12:00/03 shkurt/2025
Shkup - Grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së, "VLEN" dhe ZNAM sot në Kuvend kanë dorëzuar kërkesë për mbajtjen e debatit publik me qëllim të analizimit dhe përcaktimit të nevojës për ndryshimin e rregulloreve ligjore për rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion, ka bërë të ditur në Fejsbuk, koordinatori i Grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski. "Presim mbështetje nga të gjithë deputetët në Kuvend dhe të tejkalojmë problemet sistematike me të cilat po ballafaqohemi vitet e fundit", theksohet në postimin në Fejsbuk të deputetit dhe anëtarit të Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski për të cilën bëri të ditur Qendra për komunikim pranë VMRO-DPMNE-së.
Shkup - Uji në Shkup është i sigurt për pije, tregojnë rezultatet e analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga 43 pika matëse në qytet. "Sektori për kontroll sanitar në periudhën prej 27 deri më 31 janar të vitit 2025 ka marrë 191 mostra fiziko-kimike dhe 191 mostra për analiza mikrobiologjike të ujit të pijshëm nga 43 pika matëse në Qytetin e Shkupit. Në përputhje me rezultatet e marra nga testimet, të gjitha mostrat përputhen me Rregulloren për kërkesat për siguri dhe cilësi të ujit të pijshëm, informojnë nga NP "Ujësjellësi dhe Kanalizimi" – Shkup.
Shkup – Më ftohtë sot në mëngjes me -2 gradë Celsius është në Berovë dhe Kodër të Diellit, ndërsa më ngrohtë me 7 gradë është në Gjevgjeli. Sipas DPHM sot në mëngjes në Hanet e Mavrovës dhe në Kriva Pallankë janë matur 0 gradë, 1 gradë në Llazaropolë, 2 në Krushevë, Prilep, Strumicë dhe Shtip, 3 Manastir dhe Kavadar, 4 Tetovë, Ohër, Pretor dhe Vinicë, 5 Shkup – Petrovec, Veles, 6 gradë në Shkup – Zajçev Rid. Lartësia e shtresës së borës në orën 7 është 32 centimetra në Kodër të Diellit dhe 14 centimetra në Hanet e Mavrovës.
Romë - Reshjet intensive të shiut për vetëm katër orë kanë shkaktuar përmbytje në ishullin italian të Sicilisë ku rrugët ishin të bllokuara, ndërsa uji i mori makinat në zonën përreth qytetit të Mesinës. Sasia e shiut që ka rënë në një periudhë të shkurtër kohore përkon me të gjithë normën mujore për këtë rajon, çka ka sjellë rrëshqitje të dheut dhe vërshime të ujit në zonat urbane. Shërbimi italian kundër zjarreve njoftoi se zjarrfikësit intervenuan në më shumë se 100 vende, duke përdorur gomone për të evakuuar qytetarët e rrezikuar.
Bruksel – Mbi 145 shefa të delegacioneve dhe zyrave dhe të misioneve ushtarake dhe civile të BE-së përgjatë botës, përfaqësuesit dhe të dërguarit specialë të bllokut dhe udhëheqësve të përfaqësive të Komisionit Evropian në të gjitha 27 vendet anëtare, do të grumbullohen në Konferencën Vjetore të ambasadorëve të Bashkimit Evropian, që prej sot e deri të premten do të mbahet në Bruksel. Konferenca, nikoqir i të cilës për herë të parë do të jetë përfaqësuesja e re e lartë e Unionit për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë Kaja Kallas, këtë vit është titulluar “Politika e jashtme e BE-së që ofron”.
Bruksel - Çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen evropiane dhe forcimin e aftësive mbrojtëse të Evropës do të jenë temë e takimit jozyrtar të sotëm të shefave të shteteve apo qeverive të shteteve anëtare të BE-së në Pallatin Egmont në Bruksel. ku janë të ftuar edhe: kryeministri britanik Keir Starmer dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute.Samiti joformal i BE-së po zhvillohet në klimën aktuale të sigurisë që karakterizohet nga agresioni rus kundër Ukrainës, numri në rritje i sulmeve hibride dhe kibernetike ndaj shteteve anëtare dhe situata e tensionuar në Lindjen e Mesme.
Gjenevë - Mbledhja e këshillit ekzekutiv të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) sot është planifikuar të mbahet pasi tërheqja e SHBA-së ka shkaktuar një vrimë në buxhet, njoftoi DPA. Pasi presidenti Donald Tramp urdhëroi që SHBA-ja të largohej nga OBSH-ja në ditën e tij të parë në funksion, në selinë e agjencisë së KB-së në Gjenevë mbizotëron një atmosferë alarmi. SHBA është deri tani kontribuuesi më i madh për OBSH-në. Në vitin 2024, pjesa e tyre në buxhet ishte 18 për qind.
Moskë – Presidenti amerikan Donald Tramp me imazhin e tij shumë shpejt do ta kthejë rendin, ndërsa elitat evropiane do të mbeten para këmbëve të zotit të tyre dhe me kujdes do të lëvizin bishtin, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin për televizionin “Rusia 24”. “Tani ka një konfuzion midis elitave politike evropiane dhe presidentit të sapozgjedhur Donald Tramp. A ka ndryshuar ndonjë gjë që nga koha e Bajdenit? Asgjë nuk ka ndryshuar. Ata ishin të lumtur të zbatonin të gjitha urdhrat e Uashingtonit nën Bajdenin”, tha Putini.
