• e shtunë, 18 janar 2025
MIA Flesh

15:00/ 17 janar/ 2025

Shkup – Të gjitha partitë politike duhet të kontribuojnë vazhdimisht në forcimin e rolit të Kuvendit si forum për dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, ​​me qëllim të përshpejtimit të reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, bëri thirrje ambasadori i BE-së në vend, Mihalis Rokas sot në Parlament në seancën e përbashkët të Këshillit parlamentar për eurointegrime dhe Komisionit parlamentar për çështje evropiane, ku në rend dite ka qenë Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024. Rokas në fjalën e vet tha se duhet të shfrytëzohet momentumi ndaj vendit tonë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Union.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, së bashku me deputetët Bekim Sali dhe Merita Kollçi Koxhaxhiku sot me rastin e 557-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar të shqiptarëve -  Skenderbeut, kanë vendosur lule të freskëta pranë statujës së Skenderbeut në Shkup. "Ngjarjen e nderuan edhe ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani, dhe ambasadori i Kosovës, Florian Qehaja. Figurën e Skenderbeut, Gashi e përshkroi si simbol të unitetit dhe krenari kombëtare, duke theksuar se është detyrë kombëtare të ruajmë vlerat dhe trashëgiminë e tij", bëri të ditur pres shërbimi i Kuvendit. 

Shkup - Nëse nuk arrihet marrëveshje me Qeverinë, nuk përjashtohen edhe protesta të mëtejshme, greva dhe padi, deklaroi kryetari i Sindikatës së AOGJSH-së, Tërpe Deanoski, në protestën e sotme para Ministrisë së Financave. Ai tha se ditët e kaluara, të punësuarit kanë treguar se edhe në temperatura nën zero mund të dalin në protesta për t'i realizuar të drejtat e tyre. Deanoski theksoi se këto ditë janë lexuar deklaratat deklarative nga ana e Qeverisë, përmes të cilave Qeveria i ka ftuar në takime përmes mediave, ndërsa ata formalisht nuk kanë marrë asnjë ftesë për vazhdimin e dialogut. "Meqenëse dialogu nuk zhvillohet përmes kumtesave dhe mediave, Sindikata e AOGJSH-së sot ka dorëzuar kërkesë formale për takim me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Kërkojmë rifillimin e dialogut që u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga ana e Ministrisë së Financave, duke refuzuar propozimin e marrëveshjeve kolektive për shtesën e pagës për këta të punësuar që janë këtu me ne", sqaroi ai.

Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, realizoi takim me ministrin polak për Çështje Evropiane, Adam Shlapka, në kuadër të vizitës së tij të punës në Varshavë të Polonisë. Takimi, siç informoi Ministria e Çështjeve Evropiane, u mbajt në frymën e shënimit të fillimit të kryesimit polak me Këshillin e Bashkimit Evropian. "Në takim u diskutuan prioritetet e kryesimit polak, me theks të veçantë përforcimi i perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Ministri Murtezani theksoi arritjet e deritanishme të Maqedonisë së Veriut në negociatat aderuese me BE-në dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes nga vendet anëtare për avancimin e mëtejshëm të procesit integrues", qëndron në kumtesë.

Shkup - Drejtoria për polici financiare në Prokurorinë themelore publike Shkup parashtroi padi penale kundër tre personave fizik dhe dy personave juridik për shkak të dyshimeve të bazuara se i kanë kryer veprat penale Falsifikim apo asgjësim të librave afaristë sipas nenit 280 paragrafi 2 nga KP i RM-së, Përdorim i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë sipas nenit 380 paragrafi 1 pika 2, Falsifikim të dokumentit zyrtar sipas nenit 361 paragrafi 1 nga KP i RM-së dhe Ndihmesë sipas nenit 24 të KP të RM-së. "I pandehuri i parë I.B. në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Energjetikës, Xehtarisë dhe Derivateve minerale - Byroja për metrologji, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Falsifikim të dokumentit zyrtar sipas nenit 361 paragrafi 1 nga KP i RM-së. I pandehuri i dytë Z.A. në cilësinë e drejtorit të Shoqatës për prodhim, tregti dhe shërbime TRITEROL PETROL SHPKNJP Shkup, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Falsifikim apo asgjësim të librave afaristë sipas nenit 280 paragrafi 2 dhe Përdorim të dokumentit me përmbajtje të pavërtetë sipas nenit 380 paragrafi 1 nga KP i RM-së. I pandehuri i tretë, A.Z. në cilësinë e drejtorit të personit juridik Shoqatë për tregti, shërbime dhe ndërtimtari LTA PETROL SERVIS SHPKNJP Shkup për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale Falsifikim apo asgjësim të librave afaristë sipas nenit 280 paragrafi 2, Përdorim të dokumentit me përmbajtje të pavërtetë sipas nenit 380 paragrafi 1 nga Kodi penal i RM-së dhe Ndihmesë sipas nenit 24 nga KP i RM-së", kumtuan nga Drejtoria për polici financiare.

