12:00/ 11 dhjetor/ 2025
Shkup - Me fjalët hyrëse nga mbrojtja e të akuzuarit të 26-të, Shefket Haziri nga Ministria e Ekonomisë, sot në sallën e gjyqit në Idrizovë vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, ku jetën e humbën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Seanca zhvillohet nën masa të forta sigurie, me praninë e të akuzuarve, familjeve të viktimave dhe gazetarëve të shumtë, ndërsa seanca e sotme mund të ndiqet drejtpërdrejt në МIА Youtube dhe МIА Facebook. Në seancën e djeshme, mbrojtja e ish ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, në fjalën e tij hyrëse, tha se nuk ka lidhje shkakore në veprimet e të pandehurit Bekteshi, në kundërshtim me detyrimet ligjore sipas të cilave ai është i detyruar të veprojë, as Ministria që ai drejtoi nuk ka juridiksion mbi mbikëqyrjen inspektuese, ndërsa akti i kryerjes së zjarrit është zjarri i shkaktuar nga piroteknika të papërshtatshme për një dhomë të mbyllur dhe të përdorura në kundërshtim me ligjin për piroteknikën, pa miratimin e detyrueshëm nga Ministria e Brendshme për përdorim në një hapësirë të mbyllur.
Shkup – Drejtori i HM Infrastrukturë, Sinisha Ivanovski, në profilin e tij në Fejsbuk publikoi një video nga hapja e tunelit të 14-të të seksionit hekurudhor Bellakocë – Kriva Pallankë i cili është në ndërtim e sipër. “Është mirë kur në fund të tunelit do të paraqitet dritë. Sot herët në mëngjes e hapëm tunelin e parafundit nga gjithsej 15 tunele në seksionin hekurudhor nga Bellakoca deri në Kriva Pallankë. Kjo është pjesa e dytë e ndërtimit të hekurudhës drejt Bullgarisë”, shkroi Ivanovski. Ndërtimi i kësaj traseje, theksoi, krijon sfida, ndërsa një nga më të mëdhatë është hapja dhe ndërtimi i tuneleve.
Shkup - Kryetari i deritanishëm në Gjykatën Administrative, Burim Sejdini, do të jetë u.d. kryetar i Gjykatës, përderisa nuk zgjidhet i riu. Një vendim të tillë sot e mori Këshilli Gjyqësor në seancën e 533-të. U tha se më 14 dhjetor skadon mandati i Sejdinit, kështu që zgjidhet u.d. kryetar deri në zgjidhjen e të riut. Sejdini i plotësoi kriteret e nevojshme për këtë pozicion dhe ai me 11 vota "për" u përcaktua të jetë u.d. kryetar i Gjykatës Administrative deri në 15 dhjetor.
Gostivar - Nevzat Bejta në zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të Komunës së Gostivarit, do të garojë për mandatin e tretë. Ai mbrëmë në profilin e tij në Fejsbuk publikoi kandidaturën dhe se do të ketë mbështetje nga koalicioni VLEN. "Të nderuar qytetarë të Gostivarit, në përputhje me rezultatet e anketimeve dhe pas konsultimeve me liderët e VLEN-it, është vendosur që kandidati i VLEN-it për këto zgjedhje në Gostivar të jem unë. Për zyrtarizimin e kësaj nisme të ndershme dhe me qëllim të vetëm – të mirën e qytetit dhe të qytetarëve të Gostivarit – nesër në orën 12:00 do të dorëzojmë kandidaturën pranë Komisionit Komunal Zgjedhor", theksohet në publikimin e Bejtës. Në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve, Nevzat Bejta dërgoi ftesë ta shoqëronin në paraqitjen e kandidaturës në parkun e vogël pranë ndërtesës së komunës.
Shkup - Në Forumin Transatlantik në Kongresin e SHBA-së, deputetët Dragan Kovaçki, Sllavjanka Petrovska dhe Ilir Hasani u takuan me kongresmenen Debi Dingel, bashkëkryesuese e Kaukusit SHBA-Maqedoni. Siç thuhet në kumtesën e pres-shërbimit të Kuvendit, në takimin ata shprehën mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe jashtëzakonisht të rëndësishme që SHBA-ja ia japin Maqedonisë së Veriut, si në proceset e integrimit euroatlantik, ashtu edhe në forcimin e sigurisë, kapaciteteve mbrojtëse dhe institucioneve tona demokratike. Në fund të takimit, theksi u vu në nevojën për të vazhduar thellimin e bashkëpunimit me aleatët e SHBA-së dhe forcimin e vendit të Maqedonisë së Veriut si partner i besueshëm në NATO", thuhet në kumtesë.
