i ri popullor" i majtë fitoi në zgjedhje, shkruan gazeta franceze "Mond". Njëkohësisht, aktivistët dhe simpatizantët e "Tubimit kombëtar" shprehin dëshpërim dhe thonë se zgjedhjet u ishin marrë, pasi që të gjitha anketat parashikonin fitore të formacionit të ekstremit të djathtë të Marin Le Pen.

Pekin - Mediat shtetërore kineze raportuan se udhëheqësi Si Xhinping u ka bërë thirrje forcave botërore që të ndihmojnë Rusinë dhe Ukrainën të rifillojnë dialogun e drejtpërdrejtë. Si Xhinping sot u tha liderëve hungarez Viktor Orban i cili po viziton vendin se forcat botërore duhet të ndihmojnë Rusinë dhe Ukrainën të fillojnë përsëri negociatat e drejtpërdrejta të paqes, njoftoi televizioni shtetëror CCTV.

Rosoman - Një zjarr kaploi një objekt në fshatin Krushevicë të Rosomanit, ndërsa nga Ekipi Territorial Zjarrfikës Kavadar thonë se në teren janë gjashtë zjarrfikës me katër automjete. Deri më tani nuk mund të japin më shumë hollësi për zjarrin, por theksojnë se pasi kishin pranuar denoncimin për zjarrin, menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po bëjnë maksimum nga ajo çka mund të bëhet në kushte të tilla.

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden po përballet me një javë kyçe që do të testojë qëndrimin e tij brenda dhe jashtë vendit, ndërsa thirrjet që ai të braktisë luftën e tij për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë janë rritur. Bajden (81) deri më tani ka kundërshtuar thirrjet për të dhënë dorëheqje, pas një debati katastrofik kundër rivalit zgjedhor Donald Tramp muajin e kaluar, që lehtësoi frikën se ai është shumë i vjetër për të qenë president deri në vitin 2029. Aleatët kanë paralajmëruar se ai duhet të bëjë më shumë për të bindur partinë e tij dhe publikun sepse, ashtu siç këmbëngul, vetëm ai mund ta mposht Trampin në kutitë e votimit.

Kiev - Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski sot në Odesa do të realizojë takim me ministri e ri holandez të Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme Kaspar Veldkamp dhe ministrin britanik të Mbrojtjes Xhon Hilli me rastin e Ditës së marinës së Ukrainës dhe i njoftoi ata për situatën në front.

Kiev - Të paktën pesë persona humbën jetën gjatë sulmit të sotëm rus mbi kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. "Deri në këtë minut janë raportuar pesë të vrarë. Informacionet po përditësohen", njoftoi shefi i administratës ushtarake të qytetit, Sergij Popko në Telegram.

Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot do ta vizitojë Varshavën, njoftoi qeveria e Polonisë, para se të shkojnë në samitin e NATO-s në Uashington. Në njoftimin e qeverisë thuhet se kryeministri Donald Tusk do ta presë Zelenskin në orën 11:10 sipas Griniçit, ndërsa ty dytë më vonë do të mbajnë konferencë për mediat.

Nju Delhi - Kryeministri i Indisë Narendra Modi sot ka filluar vizitën dyditore në Rusi, që është vizita e tij e parë nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë. Lufta ka tensionuar marrëdhëniet midis aleatëve të vjetër Moskë dhe Delhi, pasi Rusia filloi t'i afrohej Kinës, kundërshtarit kryesor të Indisë.

Uashington - Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik i SHBA-së, në Las Vegas dje pasdite është matur rekord prej 48,8 gradë Celsius. Ajo shifër është nga stacioni matës në aeroportin ndërkombëtar Hari Rid rreth orës 17 sipas kohës lokale. Me këtë është "thyer" rekordi prej 47,2 gradë. 

Dortmund - Përzgjedhësi i Anglisë, Geret Sauthgejt është i pakënaqur nga rrjedha e informacioneve për taktikën e përfaqësueses nga mediat angleze. "Po bëjmë përpjekje që të fitojmë në Euro 2024, ndërsa mediat tona zbulojnë informacione taktike vetëm dy orë pas përfundimit të stërvitjes. Ata thonë se i kanë marrë informacionet nga brenda dhe ndoshta kjo është e vërtetë, por si kjo i ndihmon ekipit? Si i ndihmojmë ekipit me atë që u dhamë informacione zvicranëve, të cilët ndoshta prisnin të luajmë ndryshe. Ata kishin tri ditë të përgatiteshin për atë që ndoshta do ta luanim", deklaroi Sautgejt për  "TalkSPORT".

Torino - Sulmuesi i Juventusit, Federiko Kieza mund të largohet nga klubi i Torinos, raporton "Calciomercato".  "Zonja e vjetër" është gati ta shesë italianin 26 vjeçar për të marrë fonde për transferimin e sulmuesit të Mançester Junajtedit, Xhejdon Sanço.

QËNDRONI TË LIDHUR