Moskë - Një person humbi jetën, ndërsa katër u plagosën në një shpërthim në një ndërtesë apartamentesh në pjesën veriperëndimore të Moskës, njoftuan mediat ruse, duke cituar shërbimet e urgjencës. "Baza", kanal në Telegram në afërsi të shërbimeve speciale ruse, publikoi një video në të cilën shihen dëme serioze në kompleksin e banimit "Ali Parusa" ku ndodhi shpërthimi. Arsyet e shpërthimit ende nuk dihen.
Damask – Katërmbëdhjetë gra dhe një burrë humbën jetën, ndërsa 15 gra janë lënduar në një shpërthim të një automobil-bombe në kryeqytetin e periferisë në qytetin sirian verior Manxhib, njoftoi Mbrojtja civile siriane. Të gjithë janë punonjës bujqësie, shtohet në informacion. Pas kryengritjes, e cila e rrëzoi regjimin e Bashar Asadit në dhjetor, Manxhib është vend i konflikteve mes luftëtarëve kurd dhe luftëtarëve të mbështetur nga Turqia.
Tel Aviv - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu sot me aleatin e tij SHBA-në do të bisedojë për fazën e dytë të armëpushimit në Rripin e Gazës, ndërsa nesër do të pritet nga presidenti Donald Tramp i cili siguroi se bisedimet “po ecin përpara”. Kryeministri izraelit dje ka mbërritur në SHBA, duke e bërë atë liderin e parë të huaj që pret Trampi që kur ai mori detyrën për mandat të dytë. Vizita e Netanjahut përkon me rifillimin e bisedimeve mes Izraelit dhe Hamasit për fazën e dytë të armëpushimit në Rripin e Gazës e cila pritet të çojë në lirimin dhe kështu t'i japë fund pengjeve të fundit izraelitë të mbajtur nga grupi i armatosur palestinez që filloi pas sulmit të paprecedentë të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi se "shumë shpejtë" do të vendosë tarifa për produktet evropiane, të ngjashme me ato që ka vendosur tashmë për importet nga Kanadaja, Meksika dhe Kina. "Ata kanë përparësi të madhe në tregtinë me ne - SHBA ka deficit tregtar prej 300 miliard dollarë. Ata nuk i blejnë automjetet tona, produktet bujqësore – pothuajse asgjë. Ndërsa ne blejmë miliona makina të tyre dhe sasi të mëdha ushqimesh", deklaroi Tramp në konferencën për mediat.
Uashington - Pesëdhjetë e pesë nga 67 personat e vdekur në përplasjen midis një aeroplani me udhëtarë të amerikan erllajns dhe një helikopteri ushtarak mbi lumin Potomak në Uashington janë identifikuar, deklaroi sot shefi i Njësisë kundër zjarreve, Xhon Doneli. Një ekip i personelit ushtarak po përgatitet të fillojë nesër një operacion për të hequr rrënojat e dy aeroplanëve nga uji. Ata do të dërgohen në një hangar në aeroportin kombëtar Ronald Regan në Uashington. Ndërkohë, familjet e viktimave nga katastrofa më e madhe ajrore në SHBA nga viti 2001 sot kanë vizituar vendin e ngjarjes së aeroplanit.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp sot deklaroi se do të ndërpresë të gjitha fondet e ardhshme për Republikën e Afrikës së Jugut (RAJ), derisa të kryhet një hetim për atë që ai e quajti "trajtim shumë të dobët" të "grupeve të caktuara njerëzish". "RAJ po konfiskon toka dhe po trajton shumë keq grupe të caktuara njerëzish", ka shkruar Trampi në rrjetin e tij social Trut Soushëll, pa ofruar prova për pretendimet.
Milano – Trajneri i Interit, Simone Inzagi, ka lavdëruar lojtarët e tij ku mbrëmë në derbin e qytetit luajtën baras 1:1 me Milanin. "Djemtë ishin të mrekullueshëm, u përballën me gjithçka përveç fatit të keq. Kaluam shumë vështirësi në këtë ndeshje. Kishim tre shtylla, tre gola të anuluar, penallti që nuk u referua nga arbitri, një ndërhyrje pa leje ndaj Markus Turamit. Por edhe kundërshtari luajti shkëlqyeshëm dhe duhet përgëzuar. Ne luajtëm ndeshjen tonë të 17-të në dy muaj dhe i përgëzova djemtë. Gjithmonë duam të fitojmë dhe nuk lejuam që të dekurajohemi nga fati i keq në këtë ndeshje", deklaroi trajneri i Interit për "Sky Sport Italia".
Mançester - Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola ka folur pas humbjes së djeshme ndaj Arsenalit. "Qytetarët" humbën nga "Topçinjtë" në terrenin si mysafir me rezultat 5:1 në kuadër të xhiros së 24-të të Premier ligës. "Shpreh keqardhje vetëm për 25 minutat e fundit, harruam se çfarë duhej të bënim, çfarë po bënim për 65-70 minuta. Sigurisht që është e vështirë të luash në këtë stadium, kundër kësaj skuadre. Pas epërsisë së tyre të hershme, ne u konsoliduam dhe luajtëm shumë, shumë, mirë. E barazuam rezultatin, por në minutën tjetër ata kaluan sërish në epërsi. Më vjen keq për 15-20 minutat e fundit, përndryshe ishte një ndeshje shumë e mirë nga ana jonë. Është e vështirë ta kuptoj këtë duke ditur rezultatin, por kështu ndihem. Kjo ka ndodhur gjatë gjithë sezonit, ne japim shumë, duke e ditur që nuk duhet të ndodhë, por ndodhë. Këto periudha duhet t'i tejkalojmë, nuk duhet të humbim kontrollin, ndeshja zgjat 90-95 minuta", deklaroi Guardiola.