Shkup - Një tifoz i Sllovakisë u arrestua, ndërsa 10 të tjerëve nuk u është lejuar hyrja në shtet për shkak të sjelljes agresive në aeroplan gjatë fluturimit dhe pas arritjes në vend, kumtoi sot MPB-ja. "Më 10.12.2025, rreth orës 20:30, në SPB Shkup, nga shërbimet e Aeroportit Ndërkombëtar -Shkup dhe nga Qendra Rajonale për Çështje Kufitare Veri është denoncuar se në një aeroplan që ka mbërritur nga Sllovakia, disa persona nën ndikimin e alkoolit, të cilët janë pjesë e një grupi tifozësh, gjatë fluturimit dhe pas aterimit nuk i kanë respektuar rregulltat, kanë treguar sjellje agresive dhe i kanë shqetësuar pasagjerët e tjerë dhe ekuipazhin. Nëpunësit policorë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe pas ndërmarrjes së masave e arrestuan L.T. (38) nga Sllovakia, ndërsa 10 personave të tjerë, po ashtu, nga Sllovakia, nuk u ishte lejuar hyrja në vend për arsye sigurie", njofton MPB-ja.
Shkup – Në tetor të vitit 2025 janë dhënë 446 leje për ndërtim, që është për 22,9 për qind më shumë në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave. Sipas lejeve të dhëna për ndërtim, vlera e paraparë e objekteve është 10 596 843 mijë denarë, që është për 25,1 për qind më shumë krahasuar me muajin e njejtë të vitit paraprak. Vlera e rritur është për shkak se gjatë periudhës referencë është dhënë leja për ndërtimin e Rrugës Shtetërore A2, aksin Bukojçan–Kërçovë, faza e parë, nënaksin Cërvicë–Kërçovë me gjatësi 6,527 km, e cila ka vlerë prej 44 milionë euro. Nga numri i përgjithshëm i lejeve të dhëna për ndërtim 289 (64,8 %) janë të dedikuara për objektet e ndërtimit të lartë, 68 (15,2 %) për objektet e ndërtimit të ulët dhe 89 (20,0 %) për objektet për rikonstruim.
Shkup - Mëngjesi më i ftohtë në vend ka qenë në Manastir -3 gradë Celsius, -2 në Shkup - Petrovec, Berovë dhe Strumicë, -1 në Tetovë, Demir Kapi dhe Veles, 0 në Shkup - Zajçev Rid, Shtip, Kavadar, Prilep, Hanet e Mavrovës dhe Gjevgjeli, 1 në Kumanovë, 2 në Kriva Pallankë, Ohër, Pretor dhe Vinicë, 4 në Kondrën e Diellit dhe 5 në Krushevë, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM). Moti sot do të jetë me diell dhe relativisht i ngrohtë me vranësira lokale të dobëta deri në mesatare. Paradite do të ketë mjegull të lehtë. Do të fryjë erë e lehtë nga veriperëndimi.
Shkup - Nëpunës policorë nga SP Kisella Vodë e privuan nga liria G.S. (43) nga Shkupi, menjëherë pas pranimit të denoncimit më 10.12.2025, në orën 23:45, nga A.M., udhëheqës i një emisioni në portalin Infomaks, i cili në SPB Shkup denoncoi se në redaksinë e portalit, me vendndodhje në rr. "Vostaniçka" në Shkup, një person mashkull ka hyrë në redaksi, gjersa vijonte programi drejtpërdrejt, ka dëmtuar dy dyer dhe ka penguar emetimin e emisionit, në të cilin i ftuar ishte ish-kryetari i një komune S.J., ndërsa ishin të pranishëm edhe prezantuesi M.N. dhe kameramani. Më pas u vërtetua se bëhet fjalë për një person me probleme shëndetësore, i cili më parë ishte shoqëruar në Spitalin Psikiatrik Bardovc. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, kundër G.S. do të ngrihet kallëzim penal me procedurë të shpejtë.
Ohër – Ohri dhe Republika e Maqedonisë së Veriut janë nikoqirë të konferencës së ministrave të “Këshilli i ministrave të kulturës nga EJL – fuqizim i kulturës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm”. Hapja e konferencës është paraparë për nesër në orën 10, me fjalim hyrës të ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov. Fjalime të tyre do të kenë edhe drejtoresha e Byrosë Rajonale të UNESKO-s për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, me seli në Venecia, Magdalena Landri, ministra të Kulturës, zëvendësministra dhe përfaqësues të vendeve të EJL-së. Në konferencë do të miratohet Deklarata e Ohrit “Modele të qëndrueshme kulturore për të ardhmen”.
