• e enjte, 02 janar 2025
MIA Flesh

15:00/30 dhjetor/2024

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski shpreson se Prokuroria do t'i bëjë thirrje liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili, siç njoftuan dje mediumet e Kosovës, ka deklaruar se "ish zëvendëskryeministri Artan Grubi gjendet në territorin shqiptar" dhe se do të kthehet në vend vetëm nëse nuk ka drejtësi hakmarrëse dhe selektive. "Shpresoj se kjo do të arrijë deri te Prokuroria dhe do të ketë procesurë juridike, ku nëse kemi persona që e din se ku gjendet i arratisuri nga ligji, do ta ftojë atë person dhe ai do të japë përgjigje në pyetjen se ku gjendet i arratisuri nga drejtësia. Për gjithçka tjetër mund ta japë koment se secilit i është e qartë se si janë vendosur prokurorët dhe gjykatësit gjatë shtatë viteve të kaluara. Të njëjtit ata, pa të cilët nuk ka mundur të kalojë kualifikimi përmes Akademisë së gjykatësve fdhe prokurorëve publikë, tani thonë se drejtësia dikujt i është pamundësuar dhe se kjo është përndjekje politike. Të përkujtoj - personi i përmendur i arratisur gjendet në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe aty qartë thonë se ky person së bashku me një tjetër lidhen me skandale të shumta korruptive. Supozoj se nuk do ta akuzojnë edhe Departamentin e Shtetit se bëjnë përndjekje politike", deklaroi sot Mickoski.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për hapat e paralajmëruar që do t'i ndërmarrë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, tha se "këta njerëz me besim prej dy për qind, më nuk e meritojnë pagën që e marrin". "Si Qeveri, sigurisht se nuk do të punojmë diçka që është në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Kuptohet, cilido proces që është në kundërshtim me Ligjin dhe Kushtetutën, nuk kemi për qëllim ta udhëheqim. Por nuk do të pajtohesha në bazë të atyre mendimeve, të cilat unë i kam po ashtu nga kjo sferë dhe nga ekspertët kushtetues, se kjo është kundërligjore dhe kundërkushteuese, mënyra në të cilën nevojitet të kërkohet përgjegjësi", tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se cilat janë hapat për shkarkimin e Këshillit gjyqësor që i ka paralajmëruar, duke marrë parasysh se një pjesë e ekspertëve juridikë kanë theksuar se kjo ndoshta është kundërkushtetuese.

Shkup - Siguruam buxhet për 1.117 punësime të reja dhe 600 specializantë privat, ndërkaq me fillimin e vitit të ri do të shpallen konkurset, tha sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në brifing me gazetarë, së bashku me zëvendësministrin, Jovica Andovski dhe sekretarin shtetëror në Ministri, Besim Memedi. "Kjo është pjesë e strategjisë për përmirësim të kapaciteteve kadrovike në shëndetësi. Iu përkushtuam analizave të hollësishme dhe përgatitjes së ndryshimeve të cilat do të sjellin përparim afatgjatë në shëndetësi. Aspekt kyç i kësaj pune ishte përpunimi i prograsmit për integrim dhe riorganizim funksional të njësive shëndetësore në shëndetësinë publike. Përmes këtij programi synojmë shpërndarjen e barabartë rajonale të institucioneve mjekësore në tërë vendin", nënvizoi ministri.

Shkup - Prokurori publik kompetent i Prokurorisë Themelore Publike Shkup te gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup dorëzoi propozim për caktimin e masës së paraburgimit për katër persona, si dhe propozim për masa kujdesi për një person të dyshuar se kanë marrë pjesë në veprime të kontrabandimit dhe falsifikimit të dokumenteve dhe dokumenteve zyrtare. Siç njoftuan sot nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, prej tyre njëri nuk është i arritshëm për organet e ndjekjes dhe për të masa e paraburgimit do të fillojë të zbatohet nga gjetja e tij dhe privimi nga liria.

Shkup - Ndërmarrja e qarkullimit publik Shkup kumtoi se nesër (31 dhjetor 2024) do të punojë sipas orarit të rregullt dimëror të qarkullimit. Të mërkurën (1 janar 2025) transporti publik do të qarkullojë sipas orarit të qarkullimit të së dielës, me ç'rast më 1 janar, përfshirja e automjeteve të NQP Shkup dhe transportuesve privatë do të jetë më vonë se zakonisht, ndërsa të tjerët në pajtim me me orarin e së dielës.