Shkup - Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, sot në një konferencë për media deklaroi se Qeveria e ka rritur buxhetin e arsimit për këtë vit për më shumë se dy milionë euro dhe kap vlerën e 11,5 milionë eurove.  "Për vitin 2025 Qeveria ka vendosur të rrisë buxhetin e arsimit si asnjëherë më parë. Pra, bëhet fjalë për një buxhet që do të arrijë në 11.5 milionë euro, shumë që në vitin 2024 ishte vetëm nëntë milionë euro. VLEN rriti buxhetin e arsimit për më shumë se dy milionë euro. VLEN avokon për ngritjen e cilësisë së arsimit, sepse ne besojmë se hallka më e rëndësishme në sistemin shtetëror është arsimi, në fakt për ne është faktori kryesor në krijimin e një perspektive të re dhe produktive", tha Aliu. Kjo, theksoi zëvendësministri, tregon seriozitetin dhe përkushtimin e VLEN-it në fushën më delikate të arsimit, e cila siç tha ai ishte në letargji totale.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot në takim pune priti Karlo Reslerin, eurodeputet dhe bashkëkryesues i Komitetit të Përzier Parlamentar të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Në takim, kumtuan nga MPJTJ, është diskutuar për përparimin e shtetit drejt integrimit evropian, hapat e ardhshëm në proces, si dhe mundësitë për përforcimin e bashkëpunimit.

Shkup - Një qasje e njëanshme që i mohon popullit maqedonas të drejtën për gjuhën dhe identitetin e saj dhe me të cilin pretendon se kombi maqedonas është krijuar përmes rrugës artificiale. Sipas kësaj logjike, mund të parashtrohet pyetja se "cili komb në Evropë nuk është artificial?". Nëse ndiqet perspektiva e tillë, do të hapë mosmarrëveshje të shumta ndërmjet Austrisë dhe Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës, Suedisë dhe Norvegjisë dhe ajo listë mund të vazhdojë ende më thellë në të kaluarën e largët. Le të dërgojmë një mesazh të fortë dhe të qartë, Maqedonia është një vend i pjekur dhe i përgatitur për fillimin e menjëhershëm të negociatave inkuadruese dhe për anëtarësim me të drejtë të plotë në BE. Maqedonia mund të shërbejë si model për vendet tjera në Evropën Juglindore, duke treguar se rruga drejt integrimit evropian është e realizueshme, tha sot sekretari i përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar Panevropian, Pavo Barishiq në konferencën ndërkombëtare "Diplomacia e biznesit - mënyrë për rritjen e ekonomisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar".

Shkup - Është kritike gjendja e djaloshit nga Vollkova, i cili dje është ngjitur në një vagon-cisternë është goditur nga rryma, deklaruan pasdite për MIA nga Qendra Urgjente. "Pacienti i pranuar përmes Qendrës Urgjente dje me djegie është në gjendje kritike për jetën dhe i shtruar në kujdes intensiv. Ekipet mjekësore po ofrojnë kujdesin e nevojshëm shëndetësor, në përputhje me protokollet mjekësore dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të shpëtuar jetën e tij", sqaruan nga Qendra Urgjente. Në një hekurudhë në Komunën e Kisella Vodës, djaloshi i ngjitur në një vagon-cisternë kur e kishte goditur rryma elektrike.

Shkup - Në periudhën e ardhshme pritet punë më intensive e Komisionit për Mbrojtje nga Konkurrenca rreth Ligjit për praktika të padrejta tregtare. Komisioni është i kompletuar dhe për gjithçka që do të konfirmohet si parregullsi në lidhje me Ligjin, ka parashikuar dispozita ligjore që duhet të zbatohen. Ministria e Ekonomisë dhe Punës është e obliguar për zbatimin e ligjit, ndërsa sipas zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski, ky ligj nuk është vetëm për mbrojtjen e prodhuesve, furnitorëve dhe tregtarëve, por edhe për mbrojtjen e standardit të qytetarëve. 

Shkup - Zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet i kryesimit polak me Këshillin e Unionit e cila filloi në fillim të muajit, thotë në bisedën për "360 gradë" ushtruesi i detyrës ambasador i Polonisë në Maqedoninë e Veriut, Mariush Brimora. Ai beson se Polonia nuk ka hequr dorë nga Ballkani Perëndimor si pjesë e prioriteteve të saja dhe thekson se vendi i tij do të mbështesë dhe forcojë aktivitetet për përshpejtimin e qasjes së rajonit në Union. 

Shkup - Të ulen pengesat administrative dhe të gjitha barrierat e tjera për tregti në vendet e rajonit, porositën sot pjesëmarrësit e konferencës ndërkombëtare që e organizon Unioni panevropian i Maqedonisë. Ata e cekën rolin e diplomacisë së biznesit, duke e quajtur urë që i ndërlidhë interesat ekonomike dhe politike, por edhe tregon se anëtarësimi në BE nga aspekti ekonomik sjellë numër të madh të përfitimeve, si dhe obligime. "Diplomacia bashkëkohore evoluoi, nga një aktivitet ekskluziv mes shteteve, në proces që përfshin aktorë të ndryshëm si kompanitë private, koorporatat, organizatat joqeveritare dhe palë të tjera të prëfshira. Edhe pse shtetet dhe organizatat ndërkombëtare mbeten bartëse të aktiviteteve formale diplomatike, aktorët e tjerë luajnë rol gjithnjë e më të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke kontribuuar shumë përmes kanaleve dhe aktiviteteve jozyrtare si diplomacia publike, këmbimi kulturor dhe bashkëpunimi ekonomik", tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në fjalën hyrëse.

Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski sot paralajmëroi linjën e nëntë ajrore në vend. Siç tha ai në konferencën ndërkombëtare për diplomacinë e biznesit, ende nuk mund të tregojë publikisht se për ç'farë bëhet fjalë, por "diaspora do të jetë shumë e lumtur kur të dëgjojë". Pritjet e Nikolloskit janë se para nesh është një vit jashtëzakonisht i suksesshëm dhe stabil me numër rekord të investimeve të huaja, si dhe se vendi do të jetë "numër një në rajon". "Në mëngjes kam konfirmim për linjën e nëntë ajrore, por ende nuk mund të them publikisht. Mendoj se diaspora jonë do të jetë shumë e lumtur kur të dëgjojë. Si Qeveri në këto 6,5 muaj kemi nëntë linja të reja ajrore, ndërsa mund të paralajmëroj edhe fillimin e rikonstruimit të ndërtesës së terminalit në aeroportin e Ohrit", theksoi Nikolloski.

Shkup - Në kuadër të projektit “Përmirësimi i infrastrukturës ujore të komunave në Maqedoninë e Veriut” të ofruara nga Banka Evropiane për Investime dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që do të ndahen përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, si fonde të pakthyeshme për komunat është lidhur kontrata për “Zëvendësimin e rrjetit të ujësjellësit me asbest çimento në qytetin e Strugës”. Kontrata është lidhur në mes të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe kontraktorit të përzgjedhur “Markovski K73 SHPKNJP” nga Struga. Ndërrimi i rrjetit të ujësjellësit asbest-çimento në qytetin e Strugës do të zhvillohet në 18 muajt e ardhshëm, i cili do t'u sigurojë banorëve të qytetit të Strugës një furnizim më cilësor me ujë dhe zëvendësimi i tubave të ujit të asbest çimentos me tuba të rinj të cilësisë së lartë do të kontribuojë shumë në përmirësimin e cilësisë së ujit, mbrojtjen e mjedisit, dhe do të reduktohen humbjet e ujit. Shuma e investimit është 76 milionë denarë.

Shkup – Dy raste të kollës së mirë janë evidentuar prej 10 deri më 16 janar. Bëhet fjalë për fëmijë nga Shkupi, njëri i moshës prej pesë muajve dhe i pavaksinuar, i regjistruar më 10 janar, ndërsa i dyti i moshës prej katër vjet, i vaksinuar komplet, i regjistruar të hënën. Të dy fëmijët janë mjekuar në ambulantë, informuan sot pasdite nga Instituti i Shëndetit Publik.  Në periudhën e kaluar shtatëditore nuk ka pasur asnjë rast të kollës së mirë.  Nga 27 dhjetori deri më 2 janar ishte regjistruar një rast i kollës së mirë. Atëherë nga Instituti informuan se fëmija mjekohet në spital. Fëmija nga Shkupi kishte vetëm dy muaj, i pavaksinuar sepse nuk e kishte arritur moshën e vaksinimit.  Në periudhën 2024/25, deri më 16 janar, në territorin e shtetit janë regjistruar gjithsej 1.176 persona të sëmurë nga kolla e mirë, me incidencë  prej 64/100.000 banorë. 

