• e premte, 08 nëntor 2024
MIA Flesh

15:00/3 nëntor/2024

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se bukuria e demokracisë është në mendimet më ndryshe, si dhe në mundësinë për shprehjen e tyre në mënyrë të qetë dhe demokratike. Duke u përqëndruar në paralajmërimet e "Frontit Evropian" për protesta gjatë periudhës së ardhshme, si dhe në pohimet e tyre se nuk po tentojnë të bëjnë destabilizim, kryeministri tha se nëse ato protesta janë të qeta, e tërë kjo është në kuadër të proceseve demokratike, por nëse kalojnë në dhunë, atëherë organet kompetente duhet t'i mbrojnë institucionet. Shtoi se gjatë periudhës që vijon, me kujdes do të ndjek se si do të zhvillohen punët, e pastaj do të japin komente.

Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski deklaroi sot se viti i ardhshëm do të jetë sfidues në pjesën e energjetikës sepse pret rritje të çmimit të energjisë elektrike në bursat në Evropë për shkak të ngjarjeve në Ukrainë. Thotë se si shtet jemi të gatshëm dhe do të përgjigjemi në të gjitha sfidat. “Kam ndjenjën se ky dimër do të jetë mjaft sfidues jo për shkak të temperaturave, por për shkak të situatës që po ndodh në Ukrainë ku sistemi elektrik është shkatërruar plotësisht dhe Ukraina po merr energji nga Evropa që do të thotë se do të rrisë çmimin e energjisë elektrike në bursat e Evropës dhe do ta zvogëlojë sasinë, prandaj ne duhet të jemi të gatshëm”, theksoi Mickoski, duke shtuar se pret krizë energjetike në njëfarë kuptimi në Evropë.

Shkup – Ta provojmë humorin, të shohim si do të dalë, deklaroi lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pasi sot kryeministri Hristian Mickoski në deklaratë për mediat duke e komentuar kërkesën e BDI-së për veting të të gjithë funksionarëve tha se ka pritur që lloji i tillë i humorit dhe satirës të përfundojë me largimin e BDI-së në opozitë.  Ahmeti tha se ligji për veting është propozuar para katër vjetëve dhe bëri thirrje që vetingu të ndodhë me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga Brukseli dhe Uashingtoni. “Të shohim si do të dalë humori. Unë nuk bëj filma holivudi dhe nuk jam skenarist holivudi. Le të urdhërojë, të gjitha do t’i bëjmë”, deklaroi Ahmeti gjatë vizitës në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Përveç vetingut, Ahmeti kërkon që të hetohet edhe privatizimi në vitet e 90-ta.

Shkup - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot mbajti takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kristof Le Rigoler, në të cilin u shqyrtuan aspekte të shumta të bashkëpunimit bilateral, me theks në projektet zhvillimore, integrimet evropiane dhe instrumentet për mbështetjen e proceseve reformuese. Siç njoftoi Ministria për Çështje Evropiane, Murtezani konfirmoi se vendi mbetet i vendosur në përcaktimin strategjik për anëtarësim në Union dhe zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme veçanërisht në fushën e sundimit të së drejtës,, reformat në sektorin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar etj., veçanërisht duke pasur parasysh faktin se sipas metodologjisë së re për negociatat e aderimit, progresi në këto reforma do të diktojë dinamikën e të gjithë procesit të negociatave.

Shkup - Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral majori, Sashko Lafçiski sot në mëngjes kanë realizuar video konferencë me tre oficerët tanë të cilët janë pjesë e misionit të Kombeve të Bashkuara UNIFIL në Liban. "Nga oficerët tanë u konfirmua se po ndjehen mirë, se morali i të gjithë anëtarëve brenda misionit është në nivel të lartë dhe se në vazhdimësi kryhen detyrat. Oficerët e shtabit të Maqedonisë së bashku me pjesëtarët e ushtrive të vendeve të tjera që janë pjesë e misionit UNIFIL, në vazhdimësi monitorojnë situatën e sigurisë në kufirin jugor të Libanit, si dhe situatën e sigurisë në të gjithë rajonin", njofton Ministria e Mbrojtjes. 

Shkup - Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski sot në konferencën për media tha se deri në Vitin e Ri do të vendosen në funksion rrugët ekspres Prilep-Gradsko dhe Rankovcë-Kriva Pallankë.  Siç tha Nikolloski me rastin e 100 ditëve të para të qeverisë së re, janë zgjedhur të gjitha problemet sa i përket realizimit të këtyre dy projekteve. "I kemi zgjidhur problemet në aksin Prilep-Gradsko, financim i pjesshëm nga BE. BE-ja në vitin 2023 ka kërkuar formimin e komisionit ndërinstitucional nga Ministria e Transportit dhe NPRRSH, por qe një vit e gjysmë nuk është formuar. Dy javë pasi fillova me punën si ministër e kemi zgjidhur atë problem dhe tashmë po punohet intensivisht. Aksin Prilep-Gradsko do ta përfundojmë deri në Vitin e Ri dhe qëllimi do të jetë operativ. Do të mund të lëvizet në një autostradë të re me dy tunele me shpejtësi 110 - 130 kilometra në orë. Ngjashëm ishte edhe në rrugën Rankovcë – Kriva Pallankë. Dhe atje i zgjidhëm problemet. Dhe atje kemi financime nga BE-ja deri në Vitin e Ri dhe ky aks do të vihet në funksion", nënvizoi Nikolloski. 

Shkup - Në Gjykatën kushtetuese sot u mbajt seancë publike lidhur me kërkesën e liderit të partisë "E Majta", Dimitar Apasiev, për diskriminim në bazë të përkatësisë politike nga ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Apasiev pohon se Xhaferi ka vepruar në mënyrë meritore me refuzimin e kërkesës për inicim të nismës qytetare në nivel shtetëror për shpallje të referendumit të detyrueshëm shtesë, përderisa Xhaferi, u kundërpërgjigj se refuzimi është vetëm për shkak të afatit të humbur për përgjigje për plotësim të kërkesës së Apasievit. Në seancën e sotme në të cilën krahas Apasievit dhe Xhaferit, ishin të pranishëm edhe opinioni i ekspertëve dhe mediumet, u diskutua rreth argumenteve të tyre dhe pjesëve kontestuese të rastit.

Shkup - Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski sot është takuar me ambasadorin e Malit të Zi, Zoran Milaniq, me ç'rast i ka uruar suksese në misionin diplomatik dhe ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin dypalësh të mbrojtjes me Malin e Zi. Nga Ministria e Mbrojtjes kumtuan se në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit aleat mes dy vendeve dhe intensifikimin e proceseve integruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian me një qëllim, një rajon të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë. 

Shkup - Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov sot ka realizuar takim me ambasadorin e Francës, Kristof Le Rigoler ku është biseduar për bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e gjyqësorit, projektet dhe agjendën e reformave. Ambasadori Rigoler, siç kumtojnë nga Ministria e Drejtësisë, përshëndeti planet e ministrit Filkov për reforma dhe shprehu gatishmërinë e Francës për të ndihmuar në gjitha proceset me asistencë të ndryshme, duke përfshirë asistencën e ekspertëve, me qëllim të përgatitjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, ministri Filkov informoi se nga 16.09.2024 ka filluar angazhimi i ekspertes franceze, Sesilia Maronie e cila ka përvojë të gjerë në fushën e gjyqësorit. Nga ana jonë, thuhet në kumtesë, janë siguruar të gjitha parakushtet për të mundësuar funksionimin normal të saj. 

Shkup - Është formuar komision i cili duhet të konstatojë nëse ka pasur lëshime në rastin e lehonës së ndjerë në Kumanovë, ndërsa informatat fillestare mund të priten nesër, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. "Komisioni po punon, neve na duhen tetë ditë. Nesër kemi konferencë për media për 100 ditët e qeverisë, sigurisht që do të kemi informacion fillestar. Presim edhe rezultatet e autopsisë dhe do të shohim. Nuk dua të spekuloj, të presim edhe disa ditë dhe të shohim nëse ka pasur ndonjë gabim mjekësor apo jo", theksoi Taravari në pyetjet e gazetarëve. Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor (ISHSSH) me 1 tetor ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshëm në Spitalin e përgjithshëm të Kumanovës për rastin e nënës së ndjerë.

Shkup - Deri në fillim të sezonit të ardhshëm veror pritet të vihet në funksion pjesa më e madhe e autostradës Ohër - Kërçovë, pjesa nga Vërbjani dhe Arbinova deri në Ohër, me një ndërprerje të vogël në afërsi të fshatit Botun, tha sot zëvendëskryeministri dhe Ministri dhe Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski. Në konferencë për shtyp me rastin e 100 ditëve të Qeverisë së re, Nikolloski informoi se kredia për realizimin e këtij projekti është efektive dhe mjetet janë miratuar. Sipas tij, herën e fundit që kontraktorët kanë parë para ka qenë nëntori i kaluar dhe kjo është një nga arsyet që ka ngecur ndërtimi i autostradës.

Shkup - Bankat qendrore në rajon kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshme në përballjen ndaj goditjeve në vitet e fundit, duke ulur inflacionin, pa shkaktuar rënien e ekonomive apo prishjen e stabilitetit financiar, siç ishte rasti në krizat e tjera inflacioniste gjatë historisë. Arsyeja e këtij suksesi është pavarësia dhe besueshmëria e bankave qendrore, por edhe kuadri i fortë rregullator i krijuar në vitet e kaluara, për shkak të cilit është ruajtur stabiliteti financiar. Në aspektin e zhvillimit ekonomik, u theksua rëndësia e tejkalimit e hendekut gjinor në përfshirjen financiare për të përshpejtuar rritjen. Këto janë konkluzionet boshte të konferencës së 10-të ndërkombëtare të organizuar nga Banka Popullore dhe Komiteti i Transformimit të Breton Vuds (KTBV).

Shkup - Gjatë vitit 2023, në rendin e ditës para Këshillit Gjyqësor janë vendosur gjithsej 473 parashtresa të qytetarëve dhe personave juridikë lidhur me punën e gjykatave dhe gjykatësve, prej të cilave 74 për qind janë shqyrtuar. Nga të shqyrtuarat mbi 88 për qind ose 349 parashtresa kanë qenë të pabazuara, ndërsa 10 për qind ose 41 parashtresa janë të bazuara apome kriter. Dy parashtresa kanë qenë pjesërisht të bazuara dhe një parashtresë është tërhequr nga kërkuesi, thuhet në raportin për punën e Këshillit Gjyqësor në vitin 2023, i cili sot është para Komisionit parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërkomunitetesh. Si bazë për paraqitjen e parashtresave, sipas analizave të bëra, në Raport thuhet se nga numri i përgjithshëm i parashtriesavetë diskutuara nga Këshilli, më të numërta janë parashtresat në të cilat kërkuesit shprehin pakënaqësi për gjendjen e vërtetuar faktike, pra paraqesin ankesa dhe kërkojnë ndryshimin e vendimit tashmë të miratuar të gjykatës ose përcaktimin e gjendjes faktike të ndryshme nga gjendja faktike e vërtetuar nga gjykata.

Shkup - Gjashtë kallëzime për dhunë nga bashkëmoshatarët kanë arrit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) që nga fillimi i vitit shkollor dhe janë duke u trajtuar, ka thënë Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Ajo theksoi se vendi ka sistem për t'u kujdesur për shëndetin mendor të të rinjve përmes shkollave, përfshirë edhe Ministrinë me shërbimin e saj pedagogjik, por theksoi se është i nevojshëm edhe bashkëpunimi ndërinstitucional i disa ministrive, organizatave joqeveritare dhe ekspertëve. "Është e një rëndësie të veçantë kur vetë të rinjtë janë të përfshirë në proces dhe është gjithmonë mirë të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe së bashku të gjejmë zgjidhjet më të favorshme për t'u kujdesur për shëndetin e të rinjve", tha Janevska. 

Shkup - Së paku dhjetë destinacione të reja përmes dy aeroporteve, në Shkup dhe në Ohër, si dhe cikël të fuqishëm investues në hekurudhë, paralajmëroi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikollovski. Nikollovski në konferencë për shtyp theksoi se në vend do të ketë hyrje edhe për kompani të reja ajrore, ndërkaq lidhur me hekurudhën, se faza e parë e projektit "treni i qytetit" pritet të realizohet deri në tetor të vitit të ardhshëm.

Shkup - Është shuar plotësisht zjarri që ka rënë dje në bodrumin e një ndërtese në lagjen Çair të Shkupit. Gjendja me pjesën e djegur të ndërtesës dhe gjendja e banesave në ndërtesë do të përcaktohet më tej, kumtoi sot Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK). Zjarri, sipas QMK-së, është shuar sot rreth orës 09:30. Mëngjesin e sotëm zjarri ishte ende aktiv dhe në terren kanë qenë tri automjete zjarrfikëse të Brigadës Territoriale të Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit.

Shkup – Në Shkup mbrëmë rreth orës 22:30 nëpunës të policisë nga Ekipi Operativ Hetime pranë SPB Shkup e kanë privuar nga liria A.A. (26) nga Shkupi, i cili me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup kërkohej për shkak të arratisjes nga INP Burgu Kumanovë. MPB sot njoftoi se ai ishte dënuar me burg prej katër vjetëve dhe shtatë muajve lidhur me nenin 215 paragrafi 3 për veprën e kryer penale “prodhimtari e palejuar dhe lëshim në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”. 

Prilep - Tre persona nga Prilepi e kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër u lëndua në aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi këtë mëngjes rreth orës 7:50 në rrugën Prilep - Manastir në dalje të qytetit, në afërsi të fshatit Lagovë. Tre të vdekurit janë nga automjeti "tojota" me targa të Prilepit, ndërsa i lënduari është nga kamioni. Në përplasjen automjeti ka marrë flakë", kumtuan nga SPB Manastir. "Aksidenti ka ndodhur në një përplasje të drejtpërdrejtë mes automjetit “Tojota” me targa të Prilepit i drejtuar nga N.V. (42) nga Prilepi dhe bashkëudhëtarët A.R. dhe F.J. të gjithë nga Prilepi dhe automjeti i mallrave "vollvo" me targa të Shkupit, i drejtuar nga G.R. (51) nga Manastiri. Në aksidentin automjeti është djegur dhe në vendin e ngjarjes kanë vdekur të tre udhëtarët. Vdekjen e ka konstatuar një mjek nga Ndihma urgjente mjekësore Prilep", informojnë nga SPB Manastir. 

Shkup - Një prokuror publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Prilep, në vendngjarje ka kryer inspektim të aksidentit të rëndë të trafikut në rrugën Prilep- Manastir në të cilin mëngjesin e sotëm kanë humbur jetën tre persona, ndërsa një është lënduar.  Sipas informacioneve fillestare, siç kumtuan nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, aksidenti ka ndodhur gjatë përplasjes së automjetit të udhëtarëve “Tojota” me targa të Prilepit dhe kamionit “Volvo” me targa të Shkupit. Shkaqet e aksidentit po përcaktohen.

Shkup - DPHM paralajmëron se nën ndikimin e aktivitetit ciklonik nesër dhe gjatë fundjavës do të mbajë mot me vranësira dhe reshje të kohëpaskohshme të shiut. Sipas DPHM-së, natën e së shtunës dhe gjatë ditës, reshjet do të jenë më të dendura (mbi 30 l/m2), lokalisht në formë të stuhisë me bubullima dhe erë të përforcuar here- herë me shpejtësi mbi 70 km/h. Temperaturat e ditës në vend nesër do të sillen nga 15 deri në 29 gradë, të shtunën nga 19 deri në 25 gradë dhe të dielën nga 17 deri në 24 gradë Celsius.

Tiranë – Deputetët demokratë të opozitës shqiptare edhe sot shkaktuan situatë të tensionuar, këtë herë para ndërtesës së Kuvendit, pasi deputetëve të përjashtuar, për shkak të dhunës së të hënës, nuk u ishte lejuar hyrja në objekt. Dyzetë e katër deputetët e përjashtuar nga opozita, mbërritën para Kuvendit një orë para fillimit të seancës plenare, bënë përpjekje që të hyjnë, por ishin penguar nga pjesëtarët e gardës kombëtare dhe pasi iu bashkëngjitën edhe bashkë partiakët e tjerë u përleshën me gardistët, të cilët megjithatë nuk lejuan hyrje. Edhe krahas sulmeve verbale drejt tyre, deputetët e shumicës qeveritare hynë në sallën e kuvendit dhe e mbajtën seancën. Në sallë të pranishëm ishin 71 deputetë, ndërsa karriget, tani të rinovuara, për opozitën mbetën të zbrazëta. 

Lubjanë - Përmirësimi i reformave në administratën publike, me fokus të veçantë në përmirësimin e sistemit të të punësuarve në sektorin publik dhe pagave, ishte një nga temat e takimit të ministrit të Administratës Publike Goran Minçev dhe homologut të tij slloven, Frank Props që u zhvillua sot në Lubjanë. Siç kumtuan nga kabineti i Minçevit, ministrat shkëmbyen përvoja për përpjekjet e vazhdueshme për modernizimin e administratës publike, përmirësimin e strukturave të pagave për punonjësit e sektorit publik dhe futjen e sistemeve më transparente dhe efikase për menaxhimin me burimet njerëzore në sektorin publik.

Damask - Dhëndri i liderit të vrarë të grupit militant libanez, Hezbollah, Hasan Nusrallah, Hasan Xhafar Kasir, është vrarë në sulmin ajror izraelit ndaj rezidencës së tij në kryeqytetin sirian Damask, kumtoi Observatoriumi sirian për të drejtat e njeriut me seli në Britaninë e Madhe. Në kumtesë thuhet se në sulmin izraelit është goditur kati i parë nga ndërtesa trikatëshe, ku kanë ardhur liderë të Hezbollahut dhe Gardës revolucionare iraniane, me ç'rast jetën e kanë humbur tre persona, dy shtetas libianë dhe një sirian, ndërsa janë lënduar të paktën katër persona, identiteti i të cilëve mbetet e panjohur.

Tokio - Në aeroportin e Japonisë Mijazaki dje shpërtheu një bombë amerikane nga Lufta e Dytë Botërore. Në incident nuk ka persona të lënduar, nuk janë dëmtuar as aeroplanët, por vetëm pista që është riparuar gjatë natës. Bomba në pistë krijoi një krater të gjerë rreth shtatë metra dhe një metër të thellë. Për shkak të shpërthimit u anuluan mbi 80 fluturime. Një hetim konfirmoi se ka shpërthyer një bombë amerikane e rëndë rreth 220 kilogramë, por po përcaktohet se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Doha - Emiri i Katarit, sheik Tamim bin Hamad Al-Tani konfirmoi se kriza e Lindjes së Afërt është një "gjenocid kolektiv" dhe se vendi i tij gjithmonë ka paralajmëruar për "mosndëshkimin" e Izraelit. "Mbetet e qartë si kristali se ajo që po ndodh është gjenocid, së bashku me shndërrimin e Rripit të Gazës në një zonë të papërshtatshme për jetën njerëzore, si përgatitje për zhvendosje", tha ai gjatë samitit të dialogut për bashkëpunim aziatik në Doha. Emiri i Katarit dënoi sulmet ajrore izraelite dhe sulmet ushtarake "kundër Republikës vëllazërore libaneze".

Uashington - Ukraina e ka rritur prodhimin vendor të armëve, pajisjeve ushtarake dhe dronëve, por megjithatë ka nevojë për ndihmë të konsiderueshme nga Perëndimi për të kundërshtuar agresionin rus, thuhet në raportin e Institutit për studimin e luftës me seli në Uashington. Analistët e citojnë më konkretisht deklaratën e presidentit Volodimir Zelenski se kompanitë ukrainase për momentin mund të prodhojnë katër milion dronë në vit, ndërsa tashmë është nënshkruar marrëveshje për prodhimin e 1,5 milion dronëve.  Përveç kësaj, sipas Zelenskit, Ukraina është e aftë të prodhojë 15 instalime artilerie vetëlëvizëse "Bohdan" çdo muaj, ndërsa së fundmi u krye një test i suksesshëm i një rakete balistike nga prodhimi vendor, thuhet në raportin e publikuar të ueb faqes së Institutit. 

QËNDRONI TË LIDHUR