Shkup - Përafërsisht 620 kiloggramë ushqim i pasigurt me prejardhje nga kafshët, në mënyrë të padëmshme shkatërruan veterinarët zyrtarë të Agjencisë për ushqim dhe veterinari (AUV) në suaza të 191 mbikëqyrjeve të jashtëzakonshme të kryera gjatë dy javëve të kaluara, në mishtore, mishtore me punëtori dhe shitore të tjera të specializuara për ushqim me prejardhje nga kafshët, kumtoi AUV. Për vendosje në qarkullim të ushqimit të shpejtë të ngrirë i cili nuk është shënuar, mospërmbushja e kërkesave higjienike, përkatësisht procedura të mosimplementuara të Higjienës së mirë dhe Praktikës së mirë prodhuese, deklaratë jo e plotë e prodhimeve, shitje e prodhimeve të cilat nuk janë miratuar, kontrolle të pazbatuara të detyrueshme shëndetësore për të punësuarit, paraqitje e paparashtruar në AUV për ndërprerje të punës së objektit, veterinarët zyrtarë dhanë 29 vendime për mënjanim të mangësive të konstatuara.

Shkup - Norma mesatare e interesit të kredive të përgjithshme, në nëntor të vitit 2024, shënon rënie mujore dhe vjetore prej 0,02 p.p dhe 0,12 p.p. dhe arrin 5,36%. Norma mesatare e interesit të depozitave të përgjithshme, sërish, arrin 2,12% dhe është rritur për 0,05 p.p. dhe 0,38 p.p në nivel mujor dhe në nivel vjetor, njoftoi Banka Popullore. Në nëntor, norma mesatare e interesit të kredive të sapomiratuara arrin 4,82% dhe realizoi rritje mujore prej 0,01 p.p, në kushte të rënies vjetore prej 0,56 p.p. Norma mesatare e interesit të depozitave të sapopranuara është ulur për 0,04 p.p. në bazë mujore dhe arrin 2,80%, gjatë rritjes vjetore prej 0,52 p.p.

Shkup - Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit sot e miratoi programin vjetor për punë punë. Në seancën e 13-të, KSHPK i miratoi edhe planet vjetore për monitorimin e gjendjes pronësore  dhe konfliktin e interesave dhe për zbatimin e inspektimit antikorrupsion të legjislacionit.

Shkup - Nëpunës policorë të Departamentit për Operacione Speciale të Policisë dje kanë privuar B.L (33) nga fshati Gërçec, rajoni i Shkupit, i cili ishte në kërkim me urdhërarrest qendror, në bazë të urdhëresës së Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e një krimit të organizuar dhe korrupsionit për vuajtje të masës paraburgim për shkak të dyshimit për vepër të kryer penale nga neni 215, paragrafi 3 i Kodit Penal. Siç kumtoi sot MPB-ja, personi është dërguar në Institucionin ndëshkues-korrektues Burgu Shkup për vuajtje të masës së paraburgimit.

Shkup - Me rastin e festave të fundvitit, në ndërtesën qendrore të EVN Maqedoni për herë të parë u mbajt tregu i parë donator nën moton “Të jemi njerëzorë”. Evenimenti u realizua sipas idesë, nismës dhe organizimit të punonjësve të kompanisë. Tregut, siç njofton EVN Maqedoni, i parapriu grumbullimi i donacioneve në të mira materiale dhe përgjatë realizimit donacionet janë blerë nga kolegë të tjerë. Janë shitur mbi 150 artikuj, veshje, sende shtëpiake dhe punime personale. Paratë do të dhurohen për qëllime humanitare.

Gostivar - Këshilli i Komunës së Gostivarit, me 20 vota "për", sot  miratoi Propozimin për dhënien e 6.000 denarëve për fëmijët e posalindur në Gostivar. Ky vendim, njofton Komuna e Gostivarit, në Këshillin e Komunës vjen me propozim të kryetarit, Valbon Limani, i cili personalisht e propozoi në seancën e fundit të Këshillit, kurse e paralajmëroi ditë më herët. Kjo mbështetje financiare për familjet e porsalindura mund të lehtësojë disi shpenzimet fillestare dhe tregon përkushtimin e komunës ndaj politikës sociale dhe familjeve. 

Shkup - Deri të premten do të mbajë mot i qëndrueshëm, i thatë dhe kryesisht i qetë me temperatura të ulëta të mëngjesit. Në disa lugina do të ketë mjegull me temperatura ditore më të ulëta. Të shtunën priten reshje lokale të shiut, ndërsa në zonat malore pritet edhe borë. Temperatura minimale do të zbresë deri në minus gjashtë, ndërsa ajo maksimale ditore do të arrijë deri në 13 gradë.

Gazë - Ministri e Shëndetësisë në qeverinë e Hamasit në Rripin e Gazës sot kumtoi se gjatë 24 orëve të fundit në enklavën palestineze, ku lufta kundër Izraelit po zgjat më shumë se 14 muaj, jetën e kanë humbur 27 persona. Numri i përgjithshëm i viktimave në Gazë nga fillimi i 7 tetorit 2023 është 45.541, thuhet në kumtesë. Nga fillimi i luftës mes Hamasit dhe Izraelit, të paktën 108.338 njerëz janë lënduar 

 

QËNDRONI TË LIDHUR