Bruksel - Kryetarja e Komisionit evropian, Ursulla fon der Lajen e mbështetë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, por asnjëherë nuk ka përmendur shkurtim të mjeteve për sfera të tjera, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo. "Kryetarja disa herë publikisht tha se angazhohet për rritje të shpenzimeve për mbrojtjen me qëllim që me të vërtetë të jemi të sigurt se mund të tregojmë qëndrueshmëri më të madhe lidhur me mbrojtjen individuale, por ajo nuk u deklarua nëse kjo do të thoshte, nëse do të thishte, shkurtim në disa sfera", tha Pinjo në përgjigje të pyetjes për qëndrimin e Fon der Lajenit për idenë e sekretarit të prëgjithshëm të NATO-s, Mark Rute për ridedikimin e "një pjese të vogël" të mjeteve të parapara për pensione, shëndetësi dhe mbrojtje sociale për nevojat e mbrojtjes.

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden ka falur pothuaj 2.500 persona të dënuar për shkelje jo të dhunshme, të lidhura me drogën. Ai theksoi se të dënuarit "kanë vuajtur dënime më të gjata se sa do të dënoheshin sot sipas ligjeve aktuale" dhe se hapat e tij do t'i përmirësojnë "padrejtësitë historike". Bajden tha se ka miratuar më shumë falje individuale se çdo president tjetër në historinë e SHBA-së. Ai ka falur të burgosurit tri ditë para se t'ia dorëzojë funksionin presidentit të sapozgjedhur Donald Tramp.

Kajro - Ndërmjetsues nga Egjipti, Katari, SHBA-ja dhe Izraeli sot në Kajro i përcaktojnë "mekanizmat" për zbatimin e armëpushimit në Rripin e Gazës.  Siç njoftoi "Al-Kahera njuz" duke iu referuar burimeve të paemëruara, takimer teknike që sot filluan në Kajro, janë me qëllim "që të vendosen mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes për armëpushim në Gazë me pjesëmarrje të ekipeve egjiptiane, katariane, amerikane dhe izraelite.

Jerusalem – Kabineti izraelit i sigurisë në mbledhjen e sotme e miratoi marrëveshjen me Hamasin për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për shkëmbim të pengjeve për të burgosur palestinezë, njoftoi kabineti i kryeministrit Benjamin Netanjahu.  Pas miratimit nga kabineti i sigurisë, marrëveshja duhet të miratohet edhe nga Qeveria izraelite. Pas miratimit të saj marrëveshja për armëpushim do të hyjë në fuqi të dielën (19 janar) me lirimin e pengjeve të para.

Paris - Në një podkast të futbollistit legjendar brazilian Romario, lojtari aktual i Al-Hilal, Nejmari deklaroi se nuk pendohet për asgjë që ka bërë në karrierë, se të gjitha gabimet që ka bërë në fakt e kanë ndihmuar të formohet si person. Shpjegoi pse Barcelona ishte zgjedhja e Nejmar në vitin 2013 në vend të Real Madridit.  "E ndoqa zemrën time. Doja të luaja me Mesin, ndërsa Barcelona ishte klubi që doja. Gjithmonë i kam ndjekur, edhe kur Ronaldinjo ishte atje, dhe gjithmonë kam thënë se ky është klubi në të cilin dua të jem. Dhe kjo ndodhi. Ishin ditë shumë intensive. Për disa ditë nuk stërvita aspak, thjesht shkova nga shtëpia në zyrë në përpjekje për të zgjidhur dilemën.  Vazhdimisht më paraqiteshin nga Real Madridi dhe nga Barcelona. Kam folur me kryetarët e të dy klubeve, nuk mund të mendoja racionalisht. Imagjinoja veten duke luajtur për të dyja ekipet. Në fund, e dëgjova zemrën time, më tha se duhet të shkoja te Barcelona", tha Nejmari.

 

QËNDRONI TË LIDHUR