Athinë - Si edhe gjatë ditëve të kaluara, ashtu edhe sot, bujqit grekë, të cilët traktorët e tyre i kanë parkuar në disa vendkalime kufitare, mes të cilave edhe Evzoni (Bogorodicë) dhe Niki (Mexhitli) drejt vendit tonë, do t'i mbyllin kufijtë për komunikacion për disa orë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Pritet që bllokada në Evzoni edhe sot të jetë në periudhën prej orës 12 deri ora 16 dhe nga ora 18 deri ora 22 sipas kohës lokale, me çka tërësisht do të jetë në ndërprerje komunikacioni, me përjashtim të kamionëve me prodhime greke. Në Niki, sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, kufiri do të jetë katër orë i mbyllur nga ora 11 sipas kohës lokale.
Bruksel - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute sot po qëndron për vizitë njëditore pune në Gjermani, kumtoi pres-shërbimi i Aleancës. Sipas paralajmërimeve, është paraparë që Rute në Berlin të takohet me kancelarin gjerman Fridrih Merc, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johan Vadefull. Krahas kësaj, sot pasdite, Rute pritet të mbajë fjalim në ngjarjen e quajtur "Konferenca e sigurisë së Mynihut në Berlin".
Tokio - Bombarduesit amerikanë që posedojnë koka bërthamore fluturuan mbi Detin e Japonisë së bashku me aeroplanë luftarakë japonezë, bën të ditur Tokio. "Japonia dhe SHBA riafirmuan vendosmërinë e tyre për të parandaluar çdo përpjekje të njëanshme për të ndryshuar status kuo-në me forcë dhe shpallën gatishmërinë e Forcave të vetëmbrojtjes (së Japonisë) dhe trupave amerikane", informoi Ministria e Mbrojtjes e Japonisë në kumtesën e sotme për shtyp. Fluturimi i dy bombarduesve strategjikë amerikanë B-52, së bashku me tre aeroplanë luftarakë japonezë F-35 dhe tre F-15 ka qenë demonstrimi i parë i pranisë ushtarake amerikane që kur Kina filloi stërvitjet e saj në rajon javën e kaluar.
Nju Jork – Me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 11 dhjetor të vitit 1946 është themeluar UNICEF-i. Është themeluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur Evropa ishte shkatërruar dhe miliona fëmijë mbetën pa ushqim, strehë ose mbrojtje shëndetësore themelore. OKB deshi të krijojë organizatë të veçantë e cila do të përqendrohet vetëm në ndihmën e grupit më të ndjeshëm – fëmijëve. Emri origjinal ishte Fondi Ndërkombëtar për Raste Urgjente për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara. Theksi ishte vënë në “ndihmë urgjente” sepse besohej se fondi do të jetë i përkohshëm dhe do të zhduket kur do të zgjidhen pasojat e luftës.
Najpido– Të paktën 30 persona humbën jetën, përfshirë pacientë, pasi junta e Mjanmarit mbrëmë kreu një sulm ajror mbi një spital në shtetin perëndimor Rakhajn, kumtuan grupet rebele dhe dëshmitarë. Gjatë sulmit u plagosën 70 persona. "Spitali në distriktin administrativ Mrauk U në Takhajn mbrëmë është goditur nga bombat e hedhura nga një aeroplan ushtarak. Spitali është shkatërruar tërësisht", deklaroi zëdhënësi i grupit rebel të armatës së ashtuquajtur Arakan, Kajn Tu Ka. Zëdhënësi i juntës ende nuk ka komentuar incidentin në fjalë.
Pnom Pen – Kamboxhia i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të ndërhyjë në kontestin kufitar me Tajlandën. Kamboxhia i bën thirrje KB-së të ushtrojë presion mbi armatën tajlandeze për "ndërprerje momentale të sulmeve" dhe të dërgojë një mision të pavarur të KB-së për vërtetimin e fakteve në terren. Në letrën dërguar KB-së, operacionet e armatës tajlandeze përshkruhen si "shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar". Konflikti midis dy vendeve juglindore është rindezur përsëri ditëve të fundit. Kamboxhia dhe Tajlanda akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të një armëpushimi të arritur së fundmi.
Nion - Pas kompletimit të xhiros së gjashtë të fazës së parë nga Liga e Kampionëve, janë përcaktuar pesë ekipet, të cilat definitivisht do të luajnë në fazën eliminatore. Arsenali, Bajerni i Mynihut, Pari Sen-Zhermeni, Mançester Siti dhe Atalanta, të cilat janë radhitur si pesë të parat në tabelë, e kanë siguruar vendin e tyre në plejof. Xhiroja e shtatë dhe e tetë e Ligës së kampionëve do të luhet në janar të vitit të ardhshëm. Ekipet që do të përfundojnë mes tetë të parave, drejtpërdrejtë do të kualifikohen në një të tetën e finales, ndërsa ekipet e radhitura nga vendi i 9-të deri në vendin e 24-të do të luajnë mes tyre për tetë vendet e tjera në